14 vjetori i shpalljes së pavarësisë së Kosovës u shënua me ceremoni të shumta shtetërore. Të gjithë në mënyrën e tyre uruan e gëzuan për ditën që u arrit me mund e sakrificë të brezave.
Njëjtë sikurse edhe herëve të kaluara, kjo ditë nuk e gjeti të bashkuar skenën politike në Kosovë.
Kjo u pa gjatë fjalimit që kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti e mbajti para deputetëve të Kuvendit.
Fjalimi rreth 15 minutësh i Kurtit nuk i kënaqi pritshmërinë e opozitës në Kuvendin e Kosovës, të cilët diku nga fundi lëshuan sallën.
Në ditën kur të paktën para armiqve pritej të shihej unitet ndërmjet faktorit politik në Kosovë, zuri vendin përçarja.
Por, çka e nxiti opozitën që të sillej në mënyrë të tillë përball fjalimit të kryeministrit?.
Fjalimi Kurtit ngjante me fjalimin përmbyllës të Presidentit në fundvit. Për pavarësinë e Kosovës foli pak. Krejt çka përmendi rreth pavarësisë ishin fjalë “kalimthi” sa për të arsyetuar fjalën e tij para deputetëve.
Dukej sikur kishte pritur momentin që t`i përmendte sukseset e tij dhe të qeverisë përgjatë një viti. Mbase për këtë ishte nxitur nga një sondazh, të dhënat e të cilit i rezultuan me një rënie të zbehtë për partinë e tij, Lëvizjen Vetëvendosje.
Natyrisht, besueshmëria e sondazheve gjithmonë është pikëpyetje. Megjithatë, edhe sondazhet janë “simptoma” që nuk duhet të injorohen dhe siç e kemi parë as nuk injorohen nga partitë politike.
Mund të pajtohemi që Qeveria aktuale ka shënuar suksese dhe ka bërë punë të cilat nuk i kanë bërë qeverisjet e mëparshme, por mund të pajtohemi po ashtu, se dita e shpalljes së pavarësisë dhe fjalimi për këtë ditë duhej të kishte përmbajtje më solemne e jo t`i ngjante fjalimit elektoral dhe atij përmbyllës të fundvitit. Ngjante sikur dita e pavarësisë të ishte 14 shkurti dhe jo 17 shkurti.
Në një anë mediet serbe e quanin të “rremë” flamurin e shtetit të Kosovës, e në anën tjetër kishim një opozitë që nuk u pajtua me fjalën e kryeministrit duke lëshuar seancën e Kuvendit.
Kjo është politikë, por nuk duhet të teprohet me politikë kur kemi të bëjmë me ngjarje të cilat do të mbesin përjetësisht në histori!
Andaj, kritikat ndaj opozitës për lëshimin e sallës së Kuvendit gjatë fjalimit të Kurtit mund të konsiderohen të pavenda, sidomos kur kujtojmë se si kishte vepruar LVV deri para 14 shkurtit të vitit të kaluar.