“Ne nuk e falim Putinin për gjëra të tilla dhe jam absolutisht i bindur se do të luftojmë në çdo shtëpi, çdo rrugë dhe çdo lagje në Kiev, në Kharkov - në të gjitha qytetet do të bëjmë ferr për ushtarët rusë dhe përfundimisht për Putinin", tha ish-presidenti ukrainas Poroshenko.
Vladimir Putin-it realisht nuk i shkon mirë, pasi me vrasje lufton për “paqe”! U pa se “Blitzkrieg” dështoj dhe tani shumëçka ruse mbetet në baltën ukrainase. Arkivolet me trupat e ushtarëve rusë numërohen tashmë me mijëra. Madje vdekjen gjetën edhe tetë gjeneral rus! Mediat njoftojnë për pakënaqësi të madhe të popullatës ruse, e cila ndeshet me turpin botëror dhe me xhepat e raftet boshe. Shumë rusë duket se tani kanë kuptuar se më mirë ata ta mundin luftën përpara se ajo t'i mundë ata! Këtë puls tashmë po e ndjenë edhe Lukashenko (Bjellorusi), i cili tani ka mbyllur gojën. Kina tashmë po i kthen shpinën Putinit dhe nuk e furnizon as me pjesë të teknologjive ushtarake! Avioni i Lavrovit për Pekin u pat kthyer prap mes të udhëtimit. Kina dhe India, aleatët e deridjeshëm të Putinit, tani atij ia kthyen shpinën edhe në Këshillin e Sigurimit. Putin-it i ka mbet vetëm Asadi sirian dhe ajatullahët iranian!
Të gjithë e dinin se nëse se nëse Putini do e fitonte Ukrainën, ai padyshim nuk do të ndalej me kaq. Moldavia dhe Gjeorgjia, ndoshta edhe shtetet pranë-baltike (anëtare të NATO-s), me pakica etnike ruse që lehtë mund të instrumentalizoheshin, do ishin sulmi i radhës, dhe ja lufta e tretë botërore. Situata e Lituanisë dhe Kaliningrad-it do i shkonte në favor. Atëherë, fare lehtë do instrumentalizohej edhe Ballkani Perëndimor, i cili s’ka talent tjetër pos luftërave!
Por, kjo do ishtë një variant tejet irracionale, kurse realiteti duket se po lëviz në një drejtim tjetër. Realisht, askush nuk e imagjinonte se makineria ushtarake e Putinit ishte kaq e dobët! Putini, i cili vetëm pak ditë më parë u zotua se në Ukrainë do e shkatërrojë "makinën anti-ruse të krijuar nga Perëndimi", tani po dërgon sinjale se është gati për kompromise serioze. Paraprakisht ai kishte mohuar popullin ukrainas si një “krijesë e Leninit", por kjo krijesë, tani atij i krijon koke dhimbje tejet të mëdha. Ai mendonte se për tri ditë do e pusht po Kievin, kurse tani beteja për Kievin është një përpjekje e dëshpëruar e forcës së maskuar të ushtrisë ruse. Por duket se ky sundimtar, i cili e ka humbur plotësisht lidhjen me realitetin, tashmë është ndërgjegjësuar se ky aksion po kërcënon edhe atë dhe regjimin e tij.
Sanksionet e fuqishme ndaj Rusisë do të kenë efekte afatgjata në prodhimin dhe shitjet e naftës dhe gazit rus. Gjiganti shtetëror i naftës “Rosneft”, i udhëhequr nga aleati i ngushtë i Putinit, Igor Seçin, zhvillonte projektin e madh të naftës në Arktikun Lindor. Ky projekt parashikohej të prodhonte dhe eksportonte deri në dy milionë fuçi naftë në ditë deri në vitin 2030. “Rosneft” tani ka të ngjarë të ketë vështirësi në sigurimin e fondeve dhe teknologjisë, pasi kompanitë perëndimore largohen nga Rusia. “Surguteneftegas”, një nga prodhuesit më të mëdhenj të naftës në Rusi, dështoi tre herë javën e kaluar për të gjetur blerës për 6.4 milionë fuçi naftë, madje me një zbritje deri në 17%. Edhe ai transaksion që akoma ekziston, është i vështirë të realizohet për shkak të komplikimeve me SWIFT sistemin. Madje edhe “BP”, “Shell” dhe “ExxonMobil”, tre kompanitë më të mëdha perëndimore të energjisë, kanë njoftuar se do të tërheqin projektet e tyre në miliarda dollarësh nga Rusia. Poashtu, edhe kompania franceze “TotalEnergies” njoftoi se do të ndalonte investimet e reja atje.
Afat-mesëm, kjo luftë do i orientojë vendet perëndimore dhe botën drejtë energjive të rinovueshme – nga dielli, era, uji, valet. Në realitet, Evropa po ecën me shpejtësi drejtë diversifikimit të burimeve të saj të energjisë, nga shqetësimet se Rusia mund të ndërpresë furnizimet me gaz, ndërsa thellohet "lufta ekonomike" - siç e kanë quajtur disa zyrtarë të Unionit Evropian. Danimarka ka miratuar tashmë ndërtimin e një tubacioni që transporton gazin norvegjez për në Poloni, pasi leja për ndërtimin e tubacionit u pat pezullua vitin e kaluar.
Putini e ka vështirë ta fitojë luftën. Ai bënë shkatërrimin e qyteteve nga nervozia e humbjeve ushtarake, e që kjo e shndërron në të akuzuar për krime lufte. Të paktën 30 vende kanë dërguar ndihmë ushtarake në Ukrainë që nga fillimi i sulmeve ruse, duke përfshirë edhe Gjermaninë, e cila ka ndryshuar politikën e saj të kahershme për të mos dërguar armë në zonat e konfliktit. Pentagoni tani i ka dhënë Ukrainës pesë helikopterë Mi-17, tre anije patrullimi, shumë armë të lehta dhe disa sisteme radari për të monitoruar sulmet me artileri, mortaja dhe dronë. Armata ukrainase tani disponon me mbi 1000 sisteme kundërajrore Stinger dhe mbi 3000 ekzemplarë të sistemit Javelin, madje edhe avionë me fluturim të ulët dhe përdorin sensorë infra të kuqe për të zbuluar objektivat. Këtu janë edhe shumë dronë efikas kundër tankeve dhe transportuesve. Këto i kanë shkaktuar dëme marramendëse ushtrisë ruse.
Çfarë do të ndodhë me Putinin?
Fati i Putinit tani është bërë i pasigurt. Në Ukrainë ai duket se tani po lufton për ekzistencën e tij politike, por ndoshta edhe biologjike! Ai jetonte në ëndrrën e viteve të shtatëdhjeta kur brenda disa orësh Rusia pat okupuar Çekosllovakinë. Tani ushtria e tij në Ukrainë pëson disfata, kurse ekonomia e vendit i është në prag të kolapsit. Putini për 22 vjet është i vetmi faktor në politikën ruse dhe kjo e çoi atë në rangun e Hitlerit. Duma ruse, atje ka rrolin vetëm të “amin-it” për çfarëdo që mendohet në kokën e Putin-it. Tanimë shumë njerëz atje kanë filluar të mendojnë për Rusinë pa Putin-in, gjë që mund të jetë edhe fundi i Rusisë me këta kufij. Varfëria mund të bëjë që tendencat separatiste të rriten në republikat tjera të Federatës Ruse. Shumë nga këto popullata nuk duan varfëri, aq më pak dikë që bënë varrosjen e djelmoshave nga baballarët e tyre!
Putin ka shkarkuar tashmë një numër zyrtarësh të lartë që të mbulon dështime e tij. Ai më nuk i beson askujt. Si duket, ai besimin e trajton sikur dikujt t'i japësh një shpatë, me të cilën s’e di nëse do ju mbrojë apo do ju vrasë! Flitet se ministri i Mbrojtjes Sergei Shoigu kishtë planifikuar diçka kundër tij! Në sigurinë e Putinit janë njerëzit më të besueshëm të tij. Ekzistojnë dy njësi elitare të tij - Divizioni “Taman” dhe garda "Kantemirov". Ata monitorohen në çdo moment dhe janë në funksion të kundërshtojnë vet ushtrinë ruse, nëse është e nevojshme. Prandaj, çdo përpjekje e ushtrisë për të rrëzuar Putinin mund të jetë një ndërmarrje shumë e rrezikshme që mund të çojë në luftë në rrugët e Moskës.
Një variant tjetër është pakënaqësia e madhe qytetare për shkak të rënies së vlerës së jetesës dhe viktimave të mëdha nga lufta. Rusët kanë një përvojë të mirë me revolucionet. Ngjarje të tilla do të jenë në favor të kundërshtarëve apo pretendentëve të Putinit për të zëvendësuar ate. Por edhe atëherë pasiguria e brendshme akoma do vazhdojë, sepse dihet që çdo revolucion në fillim hanë babanë e vet, e më pas edhe djemtë e vet!
Pas saj, Rusia më nuk do të jetë më e njëjta. Madje as bota në tërësi. Dihet se Lufta Ruso-Japoneze e viteve 1904-1905 do të ishte një "luftë e vogël, e bukur, fitimtare", sipas fjalëve të ministrit të brendshëm të asaj kohe Vjaçeslav Plehva, që do i tregonte botës fuqinë e Rusisë. Pasoi zhgënjimi dhe disfata e turpshme që shkaktuan një revolucion të dështuar në vitin 1905. Gjithashtu, kriza ekonomike dhe humbjet e tmerrshme që pësoi Rusia në Luftën e Parë Botërore, çuan në rritjen e pakënaqësisë së elitës dhe rrëzimin e carit rus duke e zhduk atë bashkë me familjen e tij. Debakli i luftës në Afganistan nga viti 1979 deri në 1989 çoi në rënien e regjimit komunist rus. Si duket, historia vazhdon të përsëritet, por gjithmonë me shumë kosto!