Ka gjera që edhe mund të falen, por tradhtia ndaj atdheut dhe kombit shqiptar nuk mund të falet kurrë.
Vlora Çitaku doemos duhet t’u përgjigjet pyetjeve që ia bëri Prof. Dr. Enver Bytyçi në opinionin e tij me titull “Sabina Çudiq dëshmoi! Tani e ka radhën Vlora Çitaku të rrëfehet! “
Mbarë opinioni publik shqiptar tashmë është në pritje të dëshmisë dhe rrëfimit të Vlora Çitakut, ish ambasadores së Kosovës në SHBA dhe aktualisht nënkryetare e PDK-së, për rolin e saj në planin për ndarjen e Kosovës, për çka e akuzon politikania boshnjake Sabina Çudiq.
Të rikujtojmë se në WEB faqen e “Bota Sot” të datës 28 tetor 2021, në rubrikën Opinione, patëm rastin ta lexojmë tekstin e Prof. Dr. Enver Bytyçi, studiuesit, analistit tonë të shkëlqyer, lidhur me çështjet ndërkombëtare, evropiane dhe mbarë shqiptare me titull, “Sabina Çudiq dëshmoi! Tani e ka radhën Vlora Çitaku të rrëfehet!”
Prof. Dr. Enver Bytyçi, në këtë tekst të tij informon se Sabina Çudiq, politikania nga Bosnja dhe Hercegovina ka zbuluar se çka ka ndodhur në vitet 2018-2020 lidhur me planet për ndarjen e Kosovës.
Mathew Palmer- i dërguari i SHBA-ve në kohën e presidentit Donald Trump, për Ballkanin Perëndimor dhe për Evro Azi, gjatë një konference në Nju Jork, në prill të vitit 2019 i ka thënë z. Sabina Çudiq, se, “ Ndarja e Kosovës ka marrë fund. Palët kanë rënë dakord. Po presim një moment të përshtatshëm për ta nënshkruar marrëveshjen në Shtëpinë e Bardhë si ngjarje historike”.
Vlora Çitaku, ish ambasadore e Kosovës në SHBA, me këtë rast i është drejtuar Sabina Çudiqit me fjalët, “Çka po ndërhyn ty në marrëveshjen që Kosova dhe Serbia duhet ta arrijnë”?
Sabina Çudiq i është përgjigjur, “ Sepse me këtë rast ndikimet për Bosnjën dhe Hercegovinën do të ishin të pashmangshme, madje edhe për Ballkanin”!
Sabina Çudiq, thotë se me Vlora Çitakun kishin rënë dakord që të takohen të nesërmen në Këshillin për Siguri të SHBA-ve, por që Vlora Çitaku këtë takim e kishte anuluar në minutën e fundit.
Sipas Prof. Dr. Enver Bytyçi, ky anulim i takimit, është bërë për shkak të bisedës një ditë më parë me Matheë Palmerin.
Kjo na jep të kuptojmë shkruan prof. Dr. enver Bytyçi se, “ Vlora Çitaku- ish ambasadore e Kosovës në SHBA, ka bashkëpunuar me autorët që punonin për shkëmbim territoresh, ndryshime kufijsh dhe për ndarjen e Kosovës".
Prof. Dr. Enver Bytyçi, gjithashtu thotë se, “Opinioni publik ka nevojë për disa shpjegime më të gjëra e më të sakta, të cilat duhet t’i jep Vlora Çitaku, si vijon:
- Deri në çfarë mase ka qenë e involvuar Vlora Çitaku në përpjekjen për ndarjen e Kosovës?
- A ishte si pjesë e mekanizmit të lobimit pro-serb për këtë ndarje ?
- Pse ajo ishte dakord që marrëveshja Kosovë-Serbi të përfundonte me ndarje kufijsh?
- Pse e mbështeti këtë ide?
- Çfarë roli i kishte caktuar asaj Hashim Thaçi për të realizuar tjetërsimin e territorit të Kosovës?
- Cilat janë bisedat , rekomandimet, premtimet dhe angazhimet e saj para Hashim Thaçir-ish-presidentit të Kosovës në funksion të realizimit të idesë së Serbisë së madhe?
- Çfarë ishte planifikuar në takimin në KS të SHBA-ve dhe pse dështoi pjesëmarrja e përfaqësueses së Bosnjë dhe Hercegovinës në këtë takim, nëse është bërë?
- Çfarë loje tjetër është bërë në marginat diplomatike për të realizuar një marrëveshje me humbje territoresh me Serbinë?!”
Prof. Dr. Enver Bytyçi, në vazhdim shkruan se, “Ne e kemi ditur ose parashikuar, madje ndonjëherë e kemi thënë se lidhjet e Vlora Çitakut me Hashim Thaçin janë të rrezikshme për Kosovën.
Të gjitha këto pyetje dhe enigma rrjedhin natyrshëm pas kësaj dëshmie të Sabina Çudiq.
Shpjegimet i shërbejnë opinionit publik për të mësuar se me cilët politikanë ballafaqohen ata.
Me “Vlorën patriotike dhe të guximshme “ në mbledhjet e KS të OKB-së për Kosovën, apo me Vlorën e intrigave në prapaskenë për tjetërsimin në favor të Serbisë të territorit të Kosovës ?!
Me Vlorën që në opinion publik shqiptar ka fituar pikë pozitive, pavarësisht flirteve politike të dëmshme me Thaçin, apo me Vlorën e vërtetë në shërbim të Aleksandër Vuçiq, Edi Rama dhe Hashim Thaçit?!”, shkruan në fund Prof. Dr. Enver Bytyçi.
Oj Vlora Çitaku, ish ambasadore e Kosovës në SHBA, Prof. Dr. Enver Bytyçi dhe opinioni mbarë shqiptar po pret me padurim të prononcohesh, se s’ke kah ia mban.
Të rikujtojmë se, Vlora Çitaku, ish ambasadore e Kosovës në SHBA, muaj më parë pas takimit që kryeministri Albin Kurti pati me presidentin Vuçiq, deklaroi se, “ Albin Kurti i dhuroi Vuçiqit librat për gjenocid në Kosovë vetën për të bërë “shou”.
Ndaj kësaj deklarate skandaloze e të turpshme të Vlora Çitakut drejtuar Kryeministrit Albin Kurti pati reagime të shumta, mes tyre reaguan edhe analistët politikë Gani Qarri dhe Prof. Sulejman Mehazi.
Vlora Çitaku, ish ambasadore e Kosovës në SHBA, duhet ta ketë ditur rëndësinë se shpërndarja e librave në OKB, BE dhe KE, do ta demaskonte në mënyrë të fuqishme dhe argumentuese Serbinë agresore gjenocidale e kriminale, e cila nëpërmjet gënjeshtrave po mundohet t’i mbulojë krimet shekullore të kryera ndaj shqiptarëve në Kosovë dhe në tërë trojet shqiptare.
Shpërndarja e këtyre librave në OKB, BE dhe KE, do ta arrinte efektin e duhur në të mirë të Kosovës dhe të mbarë shqiptarëve , mijëra herë më shumë se qindra diplomatë nga Kosova dhe Shqipëria.
Tani erdhi momenti që Vlora Çitaku, të na tregojë se çfarë “shou” paska ka bërë ajo kundër Kosovës kur ishte ambasadore në SHBA.
Vlora Çitaku në Vitin 2020 në Facebookun e saj publikoi foton e saj si vogëlushe me dy gishta të çuar përpjetë, si përgjigje ndaj brutalitetit të Serbisë kriminale në Kosovë.
Vlora Çitaku më vonë në WEB faqen e “Bota Sot” publikoi tekstin nga ditari i saj me titull “Më ra t’fikt”, me mbresa nga puna e saj si përkthyese për të huajt gjatë luftës në Kosovë, me rastin e një vizite në malet e Kosovës ku ishin fshehur nën qiellin e hapur gra, pleq e fëmijë të Kosovës. Siç shkruante ajo, nga gjendja e vështirë në të cilën ndodheshin këta civilë kosovarë i kishte ra t’fikt. Megjithatë edhe në këto kushte të vështira, motrat kosovare ia kishin përgatitur një filxhan me llafe të ta kthjelluar.
Vlora Çitaku kohë më parë në WEB faqen e “Bota Sot” publikoi edhe foton si vogëlushe me veshje kombëtare dhe me çifteli në dorë.
"Vlora Çitaku më datë 2 dhjetor 2021, mori guximin t’i drejtohet Kryeministrit Albin Kurti me porosinë që Albin Kurti duhet të udhëtojë në SHBA për të bërë takime me zyrtarë të lartë”, se gjoja status quoja nuk i konvenon Kosovës, dhe se gjoja Kosova duhet t ë bëjë shumë më shumë që t’i ruajë raportet me SHBA-të dhe sugjerime tjera bajate që tashmë i dinë edhe pulat e kotecit.
Vlora Çitaku me sa duket këto paraqitje në opinion i bën për propagandë personale dhe për t’u faktorizuar, se nuk i ka mbetur rrugë tjetër.
Oj Vlora Çitaku, mos u hedh pluhur syve miliona shqiptarëve, se tani jemi në pritje ta dëgjojmë pjesës tënde të dëshmisë, si vazhdim i rrëfimit të Sabina Çudiq lidhur me planet për ndarjen e Kosovës, mbi bazën e pyetjeve që t’i ka adresuar Prof. Dr. Enver Bytyçi i nderuar.
Oj Vlora Çitaku, as Albin Kurti dhe Qeveria e tij, as Kosova dhe as populli i Kosovës nuk kanë nevojë t’u shesësh mend, nuk kanë nevojë t’i dëgjojnë sugjerimet dhe pallavrat e t’ua, sepse gjersa nuk do të prononcohesh lidhur me akuzat që t’i bëri politikania boshnjake Sabina Çudiq, t’i për jetë e mot do të mbetesh tradhtare e Kosovës.