Pse ne ishim të atillë, vetëm ashtu si donin serbët të na paraqisnin? Pse Evropa iu besonte? Pse shqiptarët njiheshin në Evropë vetëm ashtu dhe të tillë si ç`na përshkruanin serbët? A punonte koha për ne? Edhe kur punonte, a e dinim ta shfrytëzonim atë kohë? A mos vallë Evropa po i ribindet vetëm shkrimeve dhe përshkrimeve serbe për ne? Ku jemi ne? Pyetjet janë të panumërta, por edhe mundësia qe t`i përgjigjemi është e panumërt. Aq shumë ka shkrime serbe për ne, kundër nesh dhe për përjashtimin tonë ; sa që edhe nëse do të botonim përditë nga një libër si kundërpërgjigje dhe me fakte bindëse nuk do të mundnim t`i errësonim të gjitha ato që janë shkruar nga serbët për ne. Ku ishim dhe ku jemi? Me shkrime po mendoj. Apo a ishim të tillë dhe a jemi sot të tillë si po duan të tjerët?
Në letrën e botuar me 3 janar 1913, në gazetën: Temps” dr.G.M. Jakshiqi në mënyrë shumë të “bukur” –sipas serbëve e ka paraqitur shtrirjen jonatyrore të shqiptarëve jashtë kufijve të “vërtetë” të Shqipërisë: në Sanxhakun e Novi Pazarit, në Fushën e Kosovës, nëpër Serbinë e vjetër dhe nëpër Maqedoni. Shtrirja e shqiptarëve, jashtë kufijve të Shqipërisë paraqitej si një lum vërshues, i cili del nga shtrati i tij (sepse s`është kush t`ia rregullon shtratin); dhe se tani (1913) erdhi koha që ai lumi shkretues-vërshues të kthehet në lum të qetë dhe të plleshëm. Që të kthehet në shtratin e tij është detyra Shteteve të Mëdha të brengosura, të cilat e zgjidhin problemin e kufijve të Shqipërisë dhe ato do ta bëjnë këtë nëse e vendosin Shqipërinë në ‘megjet “ e saj natyrale.
A ishte kush që në atë kohë t`i kundërvihet kësaj letre? Apo, a donte kush dhe a e kishte kush fuqinë, besueshmërinë dhe dëshirën që gjërat mos të shkojnë sipas dëshirës së serbëve; dhe që shqiptarët sipas serbëve të rehatoheshin një herë e përgjithmonë në “shtratin” e tyre natyuror?
Shikoni se si i shpjegohet Evropës çështja shqiptare: “Lumi shkretues-vërshues shqiptar nuk është dalur nga shtrati për shkak të shpejtësisë së madhe të rrymimit që e ka e aq ma pak që është dal nga shtrati i tij për shkak të sasisë së madhe të ujit për të vërshuar.” Por e tëra është përgatitur nga të tjerët duke ia ndërruar shtratin e “vërshimit” sipas nevojave të veta politike. Lumi vërshues i shqiptarëve iu nevojitej turqve në mënyrë që turqit të mbajnë pushtetin mbi popujt që e kërkonin lirinë (?) Shtrirja e shqiptarëve jashtë lumit të tyre nuk është e vjetër, ia mbushin mendjen Evropës. Kufijtë e Shqipërisë si shtet i pavarur (e ka fjalën për kohën e Skënderbeut) ishin shumë të vegjël , edhe shkurt në kohë; ashtu edhe më vonë si krahinë ndër Turkun. Ata kufij nuk ndërrohen as në dy shekujt e parë të pushtimit turk. Ata ishin në një hapësirë të vogël. Evropa vetëm dëgjon. Serbët flitnin e nga ana e shqiptarëve dilnin esat pashat. Por vetëm në kohën kur turqve iu filluan të dalin dorësh popujt e krishterë e posaçërisht serbët, atëherë shqiptarët e paskan pas kaluar “megjen” e tyre. Shqiptarët qenkan përdorur nga turqit për shuarjen e lëvizjeve për liri si dhe përhapjen e myslimanizmit.
“E vërteta “që është pak e njohur, e të cilën serbët mundohen ta plasojnë në Evropë në kohën e thyerjeve të mëdha në kohën kur ne ende mundoheshim ta ruajmë gjumin pesëshekullor ,në kohën e lëvizjeve vendimtare për një të ardhme shumë të rrezikshme për ne; serbet mundohen të “rregullojnë” shumë padrejtësi që iu paskan pas bërë atyre gjatë historisë. Ajo “e vërtetë” ishte se shqiptarët kishin një rol të madh në përhapjen e myslimanizmit dhe shqiptarizimin me dhunë të serbëve të “pastër” që ishin në kufij me atë Shqipëri që s`paska pas ekzistuar kurrë.
Por thonë ata: “që mos të na shihet se ne e kemi në shënjestër vetëm marrëdhëniet e serbëve me shqiptarë, ne do ta japim edhe historinë e shkurtër të vendbanimit shqiptar në Sanxhak, i cili nuk ishte muhamedan, por i krishter. Dhe dhunën ndaj tyre prej vetë shqiptarëve, me këtë të tregojmë si plotësim se si shqiptarët muhamedanë ishin pa kurrfarë vetëdije kombëtare, por vetëm shërbyes të urdhërkryes të turqve në myslimanizimin e të krishterëve të robëruar.”
Pra, po e shohim viktimën e terrorit shqiptar ndaj serbëve të pastër në kufirin e ngushtë me serbët.
E njëjta lojë edhe tani, serbët viktima të shqiptarëve dhe përgjegjës historik për “vuajtjet” e tyre. Kurse ne prapë s`mundemi të ndahemi nga ajo që “mëndja e robëruar është pasojë e shpirtit dhe e trupit të robëruar. Robëria i njeh një mijë mënyra me të cilat e skllavëron mendjen e të robëruarit; dhe mendja si e tillë përkundër lirimit të saj fizik mbetet prapë kthetrat e lartmadhërisë së saj-ish robërisë.”
Edhe sot ka thyerje të mëdha, edhe sot nuk ka përfunduar asgjë Ende sot: “Bac` s`u krye”.
Jo që po e them unë, por çka po shohim dhe çka po dëgjojmë e kemi vetëm një përsëritje të së kaluarës jo të largët; 100 vjeçare.
Të shohim se si shpjegohen shqiptarët sipas serbëve, po e them shqiptarët sipas serbëve, sepse vetëm ata kanë folur për ne, na kanë përhapur na kanë cunguar, na kanë sjell nga malet na kanë paraqitur njerëz me bisht; sepse ne nuk dinim të flisnim, nuk donim të flisnim apo nuk na lejonin të flisnim. “Vendbanime të arnautëve të besimit të krishterë në terrenin serb në kohët e kaluara kishte kryesisht nëpër qytete si Prishtinë, Vidin, Novi Pazar, Krushevac, Prokuplje, Nish dhe Çupri (Acta Bulgariae polissimum ecclesiastica (Monumenta spectantia historiam Slavorum Meridionalium, vol. XXIII, 339). Këta paskan pas qenë tregtarë dhe zanatlinj që erdhën në qytete ku kishte karakteristika katolike dubrovnikase. Por kishte edhe andej e këndej të shpërndarë nëpër fshatra të cilët qenkan larguar për ti ikur dhunës së bashkëfisnorëve muhamedan apo të shpërndarë nga vetë turqit për qëllime politike. Në të gjitha ato vende shqiptarët e krishterë si edhe të krishterët tjerë ishin të shkelurit e perandorisë. Pra larg kufirit të ngushtë të Serbisë me Shqipërinë paska pas pasur shqiptarë e edha të krishterë (Pohimi serb i një të vërtete e cila sa do që tentohej të fshihej ajo iu ikte nga klishetë e përgatitur për botën perëndimore).
Shqiptarët në Kaçanik paskan pas ardhur si plaçkitës në shek.. XVI-të ,të cilët i zënin pritë karavaneve dhe vritnin e plaçkisnin vetëm e vetëm për të plaçkitur e të përkrahur nga turqit.(?)”Fakte” ,”fakte” të atilla që edhe historianin më të kujdesshëm evropian e çojnë në drejtim të gabuar.
“Muhamedanët në gjysmën e shekullit XIX-të ia arritën t’i myslimanizojnë serbët katolikë (?) në rrethin e Prizrenit, Gjakovës dhe në disa vende të Kosovës, si dhe serbët ortodoks që u shqiptarizuan dhe u myslimanizuan në shekullin e XVIII-të.” Një shkrim i gazetës “Novine Çitalishta Beogradskog” nr.12.12 Mars 1848 shkruan:” Peshteri dhe Biori janë dy vende të vogla në mes të Shkodrës, Bijelo Poljes dhe Novi Pazarit, vende ku nuk ka pushtet, por vetëm me anë të forcës së fiseve jetojnë ,ka shtëpi ku janë nëse janë dy vëllezër njëri beson në Krisht e tjetri në Muhamed, njëri falet e tjetri kryqohet. Në disa shtëpi janë nga tre vëllezër dhe që të tretë mbahen për turq, kurse babën e kanë serb. Dhe kështu djemtë falën karsi i ati kryqohet “. Procesi i myuslimanizimit të derbëve ortodoks paska pas filluar vonë në këto anë dhe në kushte shumë të vështira
E vërejtët mënyrën e “vajtimit” serb karshi botës në shekullin e kaluar. Por sot ata çka flasin për ne? Zoti e di. Por e dinë edhe bashkëbiseduesit e serbëve, të cilët vetëm se pohojnë me krye duke i dëgjuar shpifjet serbe të cilat ende janë aktuale për botën.
E ne, a mundemi që me ndërgjegje të plotë të dalim para botës e të themi: jo, nuk është e vërtetë se çka thonë serbet për ne.? Ku po e dimë se çka po thonë serbët për ne? Posi me qenë aty: sjelljet tona flasin dhe dokumentojnë dhe s`ka nevojë të jemi aty.