Gjyshi Berisha po i sfidon SHBA dhe shqiptarët !

Opinione

Gjyshi Berisha po i sfidon SHBA dhe shqiptarët !

Nga: Sherif Ramabaja Më: 10 nëntor 2021 Në ora: 12:11
Sherif Ramabaja

E kishin llogaritur të dorëzuar, të moshuar, të painteresuar dhe të tërhequr. Të gjithë ata që i kishin bërë këto llogari kishin gabuar, sepse gjyshi Berisha si mjek i njohur në Shqipëri, kishte zbuluar fshehtësinë e jetës.

Në botë shkencëtarët me vite janë duke hulumtuar që të zbulojnë barin kundër pleqërisë. Shpesh raportojnë deri ku kanë arritur dhe rezultatet e hulumtimit të  tyre i shpallin nëpër revista shkencore.

Raportimet e fundit të tyre ishin se janë gati në zbulimin e vaksinës e cila qelizat e njeriut do t´i rinoi. Kjo do të thot që të moshuarit, ia kthen rininë sërish. Të shtyerit në moshë mund të shpresojnë se ëndërra po bëhet realitet. Ora e ndërron kahjen e llogaritjes së kohës, në vend se të ecë në anën e djathtë do ta ndërroi drejtimin në të majtë.

Prandaj në vend se të shkohet drejtë pleqërisë siç ishte deri sot, do të ndodhë e kundërta, organizmi i njeriut do të vitalizohet dhe rinohet. Programimi caktohet, cilën moshë duam ta kemi dhe aty stopohet.

Pra gjyshi Berisha duke u nisur sipas këtyre zbulimeve më të reja shkencore, ka vendosur që sërish t´i kthehet jetës së mëparshme, profesionit të tij të preferuar politikës.

Askush deri më sot nuk e din që zoti Berisha e ka marr një vaksinë të tillë, sepse kjo është fshehtësi, po derisa ai i entuziazmuar po udhëton në tërë Shqipërinë duke mbajtur fjalime të zjarrta, mund të supozojmë se ka diçka të vërtetë në këtë drejtim.

Nësë një supozim i tillë është i vërtetë, shqiptarët duhet të llogarisin se Berishizmi nuk ka vdekur, por është duke u ngjallur.

Një ngjallje e Berishizmit do të thotë sfidim i politikës në Shqipëri, Kosovë, Ballkan dhe sfidim edhe për vetë SHBA, sepse para ca kohe SHBA gjyshin Berisha e kishin shpallur person nongrata duke e akuzuar për korrupcion.

Nëse dështon çështja e vaksinës, gjasat që Gjyshi Berisha të rikthehet janë të vogla, sepse përkundër vullnetit mosha nuk do e lejoj që të bëjë mrekulli, por ne na mbetet që të presim dhe të shohim se si do zhvillohen ngjarjet.

Në rast se vaksina e tillë do të tregoi rezultate atëhet Rama, Basha, Thaçi, Batoni, Vuçiqi me kompani etj. do ta ndjejnë goditjen vdekjepruese të zotit Berisha, sepse ai nuk do të ketë të ndalur.

Premtimet nga ai janë të mëdhaja, sepse po i bënë përgaditjet përfundimtare për betejën e madhe.

Nënshkrimet i ka tubuar dhe vetëm pritet ta thërret Kuvendin e PD, që t´i marr frenat në dorë.

Pasi ta fus PD nën kontroll gjyshi Berisha së pari pritet t´i shpall luftë Ramës, apo siç e quan ai Kristaqi nga Surreli.

Hapi i rradhës pritet të jetë mobilizimi ushtarak dhe nisja drejt Kosovës duke e stacionuar ushtrinë në kufi me Serbinë.

Posa ta stacionoi ushtrinë në kufi, do t´i dërgoi Vuçiqit ftesë për bisedime në lidhje me Open Ballkanin.

Në rast se vaksina e preferuar ka qenë doza e tretë kundër Coronës të cilën e ka marr zoti Berisha, atëherë të gjitha këto bien në ujë. Rama do vazhdoi me Vuçiqin lojën e filluar, kurse Basha do e vazhdoi betejën e tij për pushtet.

Shkrim nga Mars – Rover

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat