Shumadinsko kollo

Opinione

Shumadinsko kollo

Nga: Sulejman Mehazi Më: 16 gusht 2021 Në ora: 18:43
Sulejman Mehazi

Është koha e “Shumadinsko kollos" në Shqipëri, jemi çmendur pas kësaj valleje. Këtë  valle të çuditshme nuk mund ta luajë çdo kush, nuk është e thjeshtë, e rëndomtë sikurse vallet tona të gjora popullore që dal nga dalë jemi duke i harruar fare.  Është valle e posaçme dhe speciale,  prandaj “Shumadinsko kollon” mund ta luajnë vetëm vallëtarët e posaçëm dhe special, të talentuarit sepse vetëm  ata e dinë fshehtësinë e kësaj valleje.

Dhe, për çudi dhe ne shqiptarët krenohemi me origjinën diskutabile të kësaj valle. Pse e themi këtë? Sllavët thonë se origjina e kësaj valle është e tyre, vallja e të dehurve,  e pijanecëve, valle e palogjikshme, pa karkter dhe pa mesazh të qartë, në anën tjetër shqiptarët me shumë dashuri e gëzim do e lozin këtë valle jo vetëm në Korçë, por edhe gjetiu, me emrin e "Srpska serenadës", kurse këta të Shqipërisë më vonë do thonë se kjo valle është e tyre me emrin “Vallja e Kajtushkës” të cilën valle e lozin dhe nëpër  festivale të ndryshme; dhe grekët me këmbëngulje i dalin zot kësaj valle, por edhe sërbët me “Zhikino kollo-n” e tyre. Sipas gjithë  kësaj na del se vallja e Pejnikollës, Pejdushkës, Katjushkës, Zhikino kollos, Shumadisko kollos, Pajtushkës do mbeten valle më te popullarizuar në Shqipëri.Janë valle shumë serioze  dhe integrale ballkanike e përzier me gra e burra, por jo të gjinisë lirike popullore  që luhet kryesisht  nga gratë e më pak burra, sikurse  vallja jonë rituale, “Lule manushaqe”, as valle dasme siç është ”Nusja jonë arbërore”, as  erotike siç është  ”Kërcimet e Logut”, as valle epike  që karakterizohen nga forca, burrëria (kanë vdekur burrat e sotëm), trimëria me karakter luftarak, por as valle lirike-epike shqiptare, po kjo është valle e Përdredhbythëve dhe e Përdredhkëmbëve. Hyjnë në grupin e  valleve dinake të politikanëve  intrigan, injoratëve kulturor, shkencor, letrar e artistik.

Të cilët janë hutuar mbas valles së "Shumadinsko kollos" e "Zhikino kollos" apo të "Pejnikollës" sa që nuk duan të dëgjojnë për  vallet tona  të bukura e të shkëlqyera popullore, edhe pse  shtiren se gjoja janë atdhetarë, por kot, sepse u ka humbur  vetëdija, mendja dhe shpirti kombëtar. "Shumadinsko kollot" e "Zhikino kollot" hyjnë në grupin e arteve të hamendjes, humbjes  dhe harresës së valleve tona, që me stilin, karakterin dhe porosinë e vallëzimit nuk e dimë ç`jemi,  ku shkojmë, nuk e dimë as drejtimin,  as qëllimin e as vetëdijen tonë kombëtare.

Pavetëdija jonë na  ka bërë që t`i duam vallet e këngët serbe të  Shumadinsko kollove, Zhikino kollove,  Pejdushkave, Pejnikollave, Pajtushkave dhe Katjushkave. Ky vallëzim i hamendjes  së  Shumadinsko kollos" është bërë pjesë përbërëse e jetës sonë psikologjike, sociale, familjare, politike, kulturore, letrare e kombëtare. Jemi ekstazuar e dehur  pas "Shumadinsko kollove" e "Zhikino kollove" serbe sa që jemi të detyruar ta luajmë jo vetëm në politikë, ekonomi, arsim e kulturë, por në çdo pore të jetës sonë, në ushqimet tona, në bisedat tona të pa logjikshme dhe të pa sinqerta, në lëvizjet tona  të frikshme e të pasigurta. Kështu që vallet sllave-serbe do bëhen  të natyrshme e të dashura, reale, kurse vallet tona artificiale, të pa dashura, e të pavlefshme.

Pafundësisht i kemi harruar vallet e traditat tona popullore, (politike), kulturore e artistike. Kemi hequr dorë tërësisht nga folklori ynë që është palca e qenies sonë shpirtërore e cila duhet të shfaqet nëpërmjet dashurisë. Kemi harruar vallet tona popullore duke lëvizur e vrapuar mbas valleve e këngeve serbe, me këto veprimet tona kemi tradhtuar shpirtin tonë kombëtar, duhet ta pranojmë nëse jemi të sinqertë. Duke refuzuar vetëveten, shpirtin, vallet tona, kemi refuzuar dhe gjuhën, kombin, qenien tonë, prindërit, vëllezërit dhe motrat tona të luftës, kemi refuzuar natyrshmërinë tonë për të ekzistuar. "Shumadinsko kollot" serbe janë armiqësore, shpikje për tradhti, kurse vallet tona popullore janë krijime hyjnore shqiptare. Prandaj mos t`i  harrojmë vallet tona, por të qëndrojmë dhe jetojmë me to, sepse ne kemi lindur me to, këto kanë lëshuar rrenjë në shpirtin tonë dhe me këto valle duhet të vdesim, s`kemi pse të ikim prej tyre. Kështu është shkruar nga Zoti, e jo nga udhëheqësit e valleve të Pejvuçiqave.

Siç janë të ngulitura pemët në tokë, ashtu janë të ngulitura vallet e këngët tona në shpirtin tonë me shumë dashuri.  Eh, sikur të kishim patur respektuar me sinqeritet, fisnikëri e bujari këngët e vallet tona, historitë tona, punët tona, politikat tona, kulturën tonë, dashuria dhe gëzimi nuk do të kishin fund. Për fat të keq  jemi dehur  e pasionuar mbas këngëve e valleve të Pejvuçiqave Pejnikollave e Pejdushkave e Pejgoranave.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat