Ballkani Perëndimor ose “Terra incognita”!

Opinione

Ballkani Perëndimor ose “Terra incognita”!

Melihate Tërmkolli Nga Melihate Tërmkolli Më 7 tetor 2021 Në ora: 13:57
Samiti

Në Samitin e BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor, në Bërdo të Sllovenisë, edhe njëherë u konfirmua se BE nuk ka guximin që t’i pranojë shtetet e Ballkanit Perëndimor. Këtyre vendeve po u ofron për rreth dy dekada “perspektivë evropiane”. Derisa janë pjesë gjeografike e Evropës, perspektivën këtyre vendeve, si frazë dhe si synim nuk mund t’ua ndalë askush ashtu siç askush nuk mund t’ua ofrojë.

Janë dedikuar mjete të mëdha financiare nga BE për këtë pjesë të Evropës, por rezultatet nuk janë shumë të dukshme sepse “sistemi” i qarkullimit të parasë shpeshherë i ka kthyer ato mjete financiare atje nga kanë ardhur, nëse jo të gjitha, shumicën e tyre, po.

Anëtarët e BE-së e dinë mirë se si i kanë pranuar shtetet e Evropës Lindore dhe Qendrore “an block” me kritere e të arritura edhe më të pakta se sa që kanë sot vendet e Ballkanit Perëndimor. I pranuan për arsye politike, si interes i tyre. Po për arsye politike dhe të interesave nuk po i pranojnë vendet e Ballkanit Perëndimor. BE po e trajton këtë pjesë si “mall” për kusuritje në raportet mes vetë shteteve të BE-së dhe në raportet e tyre me SHBA-të e Rusinë.

Pa prezencën, rolin dhe ndikimin e SHBA-ve në Evropë dhe në këtë pjesë të Evropës, në Ballkan, peisazhi politik sot do të dukej pothuaj njësoj si në kohën e Kongresit të Berlinit, në Konferencën e Londrës etj. etj.

BE, me sa po duket, e konsideron interes të saj mospranimin e këtyre shteteve derisa të zërë pozicione të reja në raport me Rusinë dhe SHBA-të, të cilat kanë ndikime të mëdha në Ballkan, natyrisht me drejtime krejtësisht të kundërta,(SHBA-Perëndimi, Rusia-Lindja), pikërisht për shkak të “neglizhencës” evropiane ndaj tyre. Pa lënë anash edhe arsye tjera si, fetare etj.! Edhe ato historike, në veçanti të shqiptarëve, si popull në zanafillë të civilizimit evropian!    

Kjo në asnjë mënyrë nuk legjitimon projektin “Ballkani, ballkanasve”. Përkundrazi! Pavarësisht mospranimit nga BE-ja të vendeve të Ballkanit Perëndimor, ky projekt është antipod i saj dhe interesave të këtyre shteteve.

BE-ja, me sa po shihet, do ta mbajë këtë pjesë “varur” derisa të lodhen të dy palët nga njëra tjetra, ndoshta derisa nuk do t’i duhet pranimi në BE as shteteve të Ballkanit Perëndimor as vetë BE-së. Mbase, deri atëherë nuk do të ketë BE ose do të ketë një BE edhe më të fuqishme e cila do të “harrojë” fare se janë edhe disa shtete e disa popuj që e duan Evropën.

Deri atëherë, ne do të punojmë shumë për shtetin tonë, për veten tonë, me vlera e parime evropiane perëndimore të cilat pranohen e zbatohen në çdo rast, përveç nëse nuk janë në funksion të interesave tona shtetërore.

Perspektiva evropiane Kosovës i ofroi dy gjëra. Njëra, që premtimet nuk mbahen edhe po ta “falësh” krejt tokën e Kosovës dhe e dyta se parimet e vlerat si lëvizja e lirë etj. nuk vlejnë për të gjithë njësoj, së paku jo për dy milionë qytetarët e Kosovës

Interesi ynë madhor është lidhja e ngushtë me SHBA-të dhe me BE-në (kur na pranon!)

Me çdo kusht, prandaj e kemi vetëm forcimin e shtetit dhe kombit tonë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat