E Drejta e Luftës sipas të Drejtës Ndërkombëtare Publike

Opinione

E Drejta e Luftës sipas të Drejtës Ndërkombëtare Publike

Nga: Adea Hasi Më: 25 shkurt 2022 Në ora: 20:14
Adea Hasi

Duke marrë parasysh situatën aktuale botërore, luftën që po ndodh mes Rusisë dhe Ukrainës, na vijnë ndërmend vuajtjet dhe tmerret që kemi përjetuar edhe ne si popull në luftën e fundit në vendin tonë. Lufta nënkupton dhunën, forcën, shkatërrimin, vuajtet, vrasjet dhe mungesen e rendit. E drejta ndërkombëtare e sotme e ndalon luftën, duke promovuar gjithnjë e me teper barazinë, harmoninë dhe koekzistencën mes shteteve. Mirëpo, lufta si fenomen nuk mund të zhduket përderisa ende ekzistojnë shtete që duan të imponojnë qëndrimet e veta me forcë ndaj shteteve tjera, përderisa ka shtete që ende bëjne plane për zgjerime të territoreve të veta, dhe synojnë me çdo kusht të plotësojnë interesat vetjake. Kështu, që e drejta e luftës hyn në të drejtën ndërkombëtare publike me arsyen se lufta nuk mund të çrrënjoset nga jeta dhe sistemi ndërkombëtar.

E Drejta Ndërkombëtare e Luftës është pjesë e së drejtës ndërkombëtare publike, dhe përmban rregullat juridike zakonore dhe kontraktuese me të cilat rregullohen marëdhëniet midis subjekteve ndërkombëtare në kohë lufte por edhe në lidhje me luftën. Ndërsa lufta, është konflikti i armatosur që zhvillohet mes palëve me qëllim të nënshtrimit të njëri tjetrit dhe imponimit të rregullave të fituesit.  Luftë nuk konsiderohen vetëm armiqësitë mes shteteve si subjekte të së drejtës ndërkombetare, por edhe armiqësitë brenda një shteti që mund të shkaktohen nga revolucioni ose nga kryengritjet.

Lufta nuk është asnjëherë e drejtë, sepse vdesin njerëz të pafajshëm, shkatërrohen prona, demtohen objekte, pra sjell dëme njerëzore, ekonomiko-financiare, materiale dhe rikuperimi i shteteve pas luftës do jetë shumë i vështirë, madje edhe për shtetin/shtetet fituese të luftës. E drejta ndërkombëtare i ndan luftërat në të drejta dhe padrejta. Luftërat e drejta janë luftërat mbrojtëse ( mbrojtje e territorit apo popullatës nga pushtuesit); luftërat që shpallen nga autoriteti kompetent, duke mundësuar përjashtimin e luftërave private; luftërat që bazohen në motive të drejtësisë; dhe mbi të gjitha një luftë konsiderohet e drejtë sipas DNP vetëm nëse nuk ka asnjë mjet tjetër të mundshëm për të vendosur drejtësinë në vend.

Lufta fillon me: shpallje formale të gjendjes së luftës; me dështimin e një shteti që t’i plotësojë kërkesat e ultimatumit; me shpallje publike të një shteti se shtetin tjeter e konsideron armik dhe se do fillojë aksionet armiqësore në territorin e shtetit tjetër. Mirëpo, historikisht shumica e luftërave kanë ndodhur pa shpallje formale, sepse shtetet nuk kanë dashur të heqin dorë nga favoret që ua sjell sulmi i papritur ndaj armikut. Me fillimin e luftës përfundon periudha e marëdhënieve paqësore. Ndërpriten marëdhëniet diplomatike mes shteteve, dhe përfaqësuesit diplomatik lëshojnë shtetin ku janë akredituar dhe kthehen në shtetin i cili i ka dërguar. Edhe pse në luftë, shteti i qëndrimit duhet t’ua mundësojë transportin e sigurt stafit diplomatik, sepse ata mbrohen me ligje të veqanta të konventave diplomatike. Rast i mosndërprerjes së marëdhënieve diplomatike gjatë periudhës së armiqësisë ka qenë lufta mes Kinës dhe Indisë në vitin 1962. Poashtu, edhe shtetasit e një shteti që mbesin në shtetin tjetër armik, me të drejtën e luftës, duhet t’u mundësohet kthimi në shtetin e tyre amë. Ka pasur pafund raste që u është ndaluar kthimi, janë burgosur apo maltretuar, ose nëse kanë pasur nevojë i kanë shëndruar në oficierë rezervë ose ushtarë të thjeshtë, ose i kanë derguar në misione dhe aktivitete të rrezikshme për mbijetesë, aty ku nuk duan ta rezikojnë ushtarët e tyre.

Në gjendje lufte ndërpriten marëdhëniet tregtare poashtu, sepse nuk mund të bësh tregti me armikun. Ndërsa për pronat e armikut në një shtet nuk ka diçka vendimtare, pasi ka pasur praktika të ndryshme. Pronat ose janë shkatërruar, ose janë konfiskuar. Mirëpo, kryesisht përdoret si metodëedhe bllokimi i pasurive, dhe rivlerësimi i tyre pas përfundimit të luftës.

Edhe pse gjendje lufte, që rrjedhimisht nënkupton gjendje kaotike, e drejta ndërkombëtare e Luftës shpreh që palët ndërluftuese nuk kanë të drejtë të zgjedhin në mënyrë të pakufizuar mjetet e luftës kundër armikut.  Pra, DNP ndalon armet / mjetet barbare të luftës që shkaktojnë vuajtje të panevojshme. Të ndaluara konsiderohen: fishekët më të lehtë se 400gr që kanë materie eksploduese apo djegëse; fisheket që pëlcasin lehtë në trupin e njeriut; fishekët që shprendajnë gaze helmuese; ndalohen mjetet kimike për helmimin e njerëzve, shtazëve dhe ndalohen mjetet bakteriologjike që përhapin viruse vdekjeprurëse. Ndalohen minat befasuese (mjete perfide) që kanë pamjen e ndonjë objekti të parrezikshëm (lodër femijësh, mjet sanitar, vepër artistike) por aktivizohen me kontakt ose nëse afrohet dikush. Ndërsa, armët bërthamore dhe kërcënimi me armë bërthamore poashtu ndalohet me të drejtën ndërkombëtare.Në lufterat detare ndalohen poashtu minat automatike me kontakt.

Sipas të drejtës ndërkombëtare të luftës, palët kanë të drejtë të përdorin metoda për mashtrimin e armikut, që të dalin në avantazh ndaj tij. Për shembull: kamufllimi, shprëndarja e dezinformatave, operacionet e rrejshme, stimulimi i sulmit ose i tërheqjes, befasimi i armikut, pritat, falsifikimi i shifrave, ndërtimi i fortifikatave të rrejshme, pistave etj. Sipas rregullave, ndalohet çdo lloj veprimi luftarak qëështë në kundërshtim me rregullat e moralit dhe të nderit ushtarak.

Siç e kam theksuar në kontekst, e drejta ndërkombëtare ka detyrë kryesore pengimin e luftës, mirëpo nëse ndodh, ka për detyrë kthimin e stabilitetit dhe rivendosjen e paqes mes shteteve. Njihen disa mënyra të përfundimit të luftës: ndërprerje e thjeshtë e konfliktit të armatosur rrjedhimisht luftës, nënshtrimi, armëpushimi, kapitullimi dhe Traktati i Paqes.

Prapë, në cilën do mënyrë të përfundojë një luftë, asgjë nuk mund të kompenzojë jetët e humbura të njerëzve dhe shkatërrimet në masë që mund të kenë ndodhur. Shtetet duhet të mendojnë mirë para se të marrin vendimin e fillimit të luftës. Në luftë nuk zbatohen rregulla, edhe pse ato mund të ekzistojnë, por qëllim kryesor shëndrohet fitorja me çdo kusht dhe me çdo mjet.

Lufta është thjeshtë një arratisje e dobët nga mospërballimi i problemeve të Paqes.

Adea Hasi, magjistre e Diplomacisë

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat