Tani më, kur lufta në Ukrainë ka hyrë në muajin e dytë, dhe kur askush nuk mund ta parasheh epilogun e saj shumë tragjik për popullin ukrainas, as se si do duken kufijtë shtetëror të saj pas përfundimit të agresionit ushtarak rus, se çfarë do jetë fati i popullit dhe shtetit të Ukrainës, se si do duket Evropa, por edhe vetë Rusia pas përfundimit të luftës, është pothuajse e pamundur të jepen përgjigje dhe konstatime të sakta në pyetjet e shtruara më lartë. Por, një gjë është e sigurt, dhe këtë e kanë thënë shumë liderë botërorë, se bota, sidomos Evropa, nuk do jenë kurrë më ato që ishin para 24 shkurtit 2022..!?
Por, janë dy gjëra që kanë ndodhur në dy ditët e fundit të cilat dua t’i shtroj këtu;
E para, është vizita në Shtëpinë e Bardhë dhe takimi i ambasadorit (çetnik) të Serbisë, Marko Gjuriç me presidentin e SHBA-ve, Joe Biden, dhe
E dyta, deklarata e Edi Ramës, se “është Ballkani i hapur, ai i cili dy herë e rreshtoi Serbinë krah Perëndimit, pra kundër Rusisë..”..!?
Pra, sa i përket vizitës së ambasadorit të Serbisë, Marko Gjuriç, në Shtëpinë Ovale dhe takimin e tij me presidentin Biden, sipas bindjes time të thellë, nuk është kurrfarë fitore diplomatike e Serbisë në marrëdhëniet e saj me SHBA-të, veçse është një shans për Serbinë i dhënë nga State-Departamenti amerikan i shtetit, që ta joshë Serbinë që të rreshtohet, sa nuk është ende vonë, me botën perëndimore, e jo me Rusinë fashiste të kriminelit të luftës, V. Putin. Kjo, po qese Serbia vërtetë dëshiron të mbijetojë si shtet evropian, përndryshe rreshtimi i Beogradit zyrtar me Rusinë fashiste, nënkupton qartë zhbërjen graduale të popullit dhe shtetit serb, i cili edhe ashtu është duke shkuar drejtë zvogëlimit të numrit të popullsisë, siç e tregojnë këtë trendët aktuale të rënies së natalitetit në Serbi..!?
Se, regjimi diktatorial i Beogradit zyrtar gjendet para dilemave historike, këtë më se miri e tregon qëndrimi gjithnjë pro-Rusisë, duke mos i vënë sanksione ekonomike si gjitha vendet e Evropës perëndimore, por edhe mos votimi (abstenimi) i përfaqësueseve serb në Asamblenë parlamentare në Këshillin e Evropës kundër përjashtimit të Rusisë me 16 mars, për dallim nga votimi i fundit në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ku përfaqësuesi i Serbisë votoi pro-pezullimit të Rusisë nga Këshilli për të Drejtat e Njeriut pranë kësaj organizate me 7 prill 2022.
Kështu që, lidhur me kritikat e ashpra që i mori nga zyrtarët rus dhe opozita në Serbi, për votimin pro largimit të Rusisë nga Këshilli i të drejtave të njeriut pranë OKB-së, presidenti serb A. Vuçiq, deklaroi dje, se kishim “presion të madh” nga Perëndimi për ta bërë një gjë të tillë..!?
Andaj, duke u bazuar në zhvillimet e fundit politike në Evropë si dhe zhvillimet gjithnjë më tragjike të luftës në Ukrainë, mendoj se dilemën hamletiane zyrtarët serb në Beograd; “me Rusinë, apo me Perëndimin”, e kanë zgjidhur me zor, duke u përcaktuar për variantin pro-perëndimorë por pa u deklaruar publikisht, qëndrim ky i cili me siguri se do sqarohet në ditët dhe javët në vijim !
E dyta; lidhur me deklaratën banale dhe fare pa sens politik të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhënë sot mediave, “Se çdo shqiptari i vije mirë kur për dy herë rresht Serbia bashkohet me Perëndimin në Kombet e Bashkuara kundër Rusisë, dhe se kjo nuk do të kishe ndodhur pa Ballkanin e Hapur, dhe se “jemi shumë të vendosur të ecim me Ballkanin e hapur, le të thonë çfarë të duan përqafuesit e turbo-folkut nacionalist, ne do vazhdojmë me Ballkanin e hapur..”(!?), vërtetë një deklaratë e këtij lloji absurd, flet shumë qartë për mjerimin politik të Edi Ramës, thua se nuk jeton fare në planetin tokë, duke mos e kuptuar faktin, se rendi botëror i cili ka ekzistuar deri më 24 shkurt 2022, kur fillon invazioni rus mbi Ukrainën, ka rënë përgjithmonë.
Ndaj të flasësh sot broçkulla të tipit “Ballkani i hapur” me Serbinë fashiste, ose të ligjërosh për Socializmin komunist ruso-sllavo-ortodoks, si ideologji dhe platformë e Partisë socialiste (PS) në krye të cilës gjendet Edi Rama, thënë më së buti, është idiotizëm i kulluar si dhe anti-shqiptarizëm i sojit më ekstrem që kombi shqiptar nuk i ka përjetuar në historinë tij shekullore..!?