Albin Kurti, Sorosi dhe erozioni elektoral i Vetëvendosjes!

Opinione

Albin Kurti, Sorosi dhe erozioni elektoral i Vetëvendosjes!

Prof, Dr. Enver Bytyçi, Bota sot Nga Prof, Dr. Enver Bytyçi, Bota sot Më 15 nëntor 2021 Në ora: 17:53
Albin Kurti dhe Alex Soros në Samitin në Paris dhe takimi në zyrën e kryeministrit

Albin Kurti priti sot në Prishtinë homologun e tij kroat, Andrej Plenkoviq. Ka kohë që kryeministri i Kosovës, ndryshe nga kryeministri i Shqipërisë, shfaq një orientim drejt perendimit (Zagrebit) dhe jo lindjes (Beogradit) në aleancat rajonale. Është ky një vendim i duhur për Kosovën dhe shqiptarët, i cili i duhet imponuar edhe Shqipërisë.

Por kam bindjen se një orientim i tillë pro-evropian dhe pro-atlantik nuk mbështetet nga George dhe Alex Soros, sepse lidhjet e Soros me Beogradin janë të tilla. Atëherë si është e mundur që kryeministri Kurti mban një lidhje të ngushtë me filantropin të Amerikës, lidhje të cilën e proklamoi dy herë brenda një muaji?! Në fakt duhet të jem korrekt: Takimin e dytë në Paris para tri-katër ditësh e publikoi Alex Soros dhe jo Albin Kurti. Dhe pikërisht kjo më ka bërë prej tri ditësh ta vuajë dilemën se pse ndodh kështu!

Të jem i sinqertë, nuk mendoj se Kurti apo dikush tjetër nuk do të duhet të takohen me George apo Alex Soros. Por më shqetëson mungesa e transparencës. Askush, as Kurti, nuk janë transparent sa i përket marrëdhënieve me ta. Ai shfaqet si hije kudo ku ka samite ndërkombëtare dhe rajonale dhe askush nuk e di pse Soros është prezent kudo, në Paris, në Beograd, në Shkup, në Ohër, në Tiranë, në Novi-Sad?! Dikur vinte si hije edhe në takimet Thaçi-Vuçiq, madje me projektin e ndarjes së Kosovës në dorë!

Mungesa e transparencës së zotit Kurti në rastin e takimeve me Soros dhe në raste të tjera është një ndër shkaqet e erozionit elektoral të zgjedhjeve lokale në Kosovë. Ashtu siç ndodhi me Hashim Thaçin, i cili u bë i padëshiruar nga shumica dërmuese e qytetarëve të Kosovës pikërisht për mungesën e transparencës në bisedimet Kosovë-Serbi. Transparenca është sinqeritet. Sinqeriteti shpërblehet edhe në rastin kur gabon. Mungesa e saj është keqpërdorim i besimit të qytetarëve. Edhe nëse qytetarët nuk shohin me sytë e tyre asnjë provë pabesie, në rastin e mungesës së transparencës ata e venë në dyshim besimin e tyre te liderët jo-transparentë!

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat