Nuk e thash këtë rastësisht, ngase aty pas viteve të 60-ta (fatkeqësisht më ra të dëgjoja vonë) në SHBA, i kishte ra njërit në mend të shpërblejë prodhuesin më të mirë të patates, shpërblimin do t’a merrte ai që kishte kultivuar pataten më të madhe dhe më të rëndë me peshë në Amerikë. Se sa ishte ideja e shkëlqyeshme u pa më vonë, ngase ideatori u bë milioner. Si ndodhi kjo mrekulli?
Farmerët amerikanë me të dëgjuar lajmin se shpërblimi do të jetë…, jo i vogël për atë kohë-1000 dollarë amerikanë, e vërshuan vendin nga “polli” ideja. U dërguan me tonelata patate, me vagona, vetëm për të dalur farmerët nga anonimiteti dhe për të fituar llagapin e njëshit “VIP”. Eshtë e vërtet e madhe se nëse je person i njohur publik në Amerikë, atëherë je mall i kërkuar, në këtë treg të tmerrshëm të konkurimit. Ideatori vërtet shpërbleu farmerin më të mirë, por nga ky marshim i patate-farmerëve u bë "milioner", ngaqë kuptohet ai patatet nuk i ktheu, ishte aneks i marrëveshjes gjatë aranzhimit të shpalljes.
Duke mos dashur t’u mbetet hatri konsultantëve dhe analistëve të shumtë politik qëllimisht përmenda farmerët ngase vendin e tyre po ua zënë politikanët dhe ata po i drejtojnë se si duhet të punohet toka, kanë edhe të drejtë se në Kosovë farmerët janë kuadër deficitarë, se sa për doktora e magjistër të politikës ka shumë, po të peshohen bashkarisht do të dalin mjaft të rëndë, edhe pse nuk i gjen kund në literaturën rajonale, as mos t'ia mësyejmë asaj evropiane se lodhemi kot.
Edhe tash në Kosovë ka pak farmerë se janë bërë të gjithë "akademikë", pak kanë mbetur asi që punojnë tokën, tash diplomat bëjnë punë, është kohë pazari, vrap e në log të burrave të marrim sa më shumë diploma politike publike e private, kanë humbur minatorët, inxhinierët e mirë, zejtarët…, të gjithë këta që për nga zanati janë krijues.
Listat e të papunëve, por edhe parlamentin e kanë vërshuar juristët me diploma, çdo gje është përgjithësuar, se sa janë të pajisur me dije shiqoni nivelin e gjykatave; pastaj ekonomistët dhe biznesmenët kanë arritur statusin e të privilegjerëve ngase nuk ka fare ekonomi vendore, por pjesa më e madhe janë politikanë të shumë univerziteteve private të pasluftës. Shumë interesant tregun e kanë vërshuar univerzitetet e univerzitarët, secili ideolog partiak premton nga një univerzitet, ndërsa fabrika të reja nuk premtohen, vende të reja pune po, por fabrika hiç.