Mungesa e vlerave të profilit intelektual në shoqërinë Shqiptare!

Opinione

Mungesa e vlerave të profilit intelektual në shoqërinë Shqiptare!

Nga: Ismail Muçiqi Më: 28 prill 2022 Në ora: 19:50
Ismail Muçiqi

Fjala intelektual gjithmonë ka pasur dimension të gjerë në çdo familje Shqiptare. Gjeneratat e tëra kanë ëndërruar dhe kanë punuar që djemtë dhe vajzat ti shkollojnë dhe edukojnë duke e ndërtuar profilin e kuptimit intelektual si vlerë shoqërore dhe kombëtare. Domethënia dhe kuptimi i personalitetit intelektual, do të thotë njeri i shkolluar, i edukuar, i përcaktuar për punën dhe profesionin njeri me integritet, i drejtë, me vlera humane dhe njerëzore, njeri shembull në familjen dhe rrethin ku jeton.

Këto janë virtytet e një intelektuali i cili i duhet shoqërisë dhe i cili duhet të jetë udhë rrëfyes dhe shembull pozitivë i ndryshimeve të rrethanave në një shoqëri e cila është e ngulfatur nga servilizmi, nga interesat e ngushta, nga epshet e ulëta primitive, nga mendësia dhe mentaliteti konservativ. Intelektuali i mirëfilltë është vlerë e cila i ndihmon shoqërisë për të ecur ne hap me kohën, duke sjell frymë dhe ide të reja të progresit në të gjitha lamitë e jetës shoqërore.

Mjerisht këto vlera vite me radhë janë zbehur te një pjesë e madhe e njerëzve të cilët krenohen me tituj shkollor por në anën tjetër këtyre “intelektualeve” u mungojnë vlerat elementare të cilat i përmendem më lartë e të cilat e krijojnë personalitetin e njeriut të profilit intelektual. Pas luftës në Kosovë një pjesë e njerëzve pa integritet vrapuan pas lakmisë materialo financiare duke marruar diploma dhe tituj shkel e shko pa asnjë meritë duke humbur dhe përdhosur integritetin personal të individit intelektual. Këto sjellje të pamoralshme duke u shndërruar në karakter të servilit, të pulentit. Shumë individ arritën të marrin pozita, që nuk i meritonin.

Kështu individët e caktuar përmes klaneve dhe grupeve morën pozita në institucionet më të ndryshme të Shtetit të Kosovës. Njerëzit e padenjë, padije dhe pa integritet u futën në sistemin e arsimit deri në nivelin më të lartë akademik. Këta njerëz të padenjë, e degraduan sistemin edukativo arsimorë në të gjitha nivelet e sistemit të Arsimit. Sot niveli i dijes te shumica e nxënësve dhe studentëve është për tu dëshiruar, një pjesë e pseudo intelektualeve u rreshtuan pas partive politike për interesat personale. Kjo mënyrë e sjelljes dhe e veprimit e ka goditur rëndë integritetin dhe moralin e intelektualit njeri.

Të rrallë janë njerëzit që me të drejtë luftojnë përmes formave të demokracisë për ti mbrojtur vlerat tradicionale dhe kulturën e popullit që dikur ishte vlerë për lakmi. Sot njerëzit me tituj të ndryshëm shkollor të cilët ja arritën në kaosin e pas luftës kanë depërtuar thellë në institucionet shtetërore pa u vlerësuar me meritokracia. Dhe kështu po ja zënë frymën ardhmërinë e këtij vendi. Në fund po theksojmë se më shumë se asnjëherë më parë kemi nevojë për një vetëdijesim të gjithanshëm kombëtar.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat