Nëse BE-ja qëndron prapa kërkesës pro serbe të Borellit për Asociacionin (edhe pse është botërisht e njohur se këtë marrëveshje e ka hedhur poshtë Gjykata Kushtetuese e Kosovës) dhe si e tillë është anti-kushtetuese, atëherë po duket ashiqare se këta njerëz kanë problem me pozicionet e tyre shumë të diskutueshme, sepse janë në linjë të plotë me kërkesat e Vuçiqit, Serbisë dhe Rusisë.
Kjo direkt nënkupton nënçmimin e Legjistraturës kosovare dhe ndërhyrjen në rendin kushtetues të një shteti të pavarur që askund në botë nuk ka ndodhur, sepse vendimet e Gjykatës Kushtetuese të çdo shteti janë të pa cenueshme dhe të pa diskutueshme, me fjalë të tjera duhet të zbatohen të bazuara në aktvendime. Me kërkesën për zbatimin e Asociacionit do të thotë direkt prishjen e rendit kushtetues të shtetit të Kosovës dhe indirekt rrënimin e tij.
Unë këtu po habitem për heshtjen e partive politike opozitare, por edhe Akademisë sonë të Shkencave (dorën në zemër kjo Akademi figuron vetëm në letër pa kurrfarë projektesh e aktiviteti), që nuk reagojnë në mënyrë masive kundër kërkesës së zotit Borell, që si po duket e ka humbur rrugën në oborrin e tij në Bruksel.
Merreni me mend një njeri që për mëkat përfaqëson politikën e jashtme të Evropës, në një bisedë me gazetarët i kërkon zotit Kurti në mënyrë ultimative formimin e Asociacionit, sepse këtë po e kërkon Serbia dhe Vuçiqi, por edhe Rusia. Me kësi qëndrime ashiqare pro serbe dhe me kërkesat e Vuqiqit, vjen në pikëpyetje edhe kredibiliteti i këtij njeriu, i cili përfaqëson BE-në. Ky njeri nuk u skuq dhe nuk i erdhi keq për lojërat që po i bën BE me Kosovën për liberalizimin e vizave, dhe për këtë e zgjodhi heshtjen. Ky njeri, i vetëm doli herën e fundit edhe kundër ndërhyrjes së policisë në veri të Kosovës kundër krimit të organizuar duke e dënuar këtë ndërhyrje si veprim të njëanshëm derisa amerikanët nuk ia ngrehën veshin për t’i përmirësuar në deklaratën e përbashkët me SHBA-të se kjo ndërhyrje ishte e arsyeshme. Se sa ishte e arsyeshme u pa me shpallje e bandës kriminale të serbëve të veriut në krye me Veselinoviqat e Radojqiqat si persona non- grata dhe të rrezikshëm për Amerikën.
Ne jemi dëshmitarë se situata në Bosnje dita-ditës po përkeqësohet dhe ashpërsohet për shkak të ndërhyrjes së Serbisë dhe Rusisë përmes R. Srpskës, duke kërkuar shkëputjen nga Federata e BH-së dhe bashkimin e saj me Serbinë. Këtë po e përsërit çdo ditë udhëheqësi i serbëve Dodik. Ndarja e R.Srpskës me siguri deri tani do të ndodhte po mos të ishte ndërhyrja dhe frika nga Amerika.
Zoti Borell duke i ditur të gjitha këto që po ndodhin në Bosnje, kërkon nga kryeministri i Kosovës zoti Kurti që të formojë Zajednicën, që do të thotë një R.Srpska në Kosovë apo një Serbi të vogël brenda Kosovës, dhe kështu ta bëjnë Kosovën definitivisht jofunksionale dhe bisht të Serbisë dhe të varur nga psikopati klinik A. Vuqiq.
Unë mendoj se duhet të mblidhen përfaqësuesit e të gjitha partive parlamentare dhe jo parlamentare dhe të dalin me një qëndrim të përbashkët e me germa të mëdha të deklarojnë se formimi i Zajednicës nuk do të lejohet. Kjo e zhbënë të gjithë mundin që e bëmë ne si popull dhe bashkësia ndërkombëtare për promovimin dhe konstituimin e kësaj Kosove. Kjo tendencë për ti ngushtuar të drejtat e shumicës dhe duke i zgjeruar të drejtat e pakicave, ku shumica të varet nga vullneti dhe teket e pakicës nuk ndodhë askund në botë.
Këtë liri e kemi paguar tepër shtrenjtë ku çdo pëllëmbë e kësaj toke është e ujitur me gjak dhe atë jo një herë, por shumë herë. Prandaj, Serbisë duhet thënë një herë e përgjithmonë larg duart e tua nga Kosova, sepse duart e tua janë të përgjakura deri në bërryl me gjak të njomë shqiptari, gjak që kurrë nuk është tharë dhe fshirë nga duart e tua.
Serbët si pakicë në Kosovë që nuk përbëjnë më shumë se 3/4% të popullsisë së Kosovës, kanë të drejta që me konventat evropiane nuk i ka asnjë pakicë në shtetet e Evropës. Unë këtu po e ceku vetëm një shembull ku Viktor Orban kryeministër i Hungarisë kërkoi nga Sllovakia që popullatës hungareze në Sllovaki që përbën rreth 10% të popullatës së shtetit sllovak, t’iu mundësohet shkollimi i lartë në gjuhën hungareze. Shteti sllovak këtë nuk e pranoi dhe Orban u shpallë PERSON NON GRATA në Sllovaki edhe pse të dyja këto shtete janë anëtare të BE-së. Këtu duhet përmendur edhe një të drejtë që nuk e ka asnjë pakicë në botë e ajo është planifikimi hapësinor.
Unë mendoj se këtë dispozitë, Kuvendi duhet ta abrogojë apo plotësojë sa më parë që mundet, ku për çdo veprim duhet të kërkohet mendimi dhe pëlqimi i Entit Urbanistik të Kosovës apo Ministrisë përkatëse. Serbia ndërton Lugina të diellit në veri të Kosovës pa e pyetur askënd. Deri kur do ti lejohen Serbisë këto ndërhyrje?!
Kur e përmenda Kuvendin e Kosovës, më duhet t’ia sugjeroj këtë Kuvend që urgjent të aprovojë ligjin për Referendum.
Këto ditë jemi dëshmitarë të organizimit e demonstrimit masiv me sindikata, OJQ e televizione nga ata që i humbën zgjedhjet , me pagesa të pista, por edhe me donacione nga Serbia. Të gjithë këta si hiena po i vërsulen kësaj Qeverie edhe Presidentes vetëm për shkak se i kanë humbur privilegjet dhe nuk mund të vjedhin më. Serbia po e përkrah, po e financon dhe aplaudon këtë që po ndodh këto ditë në Kosovë, sepse një kryeministër i pa korruptuar i vendosur, i cili nuk bën tregti me interesin e shtetit dhe popullit si ata para tij, është një digë që Serbia nuk mund ta kalojë. Vuçiq deklaron vet: se me të gjithë Kryeministrat e mëparshëm ka mundur të merret vesh (ti shkeli), ndërsa me Kurtin kurrsesi.
Unë nuk do ta përfundoj shkrimin tim pa i shprehur admirim z. Halil Geci që me shkrimet e tij po ia freskon kujtesën këtij populli se kush është fajtor për këto të zeza që ia sollën Kosovës me Zajednica, etj. Kjo ngase, ky popull vuan nga amnezioni (harresa) dhe kujtesën nuk e ka më të largët se majën e hundës.
Si përfundim:
Serbia të tregojë vendndodhjen e varrezave masive për të zhdukurit shqiptarë!
Nuk duhet të pranohet Zajednica me asnjë kusht!
Serbisë t’i kërkohet ta pranojë pavarësinë e Kosovës dhe tërësinë territoriale të saj!
Të kërkohet pagesa e dëmeve të shkaktuara nga lufta e fundit!
T’i kërkohet të pranojë gjenocidin ndaj popullit shqiptar që nga viti 1877!
T’i kërkohet që të gjitha të drejtat që i gëzojnë serbët e Kosovës, t’i gëzojnë shqiptarët e Luginës së Presheves (Bujanoc, Medvegjë e Preshevë). Nëse këtë kërkesë të fundit nuk e pranon Serbia, atëherë urgjentisht duhet inicuar Ahtisari MINUS dhe aplikimi i konventave Evropiane për pakicat.