Me rastin e përcjelljes së vitit në shkuarje, urojmë që viti i radhës – Viti i Ri, të na sjellë suksese dhe të mira më të mëdha se ato të vitit në shkuarje.
Çdo individ, përveç okupimit me fatin, sukseset dhe të arriturat personale dhe familjare, brengoset edhe me fatin e shtetit dhe kombit të cilit I përket. Me fjalë tjera, lidhja e çdo individi me këto dy subjekte – shtetin dhe kombin është e ngushtë dhe me rëndësi vitale.
Për momentin, nuk ia vlen të flasim për të kaluarën e kombit i cili, mjerisht, u ballafaqua me të gjitha të zezat por, shtrohet pyetja se çka premton e ardhmja?, a ka gjasa që të bëhemi të zot e vetit?, që fatin e shtetit dhe kombit ta marrim në duart tona. Në këtë pyetje përgjigje duhet të ofroi funksionimi i shtresave politike të shteteve dhe shtresave akademike.
Si asnjë komb tjetër, së paku në Europë, edhe pas formimit të dy shteteve shqiptare, pjesë të trevave dhe të popullit shqiptar, mbeten jashtë - në Serbi, Maqedoni, Mal të Zi, Çamëri..... Falë të kaluarës diktatoriale, falë dobësive në proceset e funksionimit të dy shteteve, nga dita në ditë, numri i shqiptarëve në mërgim rritet. Me siguri, në krahasim me numrin e përgjithshëm, shqiptarët në mërgim e zënë vendin e parë në Europë. Akademiku Esat Stavileci, me të drejtë, kishte deklaruar se fati i kombit varet nga aftësia e Shqipërisë në procesin e mbajtjes dhe zhvillimit të shtetit dhe, Kosovës në procesin e formimit të shtetit. Mu këtu qëndrojnë rreziqet ndaj subjekteve – shteteve dhe kombit.
Shqipëria
Në se e shikojmë bukurin natyrore e natyra nuk është e pa pasuri, edhe Zvicrës ia kalon. Megjithatë, zhvillimi numëron në vend. Në mes subjekteve politike zhvillohen vetëm beteja për pushtet, beteja këto, jo që nuk kontribuojnë por e frenojnë funksionimin dhe zhvillimin e shtetit. Kryeministrit dhe qeveris aktuale as që i intereson fati i shqiptarëve në Çamëri, Maqedoni, Mal të Zi. Nuk i intereson fare mendimi i popullit për pazaret dhe lidhjet me Serbin. Për hir te presidentit serb, madje edhe bustin e heroit shqiptar e mbulon, hyn në pazar me Serbin. A do e kupton ndonjëherë se, Serbin e karakterizon trillimi, ta premton një gjë ndërsa e bën një tjetër. A do e kupton se, historikisht, në agjendën e Serbisë gjenocidiale, ka qenë dhe do mbetet zhdukja e shqiptarëve. Në anën tjetër, me shtetin e Kosovës, nuk është në gjendje të gjej gjuhë të përbashkët, gjuhë në interes kombëtar.
Kosova
A mos po ndodhë siç thotë fjala e moçme: kah shkojnë rrotat e para shkojnë edhe të fundit. E filloi procesin legjendari Rugova, me kohë, me urti, e informoi boten për vajtjet dhe ekzistencën e Kosovës. Filloi edhe lufta kundër Serbisë gjakpirëse, intervenoi edhe Aleanca NATO e prirë nga SHBA dhe, u dëbua Serbia. Akoma pa përfunduar lufta, filluan mbrapshtirat kundër Rugovizmit e çkamos tjeter. Ndodhi ai momenti historik – shpallja e pavarësisë por, që nga fillimi, mungoi përkushtimi, profesionalizmi dhe ndodhi izolimi i Veriut, i cili nuk u pengua në fillim të procesit të formimit të shtetit dhe, pasojat edhe sot e kësaj dite janë në sipërfaqe, filloi dialogu, i iniciuar nga agresori gjenocidial, në të cilin Kosova hyri si pula pa krye e çka e çka tjetër. Filluan betejat në mes subjekteve politike te cilat, për marrjen e pushtetit, ishin në gjendje edhe me e shit Kosovën... Për krimet gjenocidiale – vrasjet, dhunimet, shpërnguljet... Kosova nuk e ndërmarr as edhe një hap kundër Serbisë.
Përveç tjerash, nga SHBA-të i përcjelli edhe debatet në Parlamentin e Kosovës. Shumë herë ndodh që e fiku TV-n nga se nuk dëgjohen fjalët të cilat fliten aty. Në traditën kombëtare, gjithnjë, është respektuar se kur flet njëri, tjetri dëgjon, edhepse ka dominuar analfabetizmi. Me fjalë tjera, në Parlament dhe jashtë, në mes subjekteve politike nuk zhvillohet këmbim i mendimeve por, zhvillohet betejë e paimagjinueshme.
Etja për pushtet dhe vrapimet e shtresave në pushtet, si pasoja, sjellën zhvillimin e krimit të organizuar, korrupsionin dhe kapjen e shtetit.
Asnjë qytetar nuk e braktis vendlindjen, shtetin, pa arsye dhe të shkon në kurbet. Një gjë e tillë ndodh atëherë kur, qytetari e humb shpresën dhe besimin në shtresat të cilat e drejtojnë apo e uzurpojnë shtetin.
Ejani në veti more, hiquni ambicieve personale për pushtet. Ambiciet e tilla e tërheqin krimin, korrupsionin dhe kapjen e shtetit, pasoja këto, të cilat e pengojnë zhvillimin e shtetit. Tregoni sadopak kulturë, respekton traditën e shenjtë kombëtare.
Mërgata shqiptare gjithandej botes, vuan për vendlindje, për shtetet shqiptare, ndonëse shtetet nuk e kishin fare në agjendë, pandërprerë, përpiqet dhe organizohet, me qellim të dhënies se kontributit për shtetet dhe kombin shqiptar.
Urojmë dhe të shpresojmë që viti 2022 të sjell ndryshime në favor të shteteve dhe kombit shqiptar.