Ftesa për Bregoviçin është politike

Opinione

Ftesa për Bregoviçin është politike

Skënder Buçpapaj Nga Skënder Buçpapaj Më 25 gusht 2021 Në ora: 00:08
Goran Bregoviçin

Nëse do të më kërkohej një përkufizim për “të ftuarin e Korçës”, Bregoviçin, ai do të ishte: Është një segment i kufizuar nga të dyja anët prej Ramës dhe Vuçiçit.

A mos po e bëjmë hero Bregoviçin?

Në debatin për “të ftuarin e Korçës” në një veprimtari komerciale të këtij qyteti jemi përfshirë të gjithë. Dhe doemos do të lindte edhe pyetja: A mos po e bëjmë hero?

Përgjigja është lehtësuese: Jo! Sepse ai është tashmë zyrtarisht Hero i Popullit i Serbëve, pra, ai vjen në këtë veprimtari si hero i popullit të tij. Ai është fare i freskët nga marrja e Urdhrit të Yllit të Karagjorgjeviçit, dekretuar e dorëzuar nga presidenti Aleksandër Vuçiç. Lexojmë te zëri përkatës enciklopedik se ky urdhër është dekorimi më i lartë civil dhe ushtarak i Serbisë. U themelua në Mbretërinë e Serbisë dhe fillimisht iu dha ekskluzivisht qytetarëve serbë në këmbim të shërbimeve të kryera ndaj monarkisë serbe, popullit serb dhe shtetit serb. Gjatë Luftërave Ballkanike dhe Luftës së Parë Botërore, Urdhri u dha kryesisht për aktet e trimërisë në fushën e betejës. Mbretëria e Jugosllavisë e pasluftës e mbajti Urdhrin dhe u dha nga qeveria jugosllave në mërgim deri në fund të Luftës së Dytë Botërore, në disa raste individëve që bashkëpunuan me fuqitë e Boshtit. Jugosllavia e Titos e zëvendësoi me Urdhrin Hero i Popullit. Gjatë Luftës së Ftohtë është dhënë nga familja Karagjorgjeviç në mërgim. Pas shpërbërjes së Jugosllavisë, Serbia pushoi së përdoruri shumë nga çmimet dhe dekoratat e vendosura gjatë periudhës komuniste. Dhe vetëm në vitin 2010 Qeveria Serbe rivendosi zyrtarisht Urdhrin e Yllit të Karagjorgjeviçit si dekorata më e lartë e Serbisë. (Më herët kjo dekoratë ishte rivendosur në Republikën Serbe të Bosnjës dhe iu ishte dhënë eksponentëve të tillë si Arkan, Zhujiç e tjerë.)

Pa përmendur figurat e tjera, për të kuptuar pak më mirë vlerën e këtij dekorimi, po shtoj se, pas rivendosjes nga Boris Tadiç, ylli i këtij urdhri më parë është varur dhe ka rënduar në qafën e Novak Gjokoviçit, numër një i tenisit botëror, i njohur edhe si promovues i zellshëm e i flakët i çështjes së popullit të tij, do të mjaftonte për këtë qoftë edhe refreni në gojën e tij “Kosova është Serbi”. Pastaj u var në qafën e Ljubisha Dikoviçit. Në zërin përkatës enciklopedik të tij thuhet se, pasi ky u emërua Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Serbisë më 2011, OJQ -ja “Qendra për të Drejtën Humanitare” me qendër në Beograd publikoi dy dosje – Dosja “Ljubisa Dikoviç” më 2012 dhe Dosja “Rudnica” më 2015. Të dy dosjet ofrojnë dëshmi se njësia që komandoi Dikoviç – Brigada e 37 -të e motorizuar e Ushtrisë Jugosllave – kreu krime lufte kundër civilëve shqiptarë gjatë luftës në Kosovë. Të dy dosjet ofrojnë fragmente të dokumenteve autentike ushtarake, përfshirë urdhrat dhe raportet luftarake të nënshkruara nga Ljubisha Dikoviç. Është varur edhe në qafën e Vojisllav Sheshelit. Pastaj në qafën e shkrimtarit nobelist Peter Handke, adhurues i hapur i Millosheviçit e tjerë.

Të nesërmen e dekorimit, në faqen e tij në instagram, Goran Bregoviç shkruante: “Yesterday, I’ve been honoured to receive the Order of Karadjordje’s Star of the First Degree for extraordinary merits in the representation of the Republic of Serbia and the achieved results in the art of music.” (“Dje unë jam nderuar duke marrë Urdhrin e Yllit të Karagjorgjeviçit të Shkallës së Parë për merita të jashtëzakonshme në përfaqësimin e Republikës së Serbisë dhe për rezultatet e arritura në artin e muzikës.”) Ky është motivacioni i dekorimit. Pra, atij i njihen dhe i vlerësohen zyrtarisht në shkallën më të lartë, së pari, meritat e jashtëzakonshme në përfaqësimin e Republikës së Serbisë dhe, së dyti, i njihen dhe i vlerësohen zyrtarisht arritjet e tij në artin e muzikës. Dhe shpallet zyrtarisht hero i popullit i serbëve. Kjo është lartësia me të cilën ai do të vizitojë Shqipërinë dhe do të këndojë në veprimtarinë komerciale të këtyre ditëve në qytetin e Korçës. Ai vjen tek ne si hero i shpallur i popullit i serbëve. Sado ta debatojmë këtë ardhje, sado të merremi me figurën e tij, nuk kemi si ta ngremë më lart se ku e kanë ngritur. Dhe jam i sigurt se presidenti aktual i Shqipërisë nuk e shpall hero të popullit të shqiptarëve.

Dvojniku i Ramës

Dvojniku është një dukuri e personalitetit të njeriut e cila gjen pasqyrim për herë të parë si e tillë në romanin përkatës të Fjodor Mihajlloviç Dostojevskit, botuar fillimisht më 1846 në një revistë letrare, rishikuar dhe ribotuar si libër më 1866. Heroi i romanit, Jakov Petroviç Goljadkin njihet rastësisht me një njeri që i duket si vetja. Goljadkini i madh ka zili për gjithçka Goljadkinin e vogël, saqë kjo i shndërrohet në patologji. Anglezët e botuan romanin me titull “The Double” (Dyfishi), të tjerë e botuan me tituj më të përafërt me kuptimin “Kopja”. Italianët e botuan me titullin “Sozia”. Falë zbulimit letrar të Dostojevskit, kjo temë shtegtoi edhe në letërsinë evropiane të kohës. Dvojniku, dyfishi, kopja, sozia, u shndërrua në metodë studimi në estetikë, filozofi, sociologji, psikologji e tjerë kryesisht për të hetuar fatin e personaliteteve me identitet të dyfishtë a të shumëfishtë, të cilët në jetë tërhiqen për hunde nga vetvete të dyta të përfytyruara. Shpesh fati i personazheve jo vetëm në letërsi, por edhe në jetë gjen shpjegim nëpërmjet marrëdhënieve të tyre me binjakun, me vetveten e dytë, me kopjen, shëmbëllesën shpirtërore, marrëdhënie të cilat lindin nga kureshtja dhe, sa janë të thjeshta në fillim, ndërlikohen, bëhen sëmundje me kalimin e kohës.

Në zërin enciklopedik të Bregoviçit, te mestitulli “Nderime dhe çmime” janë vetëm marrja e një kopjeje të çelësit të qytetit të Tiranës më 31 qershor 2006 nga Edi Rama dhe Urdhëri i Yllit të Karagjorgjeviçit marrë kohët e fundit nga Aleksandër Vuçiçi. Me rastin e vizitës në Shqipëri, kur mori kopjen e çelësit të kryeqytetit shqiptar, ai dha koncert në Pallatin e Sportit të kryeqytetit shqiptar. Në radhën e parë të fansave që ndoqën koncertin, fare në qendër, është vetë Edi Rama. Edhe atëherë Kosova reagoi me shqetësim ndaj këtij vlerësimi që i bëhej Bregoviçit në Shqipëri, sepse krijimet e tij ua kujtojnë ditët më të zeza, kur ato i këndonin paramilitarët dhe militarët e Millosheviçit.

Bregoviçi e përshkruan veten si njeri me identitet të shumëfishtë. Dhe përmend tri identitete: është kroat nga babai, është serb nga nëna, është boshnjak (mysliman) nga gruaja, prandaj, sipas tij, ai “nuk është mjaft serb për të qenë serb, nuk është mjaft kroat për të qenë kroat, dhe madje nuk është mjaft boshnjak për të qenë boshnjak”. Meqë është lindur dhe rritur në Bosnjë, do të ishte e natyrshme që të ndihej më shumë boshnjak, ta mbante për atdhe Bosnjën, veten ta mbante për atdhetar boshnjak dhe të kishte më shumë detyrime ndaj Bosnjës e boshnjakëve se ndaj të tjerëve. Por jo. Meqë babain e kishte kroat, mund ta ndiente veten më shumë kroat. Por jo. Madje për babain kujton se ai ishte alkoolist, grindavec dhe u divorcua nga e ëma e këngëtarit, kur ky ishte 10 vjeç. Nëna është figurë vendimtare përcaktuese për Bregoviçin, ashtu si edhe për Ramën.

Pas luftës së Bosnjës, Bregoviçi ka thënë se ai “mund të jetë vetëm jugosllav”. Kjo është mungesë çiltërsie, madje është demagogji. Bregoviçi e ka shpallur veten “jugonostalgjik”. Ky është identiteti i katërt i tij.

Ramës duket se fillimisht i kanë ngjallur kureshtje pikërisht identitetet e Bregoviçit. Sidomos pas martesës aktuale, atë e kemi dëgjuar shumë shpesh të shpallet si model i harmonisë së tri identikeve: është vetë katolik (pagëzuar nga gjyshja shkodrane), ka prindër ortodoksë, ka gruan myslimane. Gjatë karrierës së tij politike, Rama ka realizuar tri identitetet e përbashkëta me Bregoviçin. Ende identiteti i katërt ka mbetur i parealizuar, ka mbetur ëndërr, me sa duket, i mbajtur fshehur që nga adoleshenca.

Artisti dhe politika

Bregoviçi u formua më herët në politikë se në art. Ai militoi në Lidhjen Komunistëve të Jugosllavisë që më 1971, njëzet e një vjeç, kur studionte në Shkencat Politike në Sarajevë. Në vitet 1970, tashmë roker i njohur në federatë, ai shpesh shprehte publikisht mbështetjen e tij për komunizmin dhe rëndësinë e të qenit aktiv në parti.

Kishte rreth njëzet vite vjetërsi në Lidhjen e Komunistëve më 1990, kur shprehu publikisht mbështetjen për partinë e kryeministrit të fundit të federatës, Ante Markoviç, që kishte program ruajtjen e Jugosllavisë nëpërmjet reformimit të brendshëm të saj. Bregoviç mori pjesë në fushatë zgjedhore dhe vuri në mbështetje të saj talentin e tij artistik. Markoviç, pavarësisht mbështetjes që pati në Bosnjë nga Bregoviçi, Kusturica (njeriu më i afërt i të cilit është Bregoviçi) e famozë të tjerë, humbi tejet thellë edhe në Bosnjë. E kësaj kohe, ende pa filluar luftërat e Kasapit të Ballkanit, është thënia e Bregoviçit, tashmë e provuar si profetike, se “Millosheviçi do të na kthejë 100 vite mbrapa”. Për këtë thënie ai u rrah keq nga autorë të panjohur. Edhe ky pësim politik shënon një rrethanë të përbashkët me atë që ka përjetuar Edi Rama në fillimet e politikës aktive.

Siç deklarohet pas luftërave dhe shpërbërjes së federatës, Bregoviçi mbetet Jugonostalgjik. Më 2009, u shpreh: “Jugosllavia është kryqëzimi i shumë botëve: ortodoksë, katolikë, myslimanë. Me muzikën, nuk kam pse të përfaqësoj askënd, përveç vetes – sepse flas gjuhën e parë të botës, atë që e kuptojnë të gjithë: muzikën.” Por duket se për politikën ai e tradhton artin, për politikanin e tradhton artistin. Nostalgjia për Jugosllavinë e bashkon me Aleksandër Vuçiçin, i cili e bëri Hero të Popullit të serbëve, Yll të Karagjorgjeviçit të serbëve, e bashkon me Edi Ramën, i cili ia dha kopjen e çelësit të kryeqytetit të Tiranës.

Dihet se federata e dikurshme, edhe si Mbretëri Serbo-Kroato-Sllovene, edhe si Jugosllavi e Titos, edhe si Jugosllavi e Millosheviçit, edhe si Federatë Serbi- Mali i Zi ishte thjesht një eufemizëm për Serbinë e Madhe. Jugosllavia ishte produkt i politikës së Evropës Plakë, ishte sponsorizim i Rusisë cariste për hegjemonizmin serbomadh në Ballkan. Dhe çdo nismë për ta klonuar federatën do të jetë vetëm një eufemizëm tjetër për Serbinë e Madhe, çdo orvatje, çdo ëndërr, çdo përpjekje, çdo projekt për ta rikthyer Jugosllavinë, pjesshëm apo tërësishëm, është në shërbim të rikthimit të serbocentrizmit në politikën evropiane, perëndimore dhe ndërkombëtare sot.

Gjatë luftës Bregoviçi jetoi kryesisht në Beograd dhe pjesërisht në Paris. Vetëm pas luftës ai u rikthye në Sarajevë dhe tash jeton në trekëndëshin Beograd-Paris-Sarajevë.

Bregoviçi ka shmangur kritikat ndaj Millosheviçit, çka e bashkon me Vuçiçin i cili ka deklaruar publikisht se përcaktimi i Millosheviçit për të mos lejuar shpërbërjen e federatës ishte i drejtë, por mënyra për ta realizuar atë nuk ishte e duhura. Dhe ka marrë përsipër para serbëve që ta realizojë paqësisht atë që Millosheviçi dështoi me luftë. Edhe Vuçiçi, duke e bërë Hero të Popullit të Serbëve, në kulmin e ëndrrës së tij të kamufluar me “Minishengen” apo “Ballkani i Hapur”, edhe Rama duke e thirrur edhe në veprimtarinë komerciale në Korçë, gjejnë te ai pikërisht mishërimin më të gjallë të nostalgjikut të Jugosllavisë, rrjedhimisht të Serbisë së Madhe. Ata duan t’ia shesin opinionit Bregoviçin si emblemë të Ballkanit, meqë ky muzikën cigane e përzien me motive të tjera orientale ballkanase.

Në festivalin e Korçës Bregoviçi vjen si i ftuar i Ramës. Vjen si njeri politik. I tillë ish kur këndonte Kallashnikovin, edhe kur mbante koncert kundër NATO-s në Selanik më 1999, edhe kur mbante koncert në Krimenë e aneksuar nga Rusia, edhe kur shmangte distancimin nga përdorimi i këngës së tij si himn të formacioneve serbe në Bosnjë e tjerë.

“Kallashnikovi” i tij jo më kot është më i përmenduri i krijimtarisë së tij të pasur. Sepse ai shpreh thelbin e artit të Bregoviçit, ku shquhen ritmet e shfrenuara, çjerrjet shurdhuese, zhurmat artificiale. Ai përsërit “Kalashnikov, Kalashnikov, Kalashnikov, Kalashnikov, Kalashnikov” dhe “Boom, boom, boom, boom, boom; Boom, boom, boom, boom, boom Boom, boom, boom, boom, boom”, “ja hopaaa”, “jurish” gjatë gjithë këngës.

Ka të ngjarë që Rama, kur vizaton e mban në veshë pikërisht Bregoviçin. Kjo duket të jetë një nga çoroditë e shumta që i bashkon me Ramën e që meritojnë trajtime të veçanta.

Përveç nostalgjisë për Jugosllavinë zor se mund të gjesh ndonjë arsye tjetër madhore për se Bregoviçi vjen në Korçë. As para se të merrte kopjen e çelësit të Tiranës, as më vonë ai nuk ka bërë asgjë për Shqipërinë, për shqiptarët, për kulturën shqiptare. Projektet e tij artistike ai ka kryer me grekë, me serbë, me turq, italianë, francezë e tjerë, por asnjërin prej tyre me shqiptarët.

Kopjen e çelësit të Tiranës ai e shpërblen me mirënjohje tipike kur e rendit Nënë Terezën si një ndër figurat më të shquara rome në bote. Kujtojmë këtu se Bregoviç i vesh vetes si artist identitetin rom (cigan).

Përulja e Ramës ndaj Bregoviçit është tipike përulje ndaj dvojnikut të tij prej kohës kur, si fëmijë i periferive të Bllokut, kryeministri aktual ndiqte programet televizive të Jugosllavit. Do thënë këtu se Jugosllavi (televizioni) në shumë zona të Shqipërisë ndiqej edhe pa antena, ndërsa në Tiranë ndiqej lehtësisht me antena. Rrugët e kryeqytetit shqiptar, në një çast të caktuar, si me buton, shkretoheshin, sepse kryeqytetasit shkonin për të shikuar programe të veçanta televizive.

Vështirë të gjejë shpjegim tjetër inferioriteti i Ramës ndaj Bregoviçit, kur kryeministri i Shqipërisë, prej 24 vjetësh në pushtet e prej 31 vjetësh në politikën aktive, nisur nga statistikat e internetit është dymbëdhjetë herë më i famshëm se i ftuari i tij në festivalin e Korçës. Ndërsa Vuçiçi, sipas këtyre statistikave, është dhjetë herë më i famshëm se Bregoviçi.

Sindromi i fëmijës së periferive të bllokut

Nga ata fëmijë të çmeritur të Bllokut dhe të periferive të tij, që iu ka mbetur i rrënjosur në tru Bregoviçi dhe Jugosllavi i viteve 1970 e 1980 mund të jetë kryeministri aktual i Shqipërisë.

Teksa debati për të ftuarin e tij arrinte kulmin, Rama, duke menduar pabesisht se debatin prapa debatit për Bregoviçin qëndron Prishtina zyrtare, përdorte pritjen që iu bënte medalisteve të arta olimpike të Kosovës, për të shtuar trysninë ndaj udhëheqjes në Prishtinë që të përfshihet në nismën Vuçiç – Zajev – Rama, të Mini Schengen apo Open Balkans.

Emblema e këtij Ballkani të Hapur është Goran Bregoviçi, siç e shënova në krye të shkrimit, i kufizuar nga të dyja anët prej Ramës dhe Vuçiçit, këtyre nostalgjikëve të Jugosllavisë, alias Serbisë së Madhe.

Ftesën për Bregoviçin e bën kryekëput politike qoftë edhe vetëm fakti se Rama, me këtë ftesë ia bën provokimin e radhës Kosovës.

Bregoviç vjen si i ftuar nderi më 22 gusht në Korçë. Të ftuarit e nderit kanë protokoll të veçantë, i cili nuk bëhet së paku pa dijeninë e ministrisë së Jashtme të Shqipërisë. Dhe për këtë protokoll nuk është bërë fare transparencë. Fillimisht, për shembull, u tha se ai do të këndojë para publikut nën qiell të hapur. Pastaj u tha se do të këndojë me bileta në sallë. Prandaj në Kosovë janë veçanërisht të shqetësuar, sepse, pas kopjes së çelësit të Tiranës, mund të bjerë në duart e Bregoviçit edhe kopja e çelësit të Korçës a kushedi çfarë befasie tjetër idilike i ka rezervuar dvojnikut të tij Edi Rama.

I ftuari i Ramës do të këndojë në veprimtarinë komerciale, por, në vend se t’i bëjë reklamë një produkti në qendër të veprimtarisë, pa dyshim, i bën antireklamë Korçës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat