Në kohën në të cilën po jetojmë skena politike shqiptare gjithandej në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe në viset tjera është e përçarë më shumë se asnjëherë më parë. Nëse e analizojmë lidershipin politik në Shqipëri gjendja është shqetësuese mos të themi alarmante, për një shtet, i cili më shumë se një shekull ka fituar pavarësinë. Mjerisht shqiptarët gjithandej jashtë trojeve të Shqipërisë Etnike gjithmonë kanë ëndërruar se shteti ëmë [Shqipëria] do të jetë lokomotiva kryesore, e cila duhet tu ndihmojë edhe pjesëve tjera ku jetojnë shqiptarët të ndarë në 4 shtete. Kjo nuk po ndodh skena politike në Shqipëri vite me radhë e konsumuar nga figurat tani më të tejkaluara assesi nuk janë në gjendje të vetëdijësohen dhe largohen nga politika e degraduar, e cila po e çon vendin në kaos. Hasmëritë në politikën e liderëve shqiptarë nuk kanë të ndalur.
Marrëdhëniet ndërmjet Edi Ramës e Sali Berishës, dhe partive tjera opozitare në Shqipëri janë në pikën më kritike duke u manifestuar me akuza dhe shantazhe më të ndryshme ndaj njëri-tjetrit. Kësaj gjendje pa dyshim se po i kontribuon Edi Rama, i cili po mundohet të shndërrohet si shpëtimtar i gjithë shqiptarëve. Arroganca dhe autoritarizmi i tij e zbulon karakterin dhe mendësinë e një despoti me plotë ideologji majtiste. Veprimet dhe sjelljet e papërgjegjshme të Edi Ramës me vetëdije apo pa të? Po i sjellin dëme jo vetëm Shqipërisë, por po e rrezikojnë edhe sovranitetin dhe integritetin e Republikës së Kosovës. Kjo u vërtetua para pak ditësh edhe me krijim e aleancës të Mini–Schengenit Ballkanik me Serbinë dhe Maqedoninë Veriore duke e përjashtuar Kosovën.
Mjerisht raportet ndërnjerëzore nuk janë për lakmi as në skenën politike të partive dhe liderëve aktualë në Republikën e Kosovës. Kjo po vërehet kudo në Parlamentin dhe institucionet tjera të shtetit dhe mekanizmave të tij. Gjenerata e tanishme, e cila udhëheq me institucionet e Kosovës po sfidohet përditë e më shumë nga klanet e partive politike në opozitë dhe nga individët, të cilët e kanë humbur pushtetin dhe përkrahjen e popullit, të cilët assesi nuk po mund të pajtohen për humbjen e privilegjeve.
Hiq më mirë nuk qëndron situata as tek politikanët e partive politike të shqiptarëve në Maqedoninë Veriore, e mos të flasim për Driton Abazoviçin, i cili bëri koalicion me partitë pro-serbe në Mal të Zi. Prandaj më thotë mendja se në trojet shqiptare duhet të gjendet një Anton Çetë, i cili do ta formojë një këshill kombëtar për përafrimin dhe pajtimin e politikanëve të shfrenuar.
Ky mendim ndoshta për dikë kjo ide duket e tejkaluar dhe primitive, por mendësia, pjekuria dhe edukata tek një numër i liderëve politikë është larg realitetit të kohës. Periudhat historike na tregojnë se burrat e mençur, të cilët kanë gëzuar autoritet dhe respekt në periudhat kur jetuan, kanë ditë të organizohen dhe bashkohen për të mirën e popullit për idealet për liri dhe pavarësi. Shembujt historikë janë Lidhja e Prizrenit, Kuvendi i Junikut e shumë e shumë tubime tjera, të cilat janë organizuar nga prijësit e popullit shqiptarë, të cilët e kanë e frymëzuar dhe bashkuar popullin në kohërat më të vështira. Mendimtarët e ditur me shekuj e kanë përsëritur thënien antologjike.. “Kur duhet ta lëçitësh [ta largosh] vëllain përgjigjja është.. Vetëm atëherë kur i bëhet krah apo aleat armikut”. Shtrohet pyetja për kë po punon Edi Rama dhe çfarë do t’i sjell politika avanturiste shqiptarëve në Ballkan?