Ndërhyrja e policisë në protestën e anëtarësisë së PD-së për ta çliruar selinë e saj nga Lulzim Basha, flet se Shqipëria sot udhëhiqet nga një regjim diktatorial i Edi K. Ramës..!?

Opinione

Ndërhyrja e policisë në protestën e anëtarësisë së PD-së për ta çliruar selinë e saj nga Lulzim Basha, flet se Shqipëria sot udhëhiqet nga një regjim diktatorial i Edi K. Ramës..!?

Nga: Rexhep Elezaj Më: 8 janar 2022 Në ora: 18:21
Rexhep Elezaj

Mjerisht, dhe për fatin e keq të kombit shqiptar kudo në botë, sot shteti amë i gjithë shqiptarëve, Shqipëria, pas 32 viteve nga ardhja e demokracisë (1990), vazhdon të sundohet nga një regjim stalinist-diktatorial i instaluar nga Partia socialiste (PS) në pushtet e udhëhequr nga Edvin K. Rama, regjim i cili shumë pak dallon nga regjimi komunist i ish diktatorit Enver Hoxha!

Se, kemi të bëjmë me një regjim të egër dhe të korruptuar puro komunist-diktatorial në Shqipëri, këtë fakt përfundimisht e dëshmuan ngjarjet dhe ndërhyrja e sotme e policisë së regjimit të Tiranës zyrtare në protestën e organizuar nga mijëra anëtarë demokratë pro-Sali Berishës, para selisë së Partisë Demokratike (PD) e organizuar me qëllim për ta çliruar nga uzurpimi dhe blindimi absurd i saj me dyer të hekurta nga ish kryetari i saj i rrëzuar me referendum nga 44.426 anëtarë me 18 dhjetor 2021, Lulzim Basha..!?

Qytetarët në Shqipëri dhe opinioni i gjer shqiptar në Ballkan dhe kudo në botë, i kanë përcjellë veprimet politike të cilat kanë ndodhur në katër muajt e fundit brenda Partisë Demokratike, sidomos nga marrja e vendimit anti-statutor nga Lulzim Basha për ta përjashtuar nga Grupi parlamentar i PD-së deputetin Sali Berisha, i votuar në zgjedhjet e 25 prillit të vitit të kaluar, meqë rast edhe do fillon kundërshtimi i ashpër i këtij vendimi nga përkrahësit e Dr. Sali Berishës, liderit historik të partisë së tyre. Madje, ky kundërshtim u zgjerua shpejtë i cili u shndërrua në një “Foltore” me anëtarësinë e cila do mbahet në shumë qytete të Shqipërisë, duke u rritur kështu në një lëvizje të re e emëruar nga anëtarësia si nismë për “rithemelimin" e PD-së, e cila me 11 dhjetor 2021 do e mbajë Kuvendin e jashtëzakonshëm të saj në stadiumin "Air-Albania" në Tiranë, me pjesëmarrjen e mbi 5200 delegatëve legjitim.

Ndërsa në anën tjetër, ish kryetari i PD-së, Lulzim Basha së bashku me një përqindje të vogël të anëtarësisë nuk i pranuan vendimet e tyre, duke vazhduar që të mos i nënshtrohen verdiktit të shumicës së anëtarësisë, madje as t’i lëshojnë lokalet e selisë së partisë duke u barrikaduar brenda saj si dhe duke marrë veprime absurde që ka i ka njohur ndonjëherë historia e ndonjë partie demokratike në Evropë, duke i blinduar me hekura të çelikut dyert dhe dritaret e selisë, për ta mos lejuar që brenda saj të hynë anëtarësia, krahu pro Sali Berishës, krah i cili sot mbajti protestë paqësore në oborrin para ndërtesës së selisë, ku edhe tentuan të hyjnë brenda saj, por të cilët pa asnjë shkak u ndaluan dhe dëbuan nga aty me gaz lotsjellës të hudhur nga ithtarë të L. Bashës që ishin barrikaduar brenda selisë, si dhe nga policia e regjimit diktatorial i udhëhequr nga kryeministri neo-komunist, Edvin K. Rama..!?

Siç e kanë thënë dhe njohës të shumtë të ngjarjeve politike në vitet e fundit në Shqipëri, bëhet fjalë për konflikte politike dhe të diskursit strategjik midis të majtës në pushtet dhe të djathtës në opozitë, PD-së, e udhëhequr deri para një muaji nga Lulzim Basha, i cili i humbi dy-tri palë zgjedhje, sepse ky i fundit (L. Basha) në vend se të bënte opozitarizëm të mirëfilltë, ai, për interesa të tij meskine dhe karrieriste koketoi me regjimin e Edi Ramës deri në poshtërim, madje duke e shndërruar PD-në në patericë të regjimit diktatorial, antikombëtar, pro-serb dhe të korruptuar deri në fyt të E. Ramës, mbase deri në shuarje të plotë të rolit të opozitës!

Natyrisht, se ky degradim kaq i dëmshëm për PD-në, demokracinë si dhe për Shqipërinë si popull pro-evropian dhe pro-amerikan, ishte për demokratët e vërtetë diçka e papranueshme, andaj edhe u ngritën në mbrojtje të vlerave konservative dhe nacionale të kombit shqiptar, jo vetëm si një e drejtë sovrane dhe legjitime, por edhe si një obligim madhor kombëtar në mbrojtje të gjithë asaj që ka shpirt, frymë dhe vlerë shqiptare për mos ta lejuar rikthimin e Shqipërisë nën diktatin dhe hegjemoninë serbo-ruso-sllavo-ortodokse, dorë e djathtë e të cilit bllok lindor është bërë, pa asnjë dyshim, sot e gjithë ditën, Edvin K. Rama..!?

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat