Pse Berisha @ Co. e sulmojnë Bashën

Opinione

Pse Berisha @ Co. e sulmojnë Bashën

Nga: Skënder Kapiti Më: 7 tetor 2021 Në ora: 12:47
Skënder Kapiti

Po të donte Berisha dhe ata të cilët sot janë përkrah tij , Basha nuk do të ishte zgjedhur Kryetar i Partisë Demokratike. Mirëpo sapo Berisha u shpall “non grata” nga SHBA, dhe sidomos për këtë arsye edhe Basha me të drejtë e përjashtoi Berishën nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, dhe pikërisht tani Berisha dhe kompania mbështetëse pas tij iu turrën e vërsulën Bashës me lloj-lloj akuzash e shpifjesh tipike nga ato që janë dëgjuar e thënë edhe në kohën e komunizmit kundër të ashtuquajturave grupe armiqësore antiPPSH e tradhëtare.

Kjo po ndodh pasi Berisha si ish-funksionar i lartë në radhët e Partisë Komuniste ka qenë shembull në përndjekjen e mendimit ndryshe  dhe për luftën e klasave.

Cilido po të kishte qenë Kryetar i PD-së do ta kishte ndërmarrë një veprim të tillë për përjashtimin e Berishës nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, dhe këtë do ta kishin bërë edhe ata të cilët duken dhe i shkojnë pas Berishës për ta mbështetur. Ata, madje do të ishin treguar shumë më të ashpër kundër Berishës se sa Basha, i cili po tregohen shumë i qetë, i matur, i urtë dhe mjaft i durueshëm e tolerant karshi ofensivës shpifëse, intriguese e hipokrite si dhe të një urrejtje e  agresivitet hakmarrës e lloj-lloj deri edhe ofendimesh e sharjesh kundwr tij.

Berisha ka menduar se duke qenë Basha Kryetar Partie, ai dhe PD do ta strehonin e mbronin politikisht Berishën duke iu kundërvënë edhe SHBA-ve, “non gratës” amerikane kundër tij.

Pra, Berisha @ company duke iu kundërvënë Bashës ata iu kanë kundërvënë SHBA-ve. Por me kalimin e ditëve Berisha vetëm sa do të izolohet dhe vetëm sa do të braktiset edhe nga mbështetësit e tij, sidomos ai do të braktiset nga ata të cilët po e kuptojnë se lëvizja antiBasha është një lëvizje kryekëput antiPD dhe antiSHBA për të mbrojtur Sali Berishën, pra është një lëvizje politike spekulative brenda PD-së e cila vetëm sa përçan demokratët mes tyre si dhe vetëm sa përçan shqiptarët me SHBA-të.

Me Bashën Kryetar, PD-ja po rritet dhe po largon  ‘fantazmat”, përfituesit, korrupsionin dhe spekulantët e interexhinjtë e PD-së .

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat