Në këto ditë të vapës, e cila po mbretëron në gjithë rajonin gjithandej Ballkanit dhe Evropës po arrijnë lajme për shpërthimin e zjarreve me përmasa shqetësuese.
Në Republikën e Kosovës, e cila posedon me 100 e 20 mijë hektarë pyjesh e prej tyre 10 mijë hektarë i takojnë parkut kombëtar. Vite me radhë për shkak të fatkeqësive të ndryshme natyrore dhe papërgjegjësisë të qytetareve nga zjarret janë dëmtuar me mija hektarë pyjesh pasuri kjo kombëtare e Republikës së Kosovës.
Këto ditë në rajonin e Pejës dhe të Suharekës Forca e Sigurisë së Kosovës edhe nga njësitë e KFORI-t po bëjnë përpjekje për ti shuar zjarret, të cilët kanë marrë përmasa shqetësuese dhe po e rrezikojnë pronën publike dhe atë private duke rrezikuar edhe shtëpitë e banimit dhe jetën e banoreve. Zjarret po e shkatërrojnë Florën dhe Faunën dhe po e ndotin natyrën gjithandej.
Është shqetësues niveli i organizimit dhe përgjegjësisë i strukturave të pushtetit lokal, të cilat tani janë kompetente dhe kanë përgjegjësi në ruajtjen dhe menaxhimin në bazë të hartave katastrale të Komunave. Vite me radhë është folur për njësitë e zjarrfikësve nëpër Komunat e Kosovës të cilat kanë mbetur të pa përkrahura nga institucionet dhe Qeveritë e shkuara.
Numri i Zjarrfikësve nëpër komunat e Kosovës është i pa mjaftueshëm në bazë të numrit të fshatrave dhe të popullsisë që jetojnë nëpër Komunat e caktuara. Pozita materiale e Zjarrfikësve është shumë e pa kënaqshme. Vite me radhë në këtë institucion nuk janë bërë investime dhe mungojnë mjetet adekuate teknike dhe efikase për shuarjen e zjarreve.
Pothuajse në të gjitha komunat mbizotëron një pasivitet dhe papërgjegjësi karshi mbrojtjes të pronës publike [maleve të Kosovës]. Qytetarët nëpër fshatra dhe bashkësi lokale u mungon organizimi dhe aktivizimi politik dhe shoqëror për të ndërmarrë veprime konkrete në vetëdijësimin e qytetarëve dhe në edukimin e tyre ndaj pronës shtetërore. Vet fakti se me vite të tëra nëpër fshatra dhe bashkësi lokale nuk organizohen mbledhjet dhe tubimet e qytetareve për t’i trajtuar problemet dhe nevojat jetike të popullatës dëmet gjithsesi janë të pritshme.
Njeriut, duke udhëtuar nëpër viset e ndryshme të Kosovës i bie në sy tymi nëpër arat dhe kodrinat e ndryshme të cilat janë ndezur me qëllim apo pa vetëdije nga ana e dorës së njeriut. Demet nga zjarri janë vështirë të riparueshme dhe me pasoja dhe humbje ekonomike. Për t’i parandaluar duhet një mobilizim i gjithanshëm i qytetarëve dhe institucioneve të shtetit. Këto përpos ekipit të zjarrfikësve, të cilët në këto ditë duhet të jenë mobil dhe vigjilent duke vëzhguar gjithandej terrenin, përgjegjësi kanë edhe institucionet e sigurisë përkatësisht Policia e Shtetit dhe Gjykatat, të cilat kanë obligim që t’i identifikojnë dhe dënojnë të gjithë ata qytetarë apo individë të papërgjegjshëm, të cilët e rrezikojnë pronën publike, e ndotin e ambientin dhe e rrezikojnë jetën e qytetarëve. Mendoj se mjetet e informimit, përkatësisht televizionet, të cilat po mirën me debate politike dhe po i helmojnë qytetarët, është më mirë të raportojnë nga terreni duke iu dhënë mesazhe qytetarëve se si të veprojnë.