Tri sfidat e Qeverisë Kurti në vitin 2022

Opinione

Tri sfidat e Qeverisë Kurti në vitin 2022

Nga: Ismail Muqiqi Më: 1 janar 2022 Në ora: 20:26
Ismail Muqiqi

Gjatë vitit 2022 Republika e Kosovës, qeveria dhe institucionet e saj do të përballen me tri sfida të cilat mund të sjellin befasi dhe zhvillime me pasoja të paparashikueshme. Kriza energjetike e cila tani e ka kapluar pothuajse gjithë Evropën është njëra nga problematikat me të cilat do të përballet qeveria aktuale e Albin Kurtit.

Pavarësisht se kjo qeveri nuk mban përgjegjësi për mos ndërtimin e kapaciteteve të reja energjetike, në të ardhmen reduktimet dhe mungesa e rregullt me energji elektrike do të shkaktojë pakënaqësi dhe revoltë tek qytetarët dhe përfaqësuesit e bizneseve dhe ekonomia në përgjithësi.

Sfida tjetër e cila po troket në dyert e institucioneve të shtetit është padyshim lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, vettingu në Sistemin Prokurorial dhe atë gjyqësor si dhe miratimi i ligjit [Anti Mafia], përkatësisht ligji kundër pasurimit të paligjshëm. Këto dy çështje ishin kauzat kryesore vite me radhë e Lëvizjes Vetëvendosje dhe të strukturave të saj, premtime këto të cilat ishin përkrahur dhe votuar nga ana e shumicës së elektoratit në Kosovë. Edhe pse gjatë vitit që shkoi Ministria e Drejtësisë ka hartuar koncept dokumentin strategjik të reformave në sistemin e drejtësisë, vettingu në institucionet e drejtësisë po lëviz ngadalë me shumë vështirësi dhe opstrukcione nga ana e gjyqtarëve dhe prokurorëve të cilët përmes formave të ndryshme të rezistencës së heshtur, po e pengojnë këtë proces shumë të rëndësishëm për sundimin e ligjit dhe kthimin e besimit tek qytetarët.


Qeveria Kurti mund të sfidohet edhe përmes dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë i cili ka filluar para një decenie, por nuk po i dihet fundi. Konsistenca e Albin Kurtit dhe pozicioni i tij në bisedimet me Serbinë edhe pse janë të drejta dhe të përkrahura nga qytetarët e Kosovës kjo çështje ka dimension më të gjerë në proceset e ardhshme diplomatike të Bashkimit Evropian dhe në raport me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Prandaj, viti 2022 do të jetë vit i ngjarjeve të shumta dhe dramatike për Kosovën, Ballkanin dhe për Bashkimin Evropian.

Duhet theksuar se qeveria Kurti në mënyrë sistematike po atakohet edhe nga opozita dhe grupet e ndryshme të interesit të cilat i kanë humbur pozicionet që i kishin që nga pas lufta në qeveri dhe institucionet tjera të shtetit. Kjo po shkakton pengesë në stabilitetin e përgjithshëm dhe funksionimin normal të shtetit të Kosovës.

Përçarjet dhe konspiracionet e rrymave të ndryshme të cilat i kanë humbur privilegjet shumë vjeçare po mundohen që përmes instrumentalizimit të grupeve të sindikatave në institucionet publike të pengojnë punën normale të qeverisë duke u shkaktuar dëme ndërmarrjeve publike të cilat duhej të ishin krahë i fortë i zhvillimit ekonomik të Kosovës. Është koha që më në fund njerëzit që flasin dhe veprojnë në emër të partive politike “në emër të qytetarëve” sa më parë të kuptojnë se përçarjet dhe hasmëritë i sjellin vetëm dëme vendit dhe popullit në përgjithësi. Tani më janë bërë të padurueshëm disa liderë politik të cilëve nuk u ka mbetur asnjë vlerë se për dijen e tyre mos të flasim. Këta lider po e malltretojnë popullin vite me radhë e tani ka ardhur koha që sa më parë të lëshojnë rrugë dhe të ikin nga politika e tyre banale. Në fund duhet theksuar se historia e bujshme e Kosovës vuajtjet dhe tragjeditë, liria dhe pavarësia gjaku i derdhur na obligojnë që më në fund çdo vendim i cili lidhet me fatin tonë dhe ndërtimin e shtetit te Kosovës duhet të jenë në harmoni me miqtë tanë në rend të parë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Prandaj, këto janë tri sfidat të cilat e presin Albin Kurtin në rrugëtimin e tij për të udhëhequr me Qeverinë e Kosovës e te cilat lidhen edhe me fatin e tij në politikë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat