Edhe për juristin më të thjeshtë që sado pak i njeh normat juridike, qoftë të sistemuara në ligje, qoftë në aktet normative të partive politike, rezulton si fakt i kryer se Lulzim Basha, me 11, gjegjësisht me 18 dhjetor 2021 është shkarkuar nga posti i kryetarit të PD-së me votën legjitime të 4426 delegatëve, përkatësisht me votën e 44.446 anëtarëve të partisë. Andaj, shkarkimi i tij është çështje e kryer, por të cilën në rastin konkret gjykata përkatëse këtë verdikt të anëtarësisë së PD-së është dashur që ta verifikon dhe vërteton me shkrim, se shkarkimi i Lulzim Bashës ka qenë konform Statut të partisë si dhe neneve të tij, pra hiç më shumë se kaq.
Mirëpo, gjykata të cilës anëtarësia shumicë e PD-së ia ka dërguar ndryshimet dhe plotësimet në Statutin e partisë të bëra në Kuvendin e jashtëzakonshëm të 11 dhjetorit 2021, ende nuk e ka dhënë mendimin e saj profesional rreth atyre ndryshimeve, si dhe as lidhur me vendimin e anëtarësisë për shkarkimin e L. Bashës nga posti i kryetarit të partisë. Kjo, vonesë e gjykatës në dhënien e gjykimit të saj ligjor-juridik rreth materies në fjalë, bëhet me qëllim, ngase është e qartë se ajo është e kapur nga regjimi diktatorial dhe neo-bolshevik i Edvin K. Ramës dhe qeverisë së tij mafioze.
Por t’i kthehemi çështjes së bunkerizimit të selisë së PD-së nga ana e Lulzim Bashës, meqë ky veprim i tij, siç u pa dje në protestën e anëtarësisë shumicë të kësaj partie, ku ai kishte montuar dyer dhe dritare të hekurit-çelikut, që kishte mobilizuar njerëz të armatosur dhe të pajisur me boca spreji luftarak, me pompa të mbushura me gaz lotsjellës, me shkopinj tenisi dhe bezbolli, etj., të vetë-ngujuar brenda selisë në katin e dytë të saj, gjoja për t’u mbrojtur nga anëtarësia e partisë së “vetë”, kryetar i të cilës L. Basha ishte për më shumë se 8 vite, tregon se këto veprime dhe masa të marra nga ai dhe mbështetësit e tij kusarë, përveç se ishin të pa para ndonjëherë në historinë e partive politike në Evropë dhe botë, ato përforcime me dyer dhe dritare hekuri, në fakt flisnin shumë qartë, se bëhej fjalë për një çmenduri skizofrenike, për një psiko-maniak i mbushur me ankth dhe ligësi morale, se bëhej fjalë për një skenar të frikshëm antikombëtar me porosi dhe agjendë konspirative të sajuar në podrumet kriminale në Beograd dhe Athinë, me qëllim për ta vrarë për të satën herë të ardhmen dhe qenien e kombit shqiptar në Ballkan..!?
Ndryshe nuk mund të shpjegohet dhe kuptohet bunkerizimi i çelikt i një selie partiake, duke plagosur me dhjetëra anëtarët të PD-së, seli e cila realisht nuk ka asnjë peshë strategjike për shtetin që të angazhojë policinë speciale, përveç anës politike që ka një parti, por e cila nën udhëheqjen e një kryetari të shitur dhe të shantazhuar, siç ishte Lulzim Basha, ajo në fakt do merret peng nga një kryeministër vasal i Aleksander Vuçiqit, siç është Edvin K. Rama.
Ta shndërrosh selinë e partisë “tënde” deri dje, në bunker të tipit të 700 bunkerave të Enver Hoxhës, në kohë të demokracisë dhe shtetit sovran dhe të pavarur siç është me Kushtetutë Republika e Shqipërisë, ose je totalisht i krisur mendjeje, ose je i sëmurë rënd nga egoja karrieriste, ose je në shërbim të një fantazme e cila të shfaqet në horizont si një ciklop përbindësh, nga i cili nuk e sheh dot shpëtimin fizik dhe shpirtëror!
Sido që të jetë, pamjet e djeshme të llahtarshme që u zbuluan brenda selisë së PD-së, falë protestës së demokratëve të krahut të Sali Berishës, se çfarë skenari “mbrojtës” kishin përgatitur dhe instaluar brenda saj, ish kryetari i PD-së, L. Basha, me pak sejmenët e tij miopë, dëshmon katërçipërisht se fjala ishte për një skenar të rrezikshëm për shkatërrimin e plotë të PD-së dhe pluralizmit politik në Shqipëri, por edhe për marrjen peng të fateve të kombit shqiptar në Ballkan dhe më gjerë, gjë të cilën shqiptarët nuk duhet lejuar kurrë që të ndodhë..!?