Çfarëdo lloj analizash, pikëpamjesh, parashikimesh ose prejudikimesh të epilogut të luftës në Ukrainë, nga cilido analist politik që mund t’i bëhet situatës së krijuar atje, vetëm një ditë pas invazionit rus, vështirë se mund të jenë të sakta dhe të përafërta me synimet dhe skenarin e hegjemonizmit rus, por as kompatibile me rrethanat e reja politike dhe ushtarake që i paraprinë fillimit të luftës në Ukrainë!
Çështja e Ukrainës, është pa dyshim, njëri nga faktorët kyç politik dhe ushtarak në Evropën lindore, dhe jo vetëm, nga epilogu i së cilës do varet e ardhmja e Rusisë, Evropës dhe e vetë Amerikës, qoftë në planin e ndërtimit të Rendit të ri botëror, qoftë në rrafshin e zhvillimeve të reja në fushën e armatimit dhe dominimit të fuqive të mëdha botërore në pjesë të caktuara të botës, përkatësisht në planin e ndarjes së re të sferave të interesit në botë midis Rusisë dhe SHBA-ve, duke mos e harruar rolin dhe kërcënimin e Kinës ndaj SHBA-ve dhe synimet e saja për dominim ekonomik në tregjet botërore.
Përveç faktit i cili duket ashiqare, se e gjithë bota dhe njerëzimi po ndryshon në të gjitha sferat e jetës, në veçanti në aspektin moral, kulturor, ekonomik dhe ushtarak, etj., nuk ka asnjë mëdyshje, se ky ndryshim strukturor në nivel botëror, sipas shumë analistëve politik ndërkombëtarë, duke marrë për bazë po ashtu konceptet dhe rirreshtimin e ri të administratës së re amerikane (DASH), në veçanti që nga ardhja e presidentit Joe Biden në Shtëpinë e Bardhë, si dhe përcaktimi i planeve afatgjate në mbrojtje të interesave të saj në botë, etj., lufta në Ukrainë, alias pushtimi i saj nga Rusia cariste, parashikojnë se mund të jetë një fiasko e radhës për Moskën zyrtare, për shkak të tentimi të saj për dominim të serishëm në Evropën lindore, pra për rikthimin e ish republikave të Bashkimit sovjetik nën tutelën e saj hegjemoniste si fuqi e dytë ushtarake në botë!
Unë mendoj se skenari rus për invadimin e Ukrainës fqinje është një akt vetëvrasës që V. Putini po e bënë pa qenë i vetëdijshëm për pasojat që mund ta godasin rënd popullin rus dhe vetë Rusinë në planin afatgjatë kohor dhe vendor, meqenëse bipolariteti dhe të qenurit superfuqi ushtarake nuk e ndihmojnë gjithherë njëri tjetrin, përkundrazi ato e luftojnë njëri tjetrin deri në asgjësim fizik, si kusht që si zakonisht përfundon me kataklizëm dhe fundosje të ambicieve cariste në koshin e historisë ruse, e cila është e stërmbushur me krime dhe masakra njerëzish të pafajshëm në akullnajat e Siberisë..!?
Mirëpo, ajo që ka ra në sy në Kosovë dhe Shqipëri gjatë kohës derisa e gjithë bota i kishte kthyer sytë kah Ukraina për shkak të kërcënimeve ruse për ta pushtuar atë me forcë ushtarake, vend i cili u pavarësua nga hegjemonia ruse (BRSS-në) në vitin 1991, pastaj fjalori i ashpër i SHBA-ve dhe vendeve të BE-së ndaj politikës agresive të Moskës ndaj një vendi “vëlla” dhe fqinj i saj, etj., ishte e pakuptueshme neglizhenca dhe heshtja e krerëve shtetëror të Kosovës dhe Shqipërisë karshi gjitha këtyre zhvillimeve dramatike rreth Ukrainës, duke mos i mbledhë asnjëherë Këshillin kombëtar për siguri, thua sikur asgjë nuk po ndodhte jo shumë larg rajonit të Ballkanit..!?
Pra, ngjarjet dhe shqetësimet e faktorëve perëndimorë karshi planeve pushtuese që Rusia dhe presidenti i saj, diktatori hegjemon, Vlladimir Putini, po përgatiste për invazionin e Ukrainës, nuk është dashur të trajtohen me kaq abuzim nga dy shtetet shqiptare, kur kihet parasysh fakti, se regjimi fashist i Beogradit zyrtar në krye me A. Vuçiqin, gati çdo ditë e kërcënonte Kosovën në mënyrë të hapur, qoftë duke e koncentruar ushtrinë afër kufirit tonë, qoftë duke bërë ushtrime ushtarake, qoftë me deklarata kërcënuese dhe fyese ndaj Kosovës për pushtimin e saj të serishëm..!?
Sido që të jetë, është fat i madh për Kosovën dhe shqiptarët, që fuqia më e madhe në botë, miqtë tanë amerikanë, gjenden në Kosovë dhe në Shqipërinë, anëtare e NATO-s, pra është fat që interesat amerikane në Ballkan dhe Evropë edhe këtë herë përputhën me interesat tona kombëtare, që si dy shtete dhe një komb të jemi nën mbrojtjen e saj. Përndryshe fati ynë si shqiptarë në Ballkan, do ishte vënë në pikëpyetje të madhe nga rreziqet e armiqve tanë shekullor, Rusisë cariste dhe patericës së saj fashiste, Serbisë çetnike..!?