Bazuar në ngjarjet politike dhe ushtarake në Ballkanin perëndimor, në Evropë dhe më gjerë në botë në 5-6 vitet e fundit, del i qartë konstatimi, se i gjithë njerëzimi, vet jeta e njeriut për shkak të pandemisë Covid-19, sistemet dhe rregullimet shoqërore-juridike, politikat rajonale dhe ndryshimet globale në planin gjeostrategjik botëror, ndryshimi i raporteve midis fuqive të mëdha botërore, etj., ke hyrë në një fazë (epokë) të re zhvillimesh, që pa dyshim, bartin rreziqe të reja për mbarë botën!
Pa hyrë më të thellë në analiza të ngjarjeve dhe ndryshimeve që po ndodhin çdo ditë në botë, mjafton t’i cekim vetëm disa nga ngjarjet më kryesore që kanë ndodhur gjatë viteve të fundit, duke filluar nga SHBA-të, si superfuqia më e madhe botërore, ku para katër viteve e gjysmë përmes ndërhyrjes ruse në zgjedhjet e vitit 2017 z. D. Trump do bëhet president i tyre, i cili siç dihet për katër vite gati sa nuk e izoloi Amerikën nga bota, përmes konceptit të ri egocentrik, “Amerika First” (Amerika së pari), duke shkaktuar ndarje politike, ideologjike dhe fetare të mëdha brenda popullit amerikan, të cilat në fund të mandatit të tij, për herë të parë në SHBA do ndodhin edhe protesta masovike që në fund do kulmojnë me sulme shkatërruese mbi ndërtesën e Kongresit amerikan në Kapitoll Hill, për shkak të fitores së “shtetit të thellë”, Joe Bidenit, si përfaqësues dhe krah i demokratëve pro-globalistë amerikan.
Ndërsa, Bashkimi Evropian (BE), në anën tjetër, edhe ashtu i përçarë dhe i dobësuar brendapërbrenda politikisht dhe ushtarakisht për shkak të largimit të Britanisë së Madhe, i mbetur pa përkrahjen politike dhe ushtarake të SHBA-ve për shkak të politikës “anti-BE” të presidentit, D. Trump, etj., në vend së të mobilizohej në forcimin e Evropës kundrejt sfidave të reja nga ana e Rusisë dhe Kinës, madje disa shtete anëtare të BE-së janë larguar dukshëm nga politika evropiane që krijohet në Bruksel, që pa asnjë dyshim, rasti më eklatant është mos aftësia e tij (BE) për udhëheqjen e dialogut Kosovë-Serbi, i cili qe 10 vite me fajin kryekëput të Brukselit po vendnumëron pa shënuar asnjë hap përpara..!?
Ndërsa, në Lindjen e Mesme pas luftës shkatërruese në Siri, ku u vranë mbi 2 milion civilë, pas dështimit të Rusisë dhe largimit të SHBA-ve nga ky teren i luftës 10 vjeçare, më pas lënia e çështjes së kurdëve e pazgjidhur, detyrimi që disa shtete arabe të bëjnë marrëveshje paqeje me Izraelin në dëm të popullit palestinez, i cili për 70 vite po vritet dhe dëbohet nga tokat e tij të garantuara me rezolutën e KS të OKB-së 242 (1967), largimi nga Turqia si anëtare e NATO-s, etj., të gjitha këto ngjarje dhe ndryshime në skenën gjeostrategjike botërore, përfshirë këtu edhe tërheqjen amerikane nga Afganistani, sipas shumë analistëve, kanë ardhur si rezultat i rritjes së ndikimit të Kinës në Azinë dhe Lindjen e Mesme, por edhe në Evropë.
Ajo që ne shqiptarëve na intereson më së shumti, është pa dyshim, çështja jonë ende e pazgjidhur kombëtare, sepse si komb dhe popull jetojmë ende të copëtuar në 6 shtete, pra përveç rrezikut serb i cili në mënyrë permanente Kosovës dhe kombit shqiptar po vazhdon t’i rrinë si shpata e Demokleut mbi kokë, kur regjimi fashist i Serbisë çdo ditë po na kërcënon me sulme ushtarake dhe ripushtim të Kosovës, e them me bindje të plotë, se fati ynë i vetëm, siç ka qenë disa herë gjatë shekullit 20-të, është dhe do mbetet për shumë dekada, forcimi dhe ruajtja e miqësisë dhe bashkëpunimit tonë të përhershëm me miqtë tanë amerikan dhe SHBA-të, siç thoshte me ngulm presidenti ynë historik, Dr. Ibrahim Rugova.
Për fatin tonë, ashtu siç na shpëtuan në vitin 1999 nga gjenocidi serb dhe zhdukja jonë kolektive, ashtu edhe sot, me përkushtimin dhe prezencën e tyre diplomatike, dhe ushtarake në Kosovë (armatimi i FSK-së) dhe Shqipëri, janë garanti i vetëm për sigurinë tonë nacionale dhe fizike si popull dhe si komb me dy shtete shqiptare në Ballkan. Andaj, ata të cilët nuk e shohin dhe pranojnë këtë realitet historik, atë të cilët e mohojnë dhe e nënçmojnë rolin dhe ndihmën e miqve tanë amerikanë përgjatë historisë sonë tragjike, ose janë politikanë të verbër, ose zemra e tyre ende rreh për Moskën dhe Beogradin, ngase arsyetim tjetër nuk mund të kenë..!?