Ndoshta nuk më besohet, nëse sot do e rrëfej një të vërtetë të cilën babai im, Tahiri, ndjesë pastë, na e ka thënë troç para 40 viteve, derisa ishim ulur në oborr të shtëpisë, diku në prill ose maj të vitit 1981, e që ishte kohë e demonstratave të studentëve tanë, kur Kosova gjendej në shtetrrethim të plotë ushtarak nga ushtria jugosllave. Pra, kudo mbretëronte orë policore, lëvizjet ishin të kufizuara dhe shumë të rrezikshme për shqiptarët, çdo ditë dëgjoheshin krisma armësh, zhurmë makinash dhe tenkash ushtarake dhe policore, ndërsa qiellin e Kosovës e mbulonin aeroplanët e zi ushtarak të APJ-së, të cilët me shpejtësi marramendëse herë fluturonin gati për toke, sa që dukej se po na i rrëzonin pullazet e shtëpive tona që dridheshin nga zëri i fluturimeve, herë fluturonin rrëzë bjeshkëve të Podgurit, mbi Pejë e deri në Gjakovë, duke u kthye dhe bërë “Salto-mortale” me qëllim për ta frikësuar popullatën shqiptare!
Dhe, ashtu siç ishim ulur nën hije, babai im për një moment u ngritë në këmbë, duke ofsha thellë dhe duke na u drejtuar me fjalët; “Mbani mend çfarë po iu them, se pa fluturuar mbi qiellin e Kosovës aeroplanët e Amerikës, Kosova kurrë nuk do çlirohet nga Serbia..”!?
Ne që ishim prezent me babanë (5-6 veta), asokohe ishim ende të rinj në moshë dhe nuk e kuptonim se çfarë donte të na thoshte me ato fjali dhe me atë parashikimin e tij, ngase ne në atë kohë arsimoheshim në frymën e komunizmit, i cili ishte orientim kryesor i arsimit në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri si dhe vendet tjera lindore, dhe po ashtu nuk dinim shumë për Amerikën, përveç atë që dëgjonim nga lajmet që na servonin mediat e regjimit; se bëhej fjalë për një shtet të madh kapitalist përtej oqeanit Atlantik, pra për një shtet imperialist që e luftonte socializmin dhe komunizmin, ndaj ajo që dëgjuam nga prindi im në imagjinatën tonë ishte “vetëm” një dëshirë e tij, sepse të gjithë ishim të frikësuar nga rreziqet që po na kanoseshin çdo ditë nga policia dhe UDB-a jugosllave. Dihej pse, sepse demonstratat e studentëve tanë ishin shpallë zyrtarisht si “Kontra-revolucionare”, gjoja të drejtuara kundër popullit dhe rendit kushtetues të ish Jugosllavisë..!?
Prandaj, sa herë që më kujtohet porosia e babait tim, ajo me del përpara si një parashikim profetik i tij, por edhe si një vizion politik dhe nacional, të cilin e kam kuptuar më vonë, sepse ai, që nga themelimi Lëvizjes NDSH-së, ka qenë pjesë e saj, bashkë me patriotët, Rizë Zymerin, Mulla Zekë Bërdynën, Sylë Mehmetin, Bekë Tafilin, Haxhë Kerin, Isuf Dashin, Arif Rekën, Zhukë Haxhinë, Rashit Goranin, Zhujë Kerin, etj., të cilët me tërë qenien e tyre i përkisnin dhe kanë punuar për realizimin e idealeve nacional-demokratike shqiptare, pra të Programit të Djathtës së mirëfilltë, e njohur në historinë e re si Lëvizja për Independencë Kombëtare Shqiptare për bashkimin e gjitha trojeve etnike në Ballkan në një shtet të vetëm, e cila vazhdimësinë e saj idealiste-nacional-demokratike e bartte qysh nga LSHP-it (1878), nga idealet e “Vatra-s” shqiptare në Amerikë (1912) e deri te LDK-ja (1989) e presidentit Ibrahim Rugova.
Pra, sa herë më kujtohet porosia e babait tim, më dalin para syve aeroplanët e NATO-s të udhëhequra nga SHBA-të të cilët ngriheshin nga baza ushtarake AVIANO në Itali dhe duke e mbuluar qiellin e Kosovës fluturonin drejt Beogradit për t’i bombarduar caqet ushtarake të një shteti dhe regjimi kriminal, siç ishte Serbia. Një krijaturë fshiste e cila duke tentuar që t’i pushtojë tokat e huaja me dhunë, me qëllim për ta formuar Serbinë e madhe, vrau dhe masakroi mbi një milion kroatë, boshnjakë dhe shqiptarë të pafajshëm, duke bërë masakra monstruoze dhe krime kundër njerëzimit, që e gjithë kjo tragjedi do ta detyrojë botën e civilizuar dhe demokratike të Perëndimit, në krye me Amerikën, Anglinë, Gjermaninë, Francën, Italinë, etj., që ta bombardojnë dhe dëbojnë me turp nga Kosova ushtrinë dhe policinë gjenocidiale serbe, duke i shpëtuar 2 milion shqiptarë të Kosovës nga zhdukja e tyre etnike në Ballkan..!?
Ndaj, edhe dorëzim-pranimi sot i 55 automjeteve të blinduara ushtarake nga miqtë tanë amerikanë në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, në praninë e presidentes Vjosa Osmani, kryeministrit Albin Kurti dhe ministrit të mbrojtjes Armend Mehaj, më ktheu serish te thënia profetike e babait tim e vitit 1981 (e cituar më lartë), e që për fatin e madh të Kosovës dhe kombit shqiptar, me ardhjen e presidentit Joe Biden në krye të SHBA-ve në janar 2021, ajo sot po bëhet një realitet i gjallë, të cilit, më së shumti frikën ushtrisë së Kosovës do ia ketë Serbia fashiste dhe kriminale..!?
God Bless America !
Zot bekoje Kosovën dhe miqtë e saj perëndimorë !