Të premten, më 29 prill 2022 kanë hyrë në fuqi rregullat e paralajmëruara nga Kryeministri Edi Rama në nisje të mandatit të tretë të qeverisjes, dhe të miratuara në shtator të vitit të shkuar nga Këshilli i Ministrave. Për të qenë objektivë dhe mos i paragjykuar dhe kundështuar në këndvështrimin formal e parimor, janë të nevojshme, bile edhe shumë të vonuara.
Kryeministri Edi Rama, ndoshta duke parë, dëgjuar e lexuar se disa ministra e ministresha po harxhonin më shumë kohë për udhëtime jashtë vendit apo për dreka e darka të rënda, së bashku me ekipe ministrore apo me miq biznesnenë, se sa për detyrat qeveritare e në dobi qytetare, më në fund vendosi t'ua mbledhë apo t' u verë nga një fre për gjatë ditëve të punës.
Konkretisht, sipas ndryshimeve në këtë kod, ministrave do t’u ndalohet me ligj takimi me biznesmenë. Ata s’mund të pranojnë bileta të paguara nga persona dhe kompani private apo të frekuentojnë bare e restorante gjatë ditëve të punës.
Ministrave iu ndalohet bixhozi dhe të mos hyjnë në asnjë ambient lojërash fati. Po ashtu ata duhet të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor.
Kodi i ri Etik lejon takimin me grupe biznesi vetëm në prani të 2 nëpunësve publikë, të cilët mbajnë shënime në një regjistër të posaçëm për minutat e takimeve, identitetin e personave dhe çështjet e diskutuara.
Ministrat do të ndalohen tashmë ligjërisht të udhëtojnë me “Bussines Class” brenda Europës, të përdorin sallën VIP të aeroportit apo makinën e punës për familjarët në momentin që nuk janë vetë të pranishëm.
Po ashtu është e ndaluar dhe organizimi i festave për personelin me fondet e buxhetit apo pushimet jashtë vendit. Frekuentimi i bareve dhe restoranteve do të lejohet gjatë pushimeve zyrtare vetëm në rast të eventeve familjare dhe shoqërore, apo aktivitete që lidhen me punën dhe për të cilat është marrë leje. Një tjetër pikë e Kodit të ri Etik thotë se të gjitha dhuratat që marrin ministrat do të përdoren si dekor për zyrën ose të dorëzohen në Kryeministri. Nëse anëtari i kabinetit do të bëjë një nga këto shkelje, ose duhet të kërkojë ndjesë publike ose do shkarkohet menjëherë nga detyra.
Siç kuptohet teksti i kodit etik ka disa ndalesa, që do të përjetohen keq dhe me pakënaqësi nga ekipi qeveritar! Atyre nuk u lejohen më, të paktën, nga sa shkruhet në atë, të bëjnë disa qejfe marramendase nëpër vende të tjera, kur shkojnë për vizita zyrtare, gjysëm zyrtare apo krejt turistike. Gjithashtu ministrave dhe ministreshave u ndalohen gjatë ditëve të punës të kalojnë orë e ditë të këndshme, të paharrueshme në komplekse hotelerie apo turistike në Shqipëri vetëm për vetëm me miq të vjetër apo të rinj, biznesmenë të mëdhenj e tejet të pakursyer në dreka e darka si dhe nëpër kazino. Merret me mend se bujaria e oligarkëve ndaj tyre nuk ka qenë nuk është thjeshtë për shoqëri e miqësi, por edhe për interesa e përfitime në formën e PPP- ve, tenderave, konçesioneve, të statusit të "investitorit strategjik" në vlera shumëmilionëshe në euro. Sidomos lënia e dhuratave në zyrë apo dorëzimi i tyre në kryeministri do të jetë një sakrificë e madhe, oreks dobësuese dhe gjumëprishëse për ditë e netë të tëra për qeveritarët...
Me një dozë humori: të ndalosh ministrat dhe zyrtarët e tjerë të lartë qeveritarë të mos takohen apo të mos kenë lidhje të tjera shoqërore, miqësore, ortakërore, biznesore..., me bosë apo oligarkë, sidomos nëpër kazino e vende të tjera me rrezikshmëri harbimi e kompromentimi, është njësoj sikur t'u ndalosh marrëdhëniet intime, seksuale, çifteve që flejnë për natë në të njenjtët krevatë!!! Megjithatë, le të shpresojmë dhe besojmë se ky kod nuk do të hyjë në historinë e mandatit të tretë të qeverisjes Rama si një nga farsat e saj të shumta, me doza të forta hipokrizie dhe demagogjie! T’I lutemi ZOTIT në qiell që të na ndihmojë të përjetojmë përmbushjen qoftë edhe 25% të rregullave dhe kërkesave të këtij kodi etik ministror dhe që mos ta kujtojmë, siç jemi mësuar gjatë mbi 77 vjetëve, si një meteor...!