Në kohët e vjetra njerëzit kanë qenë plotë besim. Besimi ka qenë karakteristikë që i dallon ata. Ka ardhur koha kur besimi shumë ka humbur, ka humbur miqësia dhe siguria. Diçka që shumë shpesh e kemi thënë është ajo se është humbur besimi edhe në institucionet e shtetit. A e kemi humbur besimin apo jo shtrohet pyetja logjike?
Sipas mendimeve të shumicës dhe nga ajo çka po shohim dhe çka përjetuam për gjithë këto vite, shumë është humbur besimi në organet e shtetit. Ky besim është zvetnuar se vendi na u katandisë keq në krim, në korrupsion, nepotizëm, zhvatje të pronës shoqërore dhe në çdo keqpërdorim tjetër. Kosova nga këto dukuri negative u varfërua, u izolua nga bota demokratike. Pra, nga e gjithë kjo shihet se besimi është diçka madhore për njerëzit.
Besimi është themeli i vlerave njerëzore. Elementarja e besimit është kredibiliteti i bazuar në autonomi. Institucionet e shtetit, nuk ndërtuan ura bashkëpunimi me qytetarët, përkundrazi i rrënuan shumë ato duke punuar për vete dhe për njerëzit e tyre. Nuk e kryen misionin ashtu si duhet, nuk u treguan të sinqerta, nuk u treguan të besueshme. Pikërisht nga bartësit e institucioneve të shtetit dëgjuam rrena, mashtrime dhe manipulime të cilat ndikuan në jetën jo të mirë të qytetarëve të Kosovës. Nuk u sollën më kompetencë dhe përgjegjësitë që iu takojnë.
Për të krijuar besueshmëri njerëzit duhet impresinuar së pari më dije, me zhdërvjelltësi politike, duke ju treguar atyre barazinë si njerëz që jemi. Kur propagandohet për shumëçka, kur vihen maskat, atëherë edhe humb besimi. Besim krijohet në bazë të asaj çka shohim dhe çka përjetojmë, jo me fjalë boshe. Që njerëzit të bëhen të lumtur, instituconet shtetërore duhet të jenë për gjithçka shumë të hapura dhe shumë të përgjegjshme. Nuk ka mundësi që një shoqëri të ndryshohet për të mirë, nëse pjesëmarrës nuk janë të gjithë. Dialogu dhe participimi janë çelësi i suksesit dhe zhvillimit të një vendi…