Dallimi në mes doktorit dhe mjekut

Opinione

Dallimi në mes doktorit dhe mjekut

Nga: Beqir Elshani Më: 25 gusht 2021 Në ora: 10:05
Foto ilustrim

Në FGjSh shembujt e fjalive bisedore për emrin “DOKTOR”: Mëson për doktor. U bë doktor. U vizitua te doktori. Doktor i zemrës (i syve, i veshëve), në vend të fjalës “doktor” duhet shkruar “mjek”: “Mëson për mjek. U bë mjek. U vizitua te mjeku. Mjek i zemrës (i syve, i veshëve)”. E do rregulli që në gjuhën shqipe të përdoret fjala e qëlluar dhe e kuptueshme mjek, që edhe ashtu është rrënjë e fjalës mjekësi, mjekoj dhe mjekim, që për bazë ka shërimin e të sëmurit. Prandaj me të drejtë shembulli i këtyre fjalive vendin e kanë tek rrënja emërore “MJEK”. Fjala “DOKTOR” (shkurt. Dr.) quhet personi që në studime pasuniversitare ka marrë diplomën e doktoratës. Populli e nderon mjekun zyrtar, të cilin e quan “doktor”, ngjashëm siç e quan pedagogun “mësues”, mirëpo nuk do të thotë se ai është doktor i shkallës së lartë shkencore, ashtu siç nuk do të thotë që pedagogu është mësues me shkollë të mesme. Konkretisht, nëse ime më thotë “Po shkoj te doktori”, mirëpo bashkëshortes sime i tregoj që mëma shkoi te mjeku. Vlen të përmendet se shkrimtari frëng, Gi dë Mopasan, mjekun e quan ”njeriu i shëndetësisë”, domethënë njeriu që kujdeset për shërimin e të sëmurëve. Me emrin “doktor” dhe “mësues” nderohen edhe njerëzit e ditur në fushën e caktuar, psh. për mjeshtrin që riparon radioaparatet quhet “doktor i radioaparateve”, bibliotekari që e njeh veprimtarinë bibliotekare quhet “doktor i bibliotekës”, bujkun që një kohë të gjatë merret me vreshtari quhet “doktor i vreshtit” e të ngjashme. Edhe po të jetë mjeku doktor shkencave të mjekësisë, prapëseprapë quhet mjek, ngjashëm siç quhet doktori i shkencave albanologjike profesor. Gjithashtu, edhe profesori që jep mësim në shkollën fillore quhet mësues.

Sipas FGJSh fjala specialist domethënë njeriu që ka njohuri të posaçme dhe të thelluara në një degë të shkencës, të teknikës, a të mjeshtërisë; ai që punon në fushën e një specialiteti, siç janë specialist i syve, i veshëve, fytit dhe hundës, i mushkërive, i lëkurës, i bletës, i ushtrisë etj. Siç dihet në gjuhën shqipe gjenden me dhjetëra kompozitat që janë formuar me parafjalën “mbi” që shënojnë sendin, dukurinë, veprimin etj. psh.: mbifushë, mbikalim, mbikrah, mbilëkurë, mbishkrim, mbitokësor, mbitaksë, mbiklasor, mbinjeri, mbiçmoj, mbifuqishëm, mbiemër, mbijetoj, mbikëqyr, mbipunë, mbinjeri, mbivlerë etj. Prandaj i njëjti fjalëformim mund të zbatohet esdhe në terminologjinë e mjekësisë. Në vend të togfjalëshave “specialist i syve”, “specialist i veshëve, hundës dhe fytit, “specialist i lëkurës”, specialist i psikiatrisë, specialist i zemrës, shqip me anën e parafjalës “mbi” si parashtesë mund të përfitohet kompozita e plotë dhe e qartë “mbimjek”, psh. “mbimjeku i syve”, mbimjeku i veshit, hundës dhe fytit, mbimjeku i lëkurës, mbimjeku i psikiatrisë, mbimjeku i zemrës, mbimjeku i dhëmbit etj. Prandaj në vend të fjalisë togfjalështi ”Mjekët specialistë” mund të përdoret kompozita e qartë dhe kuptimplote ”Mbimjekët”, prej nga mund të dihet lëmi i caktuar i mjekësisë, pasi që edhe mjeshtërit e profesioneve të ndryshme quhen specialistë.  

Terminologji të ngjashme të përcaktuar mjekësore e ka edhe gjuha suedeze, siç është specialisti që udhëheq aktivitetin në veprimtarinë mjekësor në spital quhet “överläkare”, e cila është kompozitë e ndërtuar me fjalën “över”(mbi) dhe emrin läkare”(mjek) - shqip thuhet “mbimjek”. Jo vetëm që shqiptimi i fjalëformimit “mbimjek” është më i qartë, por është më i lehtë se shqiptimi i kompozitës suedeze “överläkare”. Sa i përket ndihmës mjekut, i cili është ndihmës pa përvojë në shërbimin mjekësor, mund të thuhet po ashtu me kompozitë nënmjek. Në anën tjetër, derisa në gjuhën shqipe janë formuar kompozitat: kryekomandant, kryemjek, kryemjeshtër, kryeqytet, ndihmësmjek, ndihmësministër, ndihmësveteriner, nënkryetar, zëvendëskryeredaktor, zëvendësministër etj, mund të formohen edhe titujt mjekësorë me parafjalët “mbi” dhe “nën”. Për habi në fjalorin e gjuhës shqipe përfshihen edhe kompozita jo vetëm me dy emra që janë të zakonshëm, por edhe me tre emra, siç është “zëvendëskryeredaktor”. Prandaj parashtrohet pyetja pse parashtesa mbi të mos zbatohet edhe në fusha tjera, siç është terminologjia e mjekësisë. Duhet pasur parasysh se shndërrimi i togfjalëshit në fjalë të vetme dhe të përcaktuar do të lehtësonte veprimtarinë gjuhësore, si në pikëpamje gojore ashtu edhe të shkrimit.

Ngjashëm sikur shqiptimi i fjalës isberg në aisberg po përhapet shqiptimi i fjalës hospitalizim që vjen prej (lat. hospitium; angl. hospitaliserad), që ka puptimin e shtrirjes së të sëmurit në spital (institucion shëndetësor për mjekim). Në FGjSh spital-i përdoret si emër i qendrës së posaçme me mjekë, me shtretër dhe me pajisjet e nevojshme ku mjekohen të sëmurët, kurse si mbiemër spitalor që lidhet me përkatësinë dhe gjendjen e spitalit. Prandaj pasi që emri spital me prejardhje latine përdoret në gjuhën shqipe propozoj që në vend të falëve hospitalizim, hospatalizohem dhe hospitalizoj të përdoret emri pa parashtesën (ho) spitalizim, kurse foljet vetvetore spitalizohem e kalimtare spitalizoj, ngjashëm siç përdoret folja strehohem/strehoj që vjen prej emrit strehim. Prandaj fjalia “Rritet numri i pacientëve të hospitalizuar” duhet të shkruhet “Rritet numri i pacientëve të spitalizuar”.

Në vazhdim, punëtori i bibliotekës sipas Drejtshkrimit të Gjuhës së Sotme Letrare quhet bibliotekar, mirëpo për shkak të eufemizmit njerëzit thonë “bibliotekist”. Dukuri që tregon mungesën e kulturës së të shprehurit në gjuhën shqipe, edhe pse rrënja e fjalës është “biblioteka”, kurse prapashtesa e të gjitha emrave është -r. Është për t’u habitur që emrin apotekë (lokal për shitjen e barnave) dhe apotekar, (punëtori që punon në apotekë), FGjSh nuk i përfshin, kur dihet që lloje të ndryshme e emrave të panevojshme turke janë përfshirë, siç është “tabiat”, që ka kuptimin e vesit. Prandaj, ngjashëm siç përdoret emri bibliotekë dhe bibliotekar duhet të përdoret edhe emri apotekë dhe apotekar, paralel me emrat farmaci dhe farmacist. Psh. suedezët thonë apotek dhe apotekarie, ndonëse barnatore suedisht del lekotek dhe lekotekarie.

Ndryshe me shtëpinë ku të sëmurët kërkojnë shërim, në suedishte thuhet sjukhuset që do të thotë (shtëpi e të sëmurëve) jo shtëpi e shëndetit. Në anën tjetër, në qendrën e mjekimit ka me dhjetëra njerëz që kurrë nuk kanë qenë te mjeku për vizitë, prandaj do të thotë se është jashtë përdorimit. Po të krahasohen dy shtëpi të kulturës dhe të shëndetit dallimi është se në pallatin e kulturës tregohet kultura, biblioteka, teatri, filmi, që shkohet me buzëqeshje për argëtime muzikore e aktivitete të ndryshme sporti e rekreacioni, përkundrazi të gjitha këto aktivitete i mungojnë qendrës për shërim. Në derën e automobilit shkruan Sjukhus transport, shqip përkthehet “Transport i shtëpisë së të sëmurëve”, jo ‘i shtëpisë së shëndetit’, prandaj me të drejtë duhet të thuhet Shtëpi e mjekimit ose Shtëpia mjekësore, ngjashëm siç quhet Fakulteti i mjekësisë. Emergjencë është fjalë me burim anglez emergency që do të thotë – ndihma e shpejtë, e ngutshme, ndihmë urgjente; emergjenca dhe siguri, emergjenca në Prizren, emergjenca e spitalit, situata emergjente. etj. Fjala neolatine attack me të cilën ndërtohet fjalia dëftore "Pësoi atak (infarkt) në zemër", shqip thuhet "pësoi sulm në zemër". Po të shikohet kjo fjalë në Fjalorin anglisht-shqip “heart attack” përkthimi i natyrshëm del: “sulm në zemër”.

Për terminologjinë e dhëmbëve

Lidhur me emërtimin e dhëmbëve të ngulitura në të dyja nofullat po jap një emërtim të terminologjisë mjekësore që është më natyral dhe më i kuptueshëm sipas emërtimit në gjuhën shqipe. Sipas radhitjes së dhëmbëve faqore, buzore dhe gjuhësore një FGjSh dhëmbët e parë quhen dhëmbët brejtës, për shkak se me dy dhëmbë të parë brehen pemët, në radhë vijnë dhëmbët e dytë që quhen dhëmbët anësor. Pastaj dhëmbët e tretë quhen dhëmbët e syrit, dhëmbët e katërt quhen dhëmbët e vegjël faqor, të pestët dhëmbët e mëdhenj faqor, pastaj vijnë dhëmballat e parë dhe dhëmballat e dytë, kurse të fundit quhen dhëmbët e pjekurisë.

Shih tabelën e dhëmbëve shqip – anglisht:  

Dhëmbët brejtës (Central incisor)  

Dhëmbët anësor (Lateral incisor)  

Dhëmbët e syrit (Canine)  

Dhëmbët e parë (First premolar)  

Dhëmbët e dytë (Second premolar)  

Dhëmbët e tretë (Third premolar)  

Dhëmballët e parë (First molar)  

Dhëmballët e dytë (Second molar)  

Veterinaei mjekon kafshët e sëmura 

Për lexuesin që dëshiron të di ç’është fjala ”veterinar-i”, sipas fjalorit terminologjik shpjegohet që veterinar quhet mjeku i kafshëve. Gjithashtu studenti që ka mbaruar Fakultetin e Veterinarisë, quhet ”veterinar”, jo ”mjek i veterinarisë”. Pastaj revista ”Mjekësia veterinare shqiptare” nuk duhet të ngatërrohet me mjekësinë, por duhet të quhet vetëm ”Veterinaria shqiptare”, kurse mjeku për shërimin e kafshëve duhet të quhet ”veterinar”, psh.: ”Po e çoj lopën te veterinari”, jo te mjeku veterinar apo te mjeku i kafshëve. Të thuhet mjeku veterinar është sikur të thuhet mjeku gjinekolog. Disa faqe elektronike duhet të turpërohen për kulturën gjuhësore, në shembullin e shkrimit Shtatzënia tek qeni, në të cilën vazhdon me të njëjta gabime terminologjike ”Cilat janë shenjat e para se qeni është shtatzënë?” dhe ”Periudha e shtatzënisë tek qentë zgjat mesatarisht 63 ditë”. Në të tria rastet shembujt e fjalive duhet të shkruhen me kuptim të qartë: Mbarësia tek bushtra, “Cilat janë shenjat e para se bushtra është mbarsë?” dhe ”Periudha e mbarësisë tek bushtrat zgjat mesatarisht 63 ditë”. Gabimi parë se qeni i gjinisë mashkullore nuk pjell, ndërsa e dyta, fjala shtatzëni përdoret vetëm për gratë shtatzëna, domethënë të qenies njerëzore. Me anën e këtyre shprehjeve autorët e shkrimeve shkelin etikën dhe kulturën e gjuhës shqipe. Për habi në këto shkrime askund nuk përmendet bushtra, që është femra e qenit, që pjell këlyshë, ngjashëm siç është pela ndaj kalit që pjell mëz. Prandaj të flitet për shtatzëninë e qenit apo të kalit, është humor.

Shtypja e lartë shqip dhe hipertensioni latin

Ka raste kur i sëmuri prej shqetësimit mjekut i drejtohet me përsëritjen e fjalës: “kam tension, shtypjen e lartë të gjakut”. Në këtë rast fjala latine tension, përndryshe fjalë e dytë e kompozitës hypertension që do të thotë shtypje e lartë, i përket profesionit që përdoret në fushën e mjekësisë, prandaj qytetarët duhet të shprehen në gjuhën amtare: “Kam shtypje të lartë të gjakut”, që është e kuptueshme dhe është pjesë e kulturës kombëtare. Dallimi në mes shprehjes hipertensioni dhe shtypja e lartë është se të parën e di përmendësh që i përket shtypjes së lartë të gjakut, nuk mund të di nëse është kompozitë prej dy fjalësh, kurse “shtypja e lartë” nuk mund të di për shkak s nuk përdoret.

Ngjashëm ndodh edhe me shtypjen e ajrit, në vend se të thuhet shtypja e ajrit thonë me përzierje latine: Tensioni i ajrit, me anën e së cilës shihet jo vetëm mungesa e fjalorit, por edhe mungesa e kulturës kombëtare. Mjekësia shqiptare nuk duhet të shprehet me fjalë latine, por me fjalë të kuptueshme shqipe, psh: shtypja e lartë e gjakut, analiza e gjakut, analiza e shurrës, analiza e jashtëqitjes, analiza laboratorike etj. Nëse mjeku të sëmurin e udhëzon shqip për analizën e shurrës, kryen shërbimin e tij sipas etikës mjekësore. Mirëpo nëse mjeku e udhëzon latinisht “kërkohet analiza e urinës” ose shpjegon për uljen e tensionit të gjakut, në këto raste mungon informimi i drejtë i të sëmurit. Nuk është mirë që i sëmuri të këshillohet: “Si bëhet ulja e tensionit të lartë të gjakut për pesë minuta”, por shqip: “Si bëhet ulja e shtypjes së lartë të gjakut për pesë minuta”. Prandaj këshilla e mjekut duhet të jetë në gjuhën shqipe, në mënyrë që i sëmuri ta kuptojë më mirë mjekun për gjendjen e tij shëndetësore. Dallimi në mes këshillës latine dhe shqipe është se e para është këshillë me hamendje, kurse e dyta është këshillë me logjikë.

Nëse mjeku shqiptar shkruan që pacienti ka hipertensionin apo “tensionin e lartë të gjakut, atëherë i sëmuri duhet të shkojë te noteri për komentimin e diagnozës mjekësore. Pa dyshim që fjalori terminologjik i mjekësisë zbatohet në mbarë mjekësinë ndërkombëtare, megjithatë shpjegimi i diagnozës mjekësore në vendet europiane bëhet në gjuhën amtare, prandaj i sëmuri informohet drejt. Pikërisht në shënimin e sëmundjes së mjekëve suedezë askund nuk figurojnë fjalët me burim latin hipertension ose högtension, por vetëm suedisht högtryck-lågtryck. Prandaj me anën e zbatimit të gjuhës amtare, mjekët tregojnë respekt ndaj etikës mjekësore, ndaj gjuhës kombëtare dhe ndaj popullit.

Për terminologjinë mjekësore të shtypjes së gjakut që disa njerëz e ngatërrojnë me latinishten duke quajtur ”tensioni i gjakut” dua të jap një zgjidhje të re. Në vend të shqiptimit prej tri fjalësh ”shtypja e lartë (e ulët) e gjakut mund të bëhet togfjalësh me anën e kompozitës së dy fjalëve ”shtypja e gjakut” dhe të quhet shtypgjaku, ngjashëm siç është kompozita shtypshkronja, psh. matja e shtypgjakut, prej nga do të dilte shtypgjaku i lartë (i ulët). Kompozitë të ngjashëm ka bërë edhe gjuha suedeze, e cila togfjalëshin ”blod tryck” e ka bashkuar në fjalë të vetme blodtryck, prej nga thuhet hög (låg) blodtryck. Për habi, FGjSh nuk e përfshin togfjalëshin shqip shtypja e gjakut, përveç fjalës së përzier latinisht-shqip tensioni i gjakut. Kjo më shtyri që terminologjisë mjekësore t’i jap një emërtim të qartë me kompozitë shqipe. Kërkoj falje prej lexuesve nëse gaboj rreth përcaktimit të terminologjisë mjekësore.

Në shembullin e fjalisë “pesha e lartë trupore dhe hipertensioni i gjakut” ka përzierje fjalësh: e para është shkruar shqip, e dyta latinisht, prandaj sipas kulturës gjuhësore duhet shkruar qartë e shkurt - shqip: “pesha e lartë trupore dhe shtypja e lartë e gjakut”. Jo vetëm kaq, sepse kur mjeku thotë tensioni i lartë i gjakut, kurse parashikuesi i motit shtypja e lartë e ajrit, pastaj tensioni i lartë (ulët) elektrik, njeriu fiton përshtypjen sikur fjalët kanë kuptime të ndryshme, edhe pse në të gjitha rastet duhet shprehur shqip shtypja e gjakut, e motorit, e ajrit, elektrikut, e atmosferës, e molekulës etj. Ndërsa në shembullin e fjalisë “ushtrojnë profesionin nën presionin dhe dhunën e vazhdueshme”, duhet shkruar ”nën shtypjen”, meqë fjala neolatine presion do të thotë shtypje, trysni, prandaj nuk thuhet presion atmosferik, por shtypje atmosferike, shtypja molekulare, shtypja e ujit. Mirëpo ne fushën administrative mund të thuhet bënte trysni, jo shtypje, meqë vetëm fjala neolatine ka shume kuptime, siç është shtypja, trysnia dhe ndikimi. E njëjta gjë ndodh edhe me fjalën e huaj “tensionuar”, e cila shqip shkruhet tendosur “situatë e tendosur ose e ashpërsuar”, “marrëdhënie të tendosura”, pastaj nuk thuhet “tensionimi i gjendjes (i forcave)”, por “tendosje e gjendjes (e forcave)”

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat