Paqe në vend, paqe në botë!

Opinione

Paqe në vend, paqe në botë!

Nga: Prof. ass. dr. Nijazi Halili Më: 5 prill 2022 Në ora: 18:55
Prof. ass. dr. Nijazi Halili, The New York Academy of Science, USA

Statisti i madh turk dhe themeluesi i Turqisë moderne, Qemal Ataturku thoshte: “Peace at home, peace in the World”, pra: "paqe në vend, paqe në botë". Në këtë konkluzion ai bazohej te përvoja e gjatë e shtetit të tij pas rënies së Perandorisë Osmane, te përvoja e Luftës së Dytë Botërore dhe pasojat e saj si dhe te analiza e modeleve politike, ekonomike e shoqërore dhe vendi e roli i tyre në sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare.
Siç konkludon studiuesi kosovar, Zejnullah Gruda... “Autorët e së drejtës ndërkombëtare e përkufizojnë shtetin si institucion i krijuar nga grupi për realizimin e disa qëllimeve, prej të cilave më i rëndësishmi është ruajtja e së drejtës dhe rendit brenda kufijve dhe ruajtja e pavarësisë së popullit në marrëdhënie me popuj të tjerë.”


Përvoja historike dhe aktuale vërteton plotësisht këtë definicion, sipas të cilit funksioni i shtetit është bivalent: funksioni i brendshëm dhe funksioni ndërkombëtar.

Nga kjo ndërlidhje e ndërvarësi buron parimi qënësor sipas të cilit është karakteri i brendshëm i shtetit, politikat e tij të brendshme që diktojnë edhe politikën e tij të jashtme, diplomacinë dhe sjelljen e tij ndërkombëtare përgjithësisht.  Nuk ka ndodhur, përgjithësisht, që të këtë inkonvenienca, pra, mospërputhje ndërmjet karakterit të brendshëm të një shteti dhe sjelljes së tij ndërkombëtare.


Nga kjo aksiomë, tanimë e sprovuar, rrjedhin konkluzionet se: së pari, demokracitë prodhojnë paqe të brendshme dhe gjenerojnë paqe ndërkombëtare; së dyti, shtetet totalitare, diktaturat prodhojnë shtypje e dhunë të brendshme dhe gjenerojnë probleme, tensione dhe kriza ndërkombëtare. Dhe kjo është logjike. Një shtet që shtyp popullin e vet, nuk ka përse të hezitojë të shtypë edhe popuj të tjerë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat