Ajo që u fol për hapjen e arkivave ka vetëm një qëllim të kahershëm të Serbisë. Për të barazuar Kosovën me veten e saj, me krimet e gjenocidin nga forcat e saj ushtarake policore e paramilitare me UҪK-në, ndërsa qëllim i fundit është “pastrimi” i Serbisë nga akuzat për krim e gjenocid në Kosovë. Në arkivat e Serbisë nuk do të gjeni kurrë asgjë që do ta inkriminonte atë.
Sot, Serbia qenka bërë e mirë me Besnik Bislimin, për t’ja hapë arkivat e saj! Me qindra vite, Serbia e ka gënjeshtrën si ” virtytin më të mirë të saj, vlerë nacionale” (Qosiq!). Shtetin e ka bërë e zgjeruar përmes gënjeshtrave, përmes dhunës, gjenocidit e spastrimit etnik. Ka arritë ta mashtrojë e ta gënjejë tërë Evropën. Vetëm më 1999, në Kosovë i doli rrena në shesh, e pa tërë bota dhe intervenoi, ndërsa tani edhe atë që e pa tërë bota duan ta fshehin prapë. Jo vetëm për ta barazuar krimin, por për ta harruar dhe për ta dënuar Kosovën në vend të saj. Për të nisë fallanga të reja.
Besniku ka harruar ose nuk ka mësuar se ne ishim të okupuar e jo Serbia, nuk kishim shtet as politikë shtetërore shfarosëse kundër serbëve as Serbisë. Nuk e kemi atë politikë as tani kur kemi shtet, për dallim nga Serbia e cila edhe sot provon të njëjtat gjëra. Janë vrarë njerëz edhe në Kosovë, shqiptarë e serbë. Haga është plot me shqiptarë, me tërë eksponentët e UҪK-së për të zbardhur këto punë. Në Serbi, ai që ishte në krye të krimeve e gjenocidit shtetëror, Vuçiqi, është edhe sot në krye të Serbisë, po bisedon me ne, e ne me të. Për të ardhmen!
Në fund të fundit, çka ka kërkuar saktësisht Besnik Bislimi në takimin e fundit në Bruksel me përfaqësuesit e Serbisë, cili ishte qëllimi? A kanë kërkuar që Serbia të tregojë vendndodhjen e të zhdukurve dhe duke e detyruar të tregojë vendndodhjen e të pagjeturve, direkt do ta merrte vulën e krimit dhe pak më shumë, apo qëllimi ka qenë hapja e arkivave?! Me gjasë këta të VV-së kanë shumë qejf me ‘hallaktë” nëpër arkiva, mos po gjejnë diçka që mbase iu duhet atyre por jo edhe Kosovës. A janë kaq naivë apo qëllimshëm duan të jenë “besnik” e “korrekt” me Serbinë?! Nuk është kjo mënyra për t’i gjetë të pagjeturit, nëse ky ishte qëllimi. Përkundrazi, është mënyra më e lehtë për ta zvarritur pa fund e për të mos e zgjidhur asnjëherë këtë plagë aq të madhe të shqiptarëve.
Në fakt, në krejt këtë çështje nuk është as problemi çka do të gjejnë për UҪK-në apo kundër saj. Sepse nuk ka çka fshehet.
Problemi kryesor i marrëveshjes së Besnik Bislimit për “hapje të arkivave”, është se me këtë akt Serbia do të “pastrohet” nga krimet e gjenocidi kundër shqiptarëve. Me dorën tonë! Me dorën e Besnikut!
Prishtinë, 12 Shtator 2021