Bomba atomike si kërcënim, lufta me shigjeta, majmuni dhe njeriu

Opinione

Bomba atomike si kërcënim, lufta me shigjeta, majmuni dhe njeriu

Nga: Prof. Dr. Zija Lleshi Më: 6 mars 2022 Në ora: 18:18
Prof. Dr. Zija Lleshi

Vuçiqi, sot Presidenti i Serbisë multigjenocidale, dikur ministër i (dez)informatave në Qeverinë e kriminelit Millosheviq, nuk ka pranuar ta harmonizojë politikën e vetë me BE dhe me SHBA dhe nuk ka përkrahur sanksionet kundër Ukrainës.

Kërcënimit për ofensivë bërthamore që Putini i bëri SHBA-ve dhe shteteve tjera perëndimore duke thënë se ka urdhëruar gjendje të gatishmërisë së lartë luftarake bërthamore kinse për shkak të deklaratave agresive të liderëve perëndimor kundër Rusisë si dhe për shkak të sanksioneve ekonomike “të pa ligjshme” ndaj Rusisë pas invasionit të saj në Ukrainë, SHBA nga ana e saj u përgjigjur po ashtu me gatishmëri mbrojtëse të ndonjë sulmi të tillë eventual. Kjo është padyshim një situatë jashtëzakonisht shqetësuese dhe tepër e frikshme sepse një konfrontim i tillë bërthamor në mes superfuqive do të ishte katastrofë për gjithë njerëzimin.

Kur me një rast e kishin pyetur Einsteinin (zbulimin e përgjithësuar të të cilit të tjerët e shfrytëzuan pikërisht për ndërtimin e bombës atomike, në të cilin program të gjerë Einsteini aspak nuk ka qenë i kyçur) çka do të ngjante me njerëzimin pas një konfrontimi eventual të tillë bërthamor, ai fuqinë shkatërruese të bombës bërthamore dhe katastrofën e njerëzimit si pasojë e saj e ka shpjeguar në mënyrën specifike të tij gjeniale, se pas atij konfrontimi bërthamor lufta tjetër e radhës e njerëzimit do të ishte lufta me shigjeta!

Mesazhi shkatërrues i bombës atomike në Hiroshima dhe Nagasaki po ashtu është mëse i qartë. Ajo bombë është përdorur që kurrë më të mos përdoret! Për këtë arsye kërcënimi ofensiv bërthamor që Perëndimit sot i vjen nga Rusia duket akoma më absurd. Dihet se hedhja e bombës atomike në Hiroshima dhe Nagasaki nuk është cilësuar zyrtarisht si krim lufte. SHBA as atëherë nuk e kanë pasë në agjendën e vetë përdorimin e bombës atomike dhe planin të sulmojnë shtete tjera apo Rusinë, e të cilat në atë kohë ishin të pa fuqishme, meqë akoma nuk dispononin dije për bombë atomike, e aq më pak pritet që një agjendë të tillë SHBA mund ta ketë tash. Por atë që SHBA nuk i ka bërë Rusisë atëherë, Rusia i bënë tash SHBA-s !! Ajo sjellje atëherë (President Harry S. Truman) e SHBA është mesazhi më i qartë e i përhershëm i SHBA dhe vendim i saj i admirueshëm nga e tërë bota e dëshmi e palëkundur historike për gjithë njerëzimin, se SHBA kurrë nuk do ta përdorë bombën atomike për sulm!! Me këtë dëshmi Presidenti Harry S. Truman ka mbetur figurë emblematike në historinë e SHBA.

Sot jo vetëm SHBA por disa shtete disponojnë armatim nuklear. Por në botë ka ngjarë edhe eksplodimi i një bombe tjetër. Zhvillimi shkencor i shkencave shoqërore dhe atyre teknike e teknologjike e ka shkaktuar eksplodimin tjetër në të gjitha këndet e botës, shpërthimin e “bombës” demokratike, shpërthim konstruktiv, i fuqishëm dhe i pandalshëm në tërë botën, kurse për Europën as të mos flitet! Këtë duhet ta kuptojë shumë mirë edhe Serbia. Nga ky shpërthim nuk ka ilaç. Ky shpërthim është vdekjeprues për diktaturat e diktatorët, autokratët, kolonizatorët e okupatorët, shovinistët, oligarkët e të ngjashmit bërllogë, ekspansionistët, hegjemonët dhe demonët, qofshin ata vetëm apo në aleancë në mes tyre, qofshin brenda vetë kontinentit apo duke kërkuar aleanca përtej kontinentit të vetë nëpër kontinente tjera.

Teknologjia informative (TI) ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në shpërthimin e “bombës” demokratike dhe ka mundësuar sot informimin e drejt dhe të shpejt deri në çdo fshat. Informimi i drejt dhe i shpejt si dhe transparenca bazuar në TI sot janë brenda një milisekonda. Mesazhi po ashtu. E vërteta rritë përkrahjen dhe solidaritetin gjithëbotëror në favor të atij që është i drejtë edhe poqese është më i vogël dhe më i dobët. Kontributi gjigantesk i TI sot, para ta themi hiç më larg se një gjysmë shekulli i pa imagjinueshëm , është bërë armë e re tepër e fuqishme kundër padrejtësisë. Gënjeshtra dhe mashtrimi, dikur arma më e rëndësishme e kryesore propaganduese e luftërave dhe e krimeve të okupatorëve dhe kolonizatorëve si dhe e shoqërive totalitare, sot janë bërë vetëdestruksion. Aty bënë pjesë edhe invasioni i Rusisë në Ukrainë dhe kinse arsyeja e kërcënimit ofensivë bërthamor shteteve perëndimore që vjen nga Rusia dhe gënjeshtrat e saj.

Kërcënimi bërthamor i Rusisë, siç jepet të kuptohet, ka për synim të veprojë në dy drejtime. Së pari, synimi është që kërcënimi bërthamor i Rusisë të veprojë kah jashtë, që shtetet tjera të mos mbështesin e solidarizohen me Ukrainën, e cila e udhëhequr nga ylli-hero i atij shteti, Presidenti Zelenskyy, vetëmbrohet heroikisht karshi një armikut shumë më të madh e më të fuqishëm, si dhe po ashtu që nëpërmjet frikësimit të shkaktojë përçarje brenda NATO-s. Por në Ukrainë mbrohet demokracia dhe liria botërore, që është përgjegjësi e gjithë njerëzimit. Së dyti, në drejtimin tjetër, në veprimin nga brenda, kërcënimi bërthamor i Rusisë është për “konsum të brendshëm” që edhe populli brenda ta kuptojë shkallën maksimale të përkushtimit dhe angazhimit të Rusisë që pa pengesa e kundërshtime demokratike nga brenda, Rusia lirshëm ta vazhdojë luftën konvencionale kundër Ukrainës deri në nënshtrimin e saj. Kështu Rusia duke maksimalizuar kinse rrezikun nga jashtë, përpiqet me propagandë ta frikësojë maksimalisht opinionin dhe pjesën demokratike të popullit rus brenda. Nuk mbrohen të drejtat e minoritetit me kërcënim të një lufte bërthamore! Ekzistojnë Ligjet Ndërkombëtare për këtë. Por kërcënimi, ja që këtë e bënë Rusia, është dëshmi e etjes ekspansioniste të saj dhe se ajo vetë në shtetin e vetë nuk dëshiron ta respektojë atë ligj dhe kërcënon të tjerët me luftë.

Njerëzimi sot gjendet në mes rrezikut që i kanoset nga kërcënimi me bombë atomike dhe ofertës të “bombës” demokratike dhe konstruktive te marrëdhënieve të shëndosha shoqërore. Në një konfrontim bërthamor dhe nga kundërveprimi nuk do të kishte fitues. Në zjarr do të digjen të dyja palët. Prandaj logjikimi më elementar tregon bindshëm përcaktimin e pa tundur të mendjes së shëndosh të njeriut që favorizon konstruktimin kundrejt shkatërrimit, çlirimin kundrejt okupimit, demokracinë kundrejt dhunës, e paqen kundrejt luftës.

Derisa bomba atomike mund të vie si sulm nga jashtë, në raport e karshi saj, “bomba” demokratike te sundimet totalitare eksplodon nga brenda. Ajo “bombë” demokratike tani ka eksploduar dhe diktatorëve e shteteve diktatoriale u dridhet toka nën këmbë, prandaj përpiqen nëpërmjet frikës të bombës atomike, t´i kundërvihen “bombës” demokratike e të vazhdojë me luftime konvencionale. Por edhe luftërat e tilla konvencionale kërkojnë shpenzime të mëdha, e bashkarisht me sanksionet ekonomike nga jashtë varfërojnë pa masë shtetin sulmues dhe protestat brenda tij bëhen gjithnjë e më shumë të pa evitueshme dhe të pakontrollueshme. Kjo e pret edhe Rusinë në invasionin të pajustifikuar të saj e të pa provokuar nga Ukraina, si shtet i pavarur dhe suveren që heroikisht nuk pranon nënshtrim apo diktate e nuk kërkon leje nga të tjerët për të drejtën e pamohueshme të saj për orientime e vendime të veta të pavarura. Është fatkeqësi jashtëzakonisht e madhe që deri tani kanë vdekur me mijëra ushtarë rus, të gjithë djem të rinjë e të shëndosh, të gjithë me ëndrra të mëdha për një jetë të lumtur e në paqë! Me shunë gjasë të dërguar në front pa vullnetin e tyre. Kurse fakti që vdekja e tyre është në shtetin e huaj, në Ukrainë, e tregon po ashtu më së miri karakterin pushtues të luftës.

Invasionin rus kundër Ukrainës e kanë dënuar, si dhe po ashtu sanksionet kundër Rusisë i kanë aprovuar, të gjitha shtetet e Europës përpos Bjellorusisë dhe Serbisë. Praktikisht Ukraina ka fituar mbështetje të jashtëzakonshme nga e gjithë bota demokratike. Dihet se Serbia ka votuar para dy dite në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara pro Rezolutës me të cilën dënohet invasioni rus në Ukrainë. Vetëm pesë shtete botërore kanë qenë kundër dhe sigurisht që Serbia është përcaktuar pro Rezolutës edhe për shkakun që të mos bëhet në Europë “prallë me tupan” në krah të Rusisë dhe ta ruajë edhe më tutje kreditin politik të “uljes në dy karrika” si dhe për shkak se ajo rezolutë e KB ka karakter teorik kualifikues. Por Vuçiqi, sot Presidenti i Serbisë multigjenocidale, dikur ministër i (dez)informatave në Qeverinë e kriminelit Millosheviq, nuk ka pranuar ta harmonizojë politikën e vetë me BE dhe me SHBA dhe nuk ka përkrahur sanksionet kundër Ukrainës që kanë efekt konkret praktik dhe realisht mund ta dobësojnë ekonominë e Rusisë deri në atë shkallë sa nga trazirat masive mund të rrëzohet qeveria. Serbia e shiqon interesin e vetë shtetëror dhe shiqon çka e sa mund të nxjerrë ajo përfitime në raport me Kosovën, nga gjaku dhe tragjedia e të tjerëve.

Shqetësimi dhe frika tepër e madhe e njerëzimit nga konflikti bërthamor vetvetiu sjellë pyetjen: Vallë, a do të ketë armëpushim permanent apo do të vie deri te lufta bërthamore? -- Ka plot gjasa dhe arsye për të shpresuar se sulmi i ushtrisë ruse me raketa, bomba dhe artileri do të ndërpritet dhe do të vie deri te armëpushimi permanent si dhe deri te tërheqja e ushtrisë ruse nga Ukraina, që zgjidhja mandej të kalojë në rrafshin diplomatik dhe në marrëveshje paqësore, dhe me atë të largohen të gjitha rreziqet. Sot shtetet poseduese të arsenalit bërthamor kanë aq potencial të madh e të fuqishëm bërthamor sa që shumëfish mund ta shkatërronin totalisht njëra tjetrën. Në jetë do të mbetej “i treti”, apo madje as ai, dhe do të shkatërrohej tërë planeti dhe civilizimi. Ky është rreziku i tmerrshëm që i kanoset njerëzimit. Por vetë shkalla e rrezikut katastrofal është edhe shpresa reale se nuk do të ngjanë çmenduria e do të dominojë arsyeja e shëndosh. Megjithatë, në raportet e balancuara të arsenalit bërthamor të dy palëve të antagonizuara e potenciale për konflikt, vendimmarrja për sulm bërthamor varët krejtësisht nga pala sulmuese e ndonjë kokëkrisuri dhe nga shkalla se sa ajo është e gatshme që më pastaj, pas konfrontimit frontal bërthamor, të bie në nivelin e civilizimit të jetës në shpella dhe të luftës me shigjeta. Ky vlerësim i gjeniut dhe situata kërcënuese e tanishme ta kujtojnë mendimin e njohur, sa filozofik aq edhe spirituoz: Nëse vie deri te lufta e tretë botërore, le të lërë ndokush porosinë majmunëve në shpella që mos të gabojnë e përsëri të shndërrohen në njerëz!

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat