Arrestimet po afrohen, kush e ka radhën të shkojë në Hagë?!

Opinione

Arrestimet po afrohen, kush e ka radhën të shkojë në Hagë?!

Nga: Faton Mehmeti Më: 19 prill 2022 Në ora: 21:12
Faton Mehmeti

Që pas arrestimit të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, ndaj të cilëve akoma s`ka filluar procesi gjyqësor me prokurorinë që kërkon kohë, në vazhdimësi janë atakuar emra të ndryshëm, të cilët mund të arrestohen nga Gjykata Speciale.

Mediat në vendin tonë shkruajnë se shumë shpejt do të fillojnë arrestimet të tjera, ndonëse nga Specialja s`ka konfirmim, edhe siç pritet. Emrat e mundshëm mund të jenë ish udhëheqës të lartë të luftës, por jo vetëm. Paraprakisht të kujtojmë se në aktakuzën e Speciales, pretendohet se Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të dyshuarit e tjerë të akuzuar janë përgjegjës për rreth 100 vrasje. Krimet e pretenduara në aktakuzë përfshijnë qindra viktima të njohura shqiptarësh , serbësh, romësh dhe të etnive të tjera të Kosovës, si dhe përfshijnë kundërshtarë politik. Të kujtojmë se kjo Gjykatë ishte themeluar pas publikimit të një raporti nga senatori zviceran, Dick Marty, i cili kishte shkruar se gjatë luftës në Kosovë janë kryer krime dhe është bërë trafikim me organe nga luftëtarët vendas. për t’i hetuar këto akuza ishte emëruar fillimisht Prokurori, Clint Williamson, i cili kishte thënë se do të ngritën përafërsisht dhjetë aktakuza ndaj ish-udhëheqjes së UÇK-së.

“Ne besojmë se Task Forca do të jetë në gjendje të ngrejë aktakuza kundrejt disa ish-drejtuesve të lartë të UÇK-së për krime kundër serbëve, romëve dhe etnive tjera si dhe Shqiptarëve që janë besuar të kenë qenë bashkëpunëtorë të Serbisë dhe rivalëve politikë”, kishte thënë Williamson, në korrik, të vitit 2014. Ky Prokuror kishte përmendur numrin dhjetë të aktakuzave, por jo edhe numrin e të akuzuarve.

“Kaq, pak a shumë, ndoshta me pak por afërsisht 10 aktakuza”. Në këtë kuptim, duke pasur parasysh se në këtë raport përmenden edhe eksponentët tjerë të UÇK-së Shaip Muja, Azem Syla, Fatmir Limaj, Xhavit Haliti, e Ramush Haradinaj, akoma nuk anë arrestuar dhe nuk dihet se a do të ndodh një gjë e tillë. Ramushi ka qenë dy herë, dhe gjasat janë të vogla që të ndodh një gjë e tillë, ata që janë të rrezikuar për të shkuar janë: Azem Syla, Xhavit Haliti, Shaip Muja, dhe disa figura të tjera të larta të luftës, të cilët janë përgjegjës kryesorë që u themelua kjo gjykatë.

Për më tepër edhe vet shumica nga këta e kanë votuar, me Hashimin në vijën e parë që konfirmonte se “kush nuk e voton Specialen është kundër Kosovës”.

Nëse këta, ish udhëheqësit e luftës s`do e kapnin drejtësinë, kurrë s`do të ndodhte specialja. S`ka ndodhur asnjëherë që të ngrihet një gjykatë si e Kosovës, s’kishte nevojë ngase në shtetet e dala nga lufta ishin vet organet e drejtësisë që punonin të pavarura. Rasti i Kroacisë, e cila ka arritur me shumë sukses të shkëpus drejtësinë nga politika, ku janë shqyrtuar të gjitha pretendimet për pa-rregullsi gjatë dhe pas luftës.

Specialja u formua ngase këtu nuk kishte drejtësi, ajo ishe në shërbim të politikës, të të “fortëve” që janë disa sot në Hagë e disa akoma jo. Ata që janë sot në Hagë dhe ata që pritet të shkojnë, ngase Specialja nuk është formuar për 5-6 njerëz, sikur të punonin për të mirën e vendit, të mos e kapnin drejtësinë me afera “Pronto”, sikur mos të punonin vetëm për xhepat e tyre, do të gëzonin mbështetje të madhe nga të gjithë qytetarët, por jo, nuk e meritojnë. Për më tepër edhe sot e “zhvatin” buxhetin e shtetit me miliona për avokatët, vizita familjare etj, ndonëse s’kanë lënë gjë të shëmtuar pa bërë kundër popullit të tyre.

Një pikëpyetje vazhdon të sorollatet poshtë e lartë, pse Specialja nuk ka arrestuar që 1 vjet e gjysmë asnjë person tjetër, apo pritet që së shpejti të ketë arrestime. Arrestimet mund të tronditin jo vetëm një person apo familjen e tij, por edhe ndonjë subjekt politikë. Realisht, arrestimet nuk janë të mira, do të ishte e duhur që Kosova të kishte drejtësi të pavarur dhe pretendimet çfarëdo qofshin të trajtohen këtu, në mungesë të drejtësisë së pavarur u krijua kjo Gjykata, që po i godet vet ata që e votuan.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat