Indiferenca e BE-së ndaj Ballkanit dhe strategjia kërcënuese e Moskës

Opinione

Indiferenca e BE-së ndaj Ballkanit dhe strategjia kërcënuese e Moskës

Nga: Merxhan Jakupi Më: 2 nëntor 2021 Në ora: 15:33
Merxhan Jakupi

Diplomati dhe ish-ambasadori serb në Uashington dhe Bernë, Milan Protiç, në një deklaratë të tij për medie, lidhur me kërcënimet e liderit të Republikës Serbe të Bosnjë-Hercegovinës, Millorad Dodik, i cili ka trumbetuar me luftë, tha se s'është për të habitur nëse ky lider në të ardhmen paraqitet edhe me municion e jo vetëm me ekspozim verbal. Pushka e Dodikut e as e Vuçiqit nuk është e zbrazur, sepse ajo pushkë është e Putinit. Moska, duke e parë indiferencën e skajshme të BE-së ndaj Ballkanit, po vepron më me ngulmë dhe po kërkon efektin domino mes Beogradit dhe Banja-Llukës.

Në pyetjen e gazetarit se pse Putin e zgjodhi Dodikun dhe jo Vuçiqin, Protiç tha se Bosnja është një shtet i brishtë dhe aty mund të shkaktohen më lehtë trazirat. Dihet se Dodik është person non-grata për Perëndimin dhe është në "Listën e zezë" të SHBA-së, ndërsa Vuçiq është i ulur në disa karrige. Moska dëshiron që të jetë prezent në Ballkan, në fillim duke mbajtur pozitën e status-quosë. Po të ndodh lufta në Ballkan, Moska nuk do të ndërhyjë, por do të përdorë të njëjtën retorikë si në kohën e bombardimeve të NATO-s mbi Serbinë. Atëherë Sllobodan Millosheviqi shpresonte në ndihmën e pakursyer të vëllezërve ortodoksë, por kjo nuk ndodhi. Ai e thirri ambasadorin rus në Beograd dhe kërkoi ndihmë, por ky i tha që Rusia nuk mund të hyjë në një konflikt me një aleancë ushtarake siç është NATO. Edhe pse Rusia kohëve të fundit është forcuar shumë ushtarakisht, ajo, megjithatë, nuk do të hyjë në aventura të këtilla të çmendura, ka thënë Protiç.

Millorad Dodik, pas përfundimit të luftës në Bosnjë, i cili, asokohe, ishte vetëm një toger i ish-APJ-së, hyri në parlament me ndihmën amerikane, vetëm me 2-3 deputetë. Ai në fillim ishte i moderuar, properëndimor dhe aleat i SHBA-së, ngjashëm si Bin Ladeni, të cilin SHBA e dërgoi në luftë civile në Afganistan, për të luftuar kundër forcave sovjetike, por më vonë ky u bë njeriu më i rrezikshëm për SHBA-në. Kështu po ndodh edhe me Dodikun, i cili është shndërruar në lider anti-amerikan, duke u bërë pinjoll dhe vasal i Putinit. Dy liderët serbë, Vuçiq dhe Dodik janë autokratë, populistë dhe ultranacionalistë. Ata takohen shpesh, ushqejnë aspirata të njëjta për realizimin e projektit për "Serbinë e madhe". Dodik, pa mentorin e tij Vuçiqin, nuk mund të mbërrijë askund, andaj të gjitha direktivat i merr nga Beogradi.

RREZIKU NGA OPEN-BALLKANI

Serbia në dhjetëvjetëshin e fundit është bërë e fortë ekonomikisht dhe ushtarakisht, duke synuar të jetë lider në Ballkanin Perëndimor. Ky synim i Serbisë shkallmon projektin e dikurshëm "Serbia e dobët - Jugosllavia e fortë", që ishte aktuale në kohën e Titos. Duke u zhvilluar në dy rrafshe strategjike, ekonomikisht dhe ushtarakisht, Serbia nuk synon të mbrohet, por të sulmojë dhe të rrezikojë paqen në Ballkanin Perëndimor dhe në një rajon më të gjerë, madje duke proklamuar do farë "mini-shengenash" dhe "open ballkanesh", me të vetmin qëllim që ta forcojë unitarizmin dhe ekspansionizmin për kauzën e "Serbisë së madhe".

Ish-kryetari i fundit i Kryesisë së Federatës jugosllave, Bogdan Bogdanoviq, në fillim të luftës ka theksuar se Millosheviqi është një marionetë për shpërbërjen e Jugosllavisë, bashkë me ASHA-në e Serbisë. Ushtria e ashtuquajtur jugosllave dhe të tri kishat ortodokse serbe, sot kanë impakt politik në Memorandumin, kurse marioneta është zëvendësuar me Vuçiqin, ndërsa aktorët kanë mbetur të njëjtë, Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Serbisë, ushtria dhe të tri kishat.

* * *

Gazetari dhe moderatori i Studios FACE të Bosnjës, Senad Haxhifejzoviq, në një panel me gazetarin dhe publicistin, Zharko Kovaç, kanë komentuar për hartën e fundit dhe dokumentin non-paper, që është një projekt për përcaktimin e kufijve të rinj në Ballkanin Perëndimor. Zharko Kovaç ka konfirmuar se sipas Non-paper-it, dokumenti është një konstrukt dhe projekt i Memorandumit, me të cilin parashihet bashkëngjitja e Republikës Serbe me Serbinë dhe kthimi i Malit të Zi në një federatë me Republikën e Serbisë. Sipas këtij projekti, Serbia duhet të fitojë një territor të ri prej 26 mijë kilometrash katrorë. Lufta për territor mbetet gjeostrategjia e Serbisë dhe jo interesi që të gjithë serbët të jetojnë me një shtet. Për këtë, Serbia si kompensim do ta pranonte pavarësinë e Kosovës. Me këtë dokument parashihet formimi i "Serbisë së madhe", "Shqipërisë së madhe" dhe "Kroacisë së madhe", konstaton Kovaç.

Ç' FSHIHET PAS "BOTËS SERBE"

Disa historianë, intelektualë dhe disidentë konstatojnë se populli serb ka nevojë për një emancipim kolektiv. Serbët gjithherë kanë pasur  një egërsi politike, ata i kanë shndërruar prijësit e tyre në vojvodë, liderë, idhuj deri në nivel miti. Më 1989, në Gazimestan, Sllobodan Millosheviqi tuboi afër një milion serbë. Po ashtu, ky mashtrues i "revolucionit të jogurtit" bëri që pas tij serbët të shkojnë si kope bagëtish. Kjo sindromë e mentalitet ka një vazhdimësi që nga mesjeta dhe serbët janë të lodhur nga mitet, kultet dhe idhujt e rremë, andaj atyre u duhet një katarzë që të shërohen nga këto plagë shpirti. Serbët kanë nevojë për një emancipim, iluminizëm dhe kulturë e re që do të korrespondojë me atë të Evropës dhe të fqinjëve që dolën nga ish-federata, sikur që janë boshnjakët, shqiptarët, kroatët, malaziasit e të tjerët, ndaj të cilëve kanë borxh për një kërkim-falje. Por, kjo nuk ndodh. Ata së voni kanë dalë edhe me sloganin "Bota serbe", që është një vazhdimësi e hipotezave ultranacionaliste, duke nxjerrë hartat e mesjetës që e shpijnë në një errësirë të re. Kjo gjithsesi se duhet të ndalet. Pretendimet se serbët janë një komb superior, duhet të shuhen.

Kombi serb ka nevojë për një lidership të moderuar, pragmatik, një elitë e re politike, që do të kishte ideale dhe traditë liberale evropiane. Serbia ka intelektualë që mendojnë ndryshe dhe e duan Evropën si gjithë të tjerët. Por të gjithë ata që mendojnë kështu janë të rrezikuar dhe ata gjejnë shpëtim duke ikur nga vendi, ndërsa të tjerët janë nënshtruar ndaj diktateve. Ndërkaq, liderët e elitës së korruptuar përpiqen ta mbajnë këtë pushtet në këmbë, që të mos vijë demokracia e vërtetë, ku ata e shohin veten të rrezikuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat