Njerëzit e pëlqejnë këtë lloj lule edhe pse nganjëherë edhe trëndofili jep mesazhe kontraverse, kur e kuqja kombinohet me të bardhën, apo me të zezën, por shumica e njerëzve e përvetësojnë emrin e trëndafilës, sikurse vjen edhe mbiemri i kryetares së Dhomave të Specializuara në Hagë, zonja Ekatarina Trëndafilova, e cila gjatë vizitës së saj në Kosovë, gjatë një konference fishkëllehet nga disa persona, të cilët ndoshta do të shprehin mos pajtimin e tyre.
Kryetarja e Gjykatës Speciale, zonja Trëndafilova, në pyetjen e gazetarët, se pse gjatë kësaj vizite që i bënë shtetit të Kosovës, i mban dy Konferenca, njërën në Prishtinë dhe tjetrën në Mitrovicë ? Mirëpo, zonja Trëndafilova, nuk dha ndonjë përgjigje të qartë se pse mban dy konferenca të tilla, apo edhe vetë kryetarja e kësaj Gjykate, nuk e ka të qartë rolin e saj, që po e realizon në Kosovë.
Nga informatat që jep zonja Trëndafilova, lidhur me zhvillimin e kësaj Gjykate në Hagë , përsëri mungon një sqarim i linjave dhe qëllimeve të kësaj gjykate për opinionin shqiptar kosovar, se pse, një Gjykatë e tillë Speciale, bëhet vetëm kundër një etnie, kur dihet botërisht se UÇK, e kishte në prioritet çlirimin e vendit dhe lirinë e popullit të vet, ndërsa kriminelët e regjimit serb, ata ishin shkaktarët e luftës dhe gjenocidit në Kosovë.
Secili qytetar i Kosovës, do të pyeste se, cilat janë qëllimet e kësaj Gjykate, e cila i gjykon njëherë autorët e krimeve të supozuara në Hagë, ku shumë prej tyre dolën të pafajshëm dhe tani pretendohet të gjykohen dhe rigjykohen të tjerët, apo (vetëm shqiptarët) në këtë rast nga radhët e UÇK-së, e cila në një mënyrë, sikur po e trajton drejtësinë në mënyrë anësore.
Është fakt se, nëse dikush nga radhët e kësaj ushtrie është i akuzuar për krime të bëra gjatë luftës dhe pas luftës në Kosovë, këto pasoja duhet ti bartin autorët e krimit, por drejtësia Ndërkombëtare në Hagë, është e mbushur përplot me dosje të shqiptarëve, sikur shkaktarët e gjenocidit në Ballkan, do të ishin vetëm shqiptarët e jo serbët dhe regjimi i tyre, që shkaktuan katër lufta njërën pas tjetrës.
Pse një Gjykatë e tillë nuk u krijua edhe në shtetin e Serbisë, aty ku është çerdhja e krimeve dhe kriminelëve, aty ku kriminelët shëtisin të lirë dhe mbajnë poste përgjegjëse në qeverinë e Serbisë, aty ku akoma njerëzit kryesor të qeverisë së saj përditë thërrasin dhe nxisin luftë, duke kënduar edhe këngë të « kthimit » në Kosovë.
Nëse duhet t’i besojmë kësaj Gjykate, sipas formulës së Bashkësisë Ndërkombëtare, do të ishte një zgjidhje e duhur edhe për shqiptarët, nëse do të gjykoheshin edhe kriminelët serb, por jo duke supozuar se shqiptarët ishin vrasës, atëherë çfarë është vizioni i kësaj Gjykate, kur dihet botërisht se shkaktarët e shumë luftërave dhe gjenocidit në Ballkan, ishin vetë serbët dhe Serbia, që humbën jetën me mijëra njerëz të pafajshëm me ç’rast as çereku i kriminelëve serb nuk është i dënuar për krimet e shkaktuara.
Padyshim se Kosova, ka pasur dhe ka nevojë për ndihmën e Bashkësisë Ndërkombëtare, për shkak të pasojave që ka shkaktuar lufta dhe krimet e Serbisë, po ashtu edhe krimet e supozuara nga vetë shqiptarët, kanë mundur ta bëjnë edhe Institucionet dhe ligjet e Kosovës, mirëpo, mosbesimi real në fuqinë e politikës zyrtare të këtyre institucioneve për një zgjidhje të drejtë dhe të pa anshme të problemeve në Kosovë, u pajtuam me mbikëqyrjen ndërkombëtare, të cilën e kemi menduar dhe ëndërruar ndryshe, por jo edhe në këtë mënyrë…
Duke u nisur që nga UNMIK-u, në vitin 1999 (The United Nacions Mission in Kosovo), i cili në bazë të Rezolutës 1244, kishte për qëllim të krijojë Institucionet e Kosovës, të mbështesë funksionimin e ligjeve dhe të koordinojë e mbrojë rendin dhe sigurinë e ligjit, po ashtu edhe të mbështesë edhe shumë shtylla të tjera të sigurisë dhe Institucioneve tjera në Kosovë, mirëpo, gjatë këtij Misioni të OKB-së, për 8 vite në Kosovë, sipas Raportit të Amnesti Internacional dhe Raportit të Panelit Këshillimor për të Drejtat e Njeriut, janë bërë shumë vërejtje dhe mangësi.
Një hetim më saktë do na çojë edhe në shumë dështime, veçanërisht në mungesën e mbrojtjes së kosovarëve shqiptarë, të cilët u vranë mbas lufte, duke mos hetuar si duhet autorët e vrasjeve, dhe në shumë raste ka bërë edhe shkelje të ligjeve, duke bërë edhe zhdukjen e shumë raporteve të hetimeve të rasteve që kanë ndodhur në Kosovë.
Dhe mbas UNMIK-ut, vjen EULEX-i, në Kosovë, i cili e trashëgon funksionin e tij nga i pari, duke vepruar nga viti 2009-2018, dhe më tutje deri me sot, ky Mision i trashëgoi shumë lëndë të pakryera nga misioni i parë, duke besuar se trajtimi i këtyre lëndëve do të përfundojë me një përkushtimin më të sinqertë të këtij misioni si dhe në bashkëpunim me prokurorët e gjykatësit vendor, sidomos trajtimi i krimeve të luftës, krimi i organizuar dhe korrupsioni.
Për dallim nga misioni i parë, Eulex-in, e kritikojnë edhe eurodeputetët në Bruksel, që japin vlerësimet e tyre negative në drejtim të tyre, përveç të tjerave, nuk janë të kënaqur me përformancën e këtij misioni në Kosovë, për shkak të mos arritjes së rezultateve konkrete, sidomos në aspektin funksional të ligjeve, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në Kosovë, të cilat e qojnë vendin në krizë të thellë, ndërsa taksapaguesit evropian paguajnë nga buxheti i vetë mbi 100 milionë euro në vit.
Kosova dhe populli i saj, padyshim se nuk e refuzoi asnjëherë përkrahjen e Misioneve ndërkombëtare, sepse mbështetja e tyre e ka luajtur rrolin kryesor në krijimin dhe fuqizimin e Institucioneve të shtetit të Kosovës, dhe nuk mund të konkludojmë se misioni i tyre do të konsiderohet i tëri i dështuar, por nëse kthehemi në anën tjetër, sikur këto misione do të kishin vepruar dhe kryer rrolin e tyre në mënyrë të sinqertë dhe me një përkushtim të dinjitetshëm në bashkëpunim me vendorët, posaçërisht në trajtimin e krimeve dhe vrasjeve të pas luftës në Kosovë, me siguri se nuk ka pasur nevojë me ardhë deri te Gjykata Speciale e ditëve të sotme, e cila krijohet vetëm për shqiptarë.
Mirëpo, në realitet dhe pikëpamje tjetër, që do mbështetet në faktorin vendor, i cili nuk e dëshmoi të tregojë besimin dhe përkushtimin real në udhëheqjen e drejtë të vendit të vet, duke udhëheqë me orekset e tyre të shfrenuara politike dhe aventuriere nga strukturat e dobëta të saj, të cilët erdhën në qeveri jo me meritë dhe dije, por përmes një zinxhiri dhe strukture njerëzore të pa edukuar dhe shkolluar.
Në këto rrethana koha e tregoi vetë se një strukturë e tillë në qeverisje, çfarë i sjelli për 20 vite Kosovës, duke e zhytur deri në fyt vendin në krim dhe korrupsion, prandaj do të gabojmë nëse i fajësojmë në tërësi të tjerët, kur vetë nuk tregojmë respekt dhe përkushtim ndaj vendit tonë. Nga kjo prizmë mund të përfundojmë se, edhe ndërkombëtarët të cilët erdhën për të na ndihmuar janë njerëz, që kanë ndjenja njerëzore dhe pasionet e tyre, të cilët shumica e tyre e gjetën terrenin e përshtatshëm në Kosovë, për të qenë edhe të pandërgjegjshëm, por, si do që të jetë, pasojat e të gjithave po i bartë popullata e këtij vendi.