Sapo Rama u nis drejt SHBA, Putini e filloi tërheqjen!

Opinione

Sapo Rama u nis drejt SHBA, Putini e filloi tërheqjen!

Nga: Sherif Ramabaja Më: 15 shkurt 2022 Në ora: 14:49
Sherif Ramabaja

Ishte një strategji e paramenduar. Putinin nuk mundën ta thenin Macron, Jonson dhe shumë burrështetas që mbi te bënin presion me vizita dhe telefonata, për tërheqjen e ushtrisë nga kufiri i Ukrainës.

Njëri nga këta burrështetas ishte që u ruajt si gjoker dhe u përdor në momentin e duhur, kur edhe pritej invazioni. Ky burrështetas nuk ishte askush tjetër, përpos kryeministrit Rama.

Ai sot ishte nisur në vizitën e tij zyrtare për t´u takuar me sekretarin amerikan zotin Blinken për ta diskutuar strategjinë se si të veprohej ndaj Putinit.

Derisa kryeministri Rama ndodhej në ajër drejt SHBA u dha lajmi mbi deskalacionin, sepse Rusia filloi me tërheqjen e trupave nga kufiri i Ukrainës.

Tërheqja e tillë u lidh me vizitën e Ramës në SHBA, ngase të gjitha opsionet kishin dështuar dhe e vetmja shpresë mbetej te kryeministri shqiptar Rama.

Pra kryeministri Rama ishte i vetmi nga këta burrështetas që Putinin nuk e kishte kërcënuar as me sulme të Natos, po as me sanksione siç vepronin të tjerët, ndoshta edhe kjo kishte ndikuar në rritjen e autoritetit të tij.

Një arsye tjetër mund të ishte se kryeministri Rama ka marrëdhënie të shkëlyera me presidentin e Serbisë Vuçiq, me të cilin është në kontakt të përhershëm dhe kanë këmbyer mendime se si ta qetësojnë situatën me rrezik për Evropën dhe botën.

Ky veprim pritet që t´ia ngris autoritetin kryeministrit Rama, si në planin kombëtar dhe atë ndërkombëtarë.

Në planin kombëtar pritet që të pushojnë akuzat ndaj tij sa i përket aferave të inceneratorëve, sepse gjithnjë po flitet që Rama qëndron pas tyre.

Në planin ndërkombëtar pritet që të aprovohet iniciativa e Vuçiqit dhe e tij, sa i përket Open Ballkan.

Më në fund ndoshta mund të pezullohen edhe akuzat ndaj tij sa i përket vjedhjes së votave, monizmit, luftimit të opozitës, uzurpimit të institucioneve shtetëror, shlyrjen e borxhit shtetëror, fushave të drogës, po mund të pritet që ndoshta t´i lejohet edhe shkarkimi i Metës, për ta emëruar një president normal.

Pra një potez i qëlluar dhe gjithë këto arritje dhe lehtësira. Siç duket kryeministri shqiptar është edhe me fat, sepse këto nuk mund t´i arrij secili.

Kështu është kur të jesh aktiv në mediat sociale, t´i arrish të gjitha shtresat e popullit dhe t´ua plotësosh dëshirat.

Ku ka parë kush që shteti t´ua prish shtëpitë të ndërtuara pa leje ndërtimi dhe t´u ofroi çelësat e banesës. Ata që protestojnë janë të nxitur nga partitë opozitare, duke i manipuluar hallegjinjtë.

Kryeministri e priti në bisedë edhe grupin e grave nga protestuesit, me të cilat pa i ofenduar dhe pa ua grushtuar tavolinën ka kuvenduar. Ndoshta nga impulziteti i ka thënë ndonjërës mbylle, po kjo është krejtësisht normale kur dihet mentaliteti ynë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat