Kush duhet të ndryshojë, Europa apo...Edi Rama???

Opinione

Kush duhet të ndryshojë, Europa apo...Edi Rama???

Nga: Xhevat Mustafa Më: 25 gusht 2022 Në ora: 08:08
Xhevat Mustafa

Në Forumin Europian Alpbach 2022, zhvilluar në Austri më 24 gusht 2022, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, këtë herë me ton më të zbutur, se në intervistat dhe deklarimet para hapjes së negociatave të anëtarësimit në BE,por edhe në formë kontradiktore dhe kundërshtuese të vetvetes nga përpjekja për të bërë diplomaci, i vazhdoi vërejtjet dhe kritikat e tij personale ndaj BE- së. Në një intervistë, të publikuar edhe në TV Klan, më 24 gusht 2022, mes të tjerave ai është shprehur: “Nuk e shoh Europën të ndryshojë në asnjë lloj mënyre. Në rregull, më shumë solidaritet, më shumë ndjesi përbashkësie, më shumë takime, por Europa është e mirë për të bërë më shumë takime, nuk ka problem aty. Çështja është se si vetë Europa po ndryshon dhe nuk duket sikur po ndryshon në asnjë farë mënyrë...”

Duke mos e kundërshtuar për kritikat apo vërejtjet me vend e të logjikshme, sidomos në vonesën absurde dhe të pajustifikueshme për liberalizimin e vizave për Kosovën, në këtë shkrim, do të ndalem në analizimin shkurt vetëm të konstatimit të tij: "nuk e shoh Europën të ndryshojë..."!

Natyrisht, pa e vlerësuar Europën, as atë në BE si ideale, si të pameta e jo si të pakritikueshme, kjo çka thotë Edi Rama, është një konstatim dhe apel tejet subjektiv, jo i arësyeshëm, jo bindës.... Prandaj, me siguri, nga shumica e ndërkombëtarëve europianë dhe e shqiptarëve, mund të mos këtë fituar vëmëndje dhe ndonjë dozë dëshire për vetëanalizim, reflektim, kthesë të lehtë apo më të fortë.... Ndoshta, për “traditë” apo shprehi rreth 9 vjeçare, mund të jetë pritur edhe me nënqeshje e jo seriozitet, si shumçka, që del nga ky...burrështet! Është lehtësisht e nënkuptueshme se Edi Rama e ka hallin tek mbijetesa dhe zgjerimi i "Ballkanit të hapur" Vuçiç- Rama- Soros, që Europa të ndërrojë mendje e të heqë dorë nga shinat dhe shtyllat e Samitit të Berlinit. Edhe me kartën e qarjes së hallit të Kosovës për tejzgjatjen nga BE të liberalizmit të vizave për kosovarët, Edi Rama, në mënyrë figurative, me një gur synon të “vrasë dy zogj”. Edhe të fitojë pikë si shqiptar i përgjëruar edhe për Kosovën, edhe të shtyjë BE-në të rrisë presionet ndaj Albin Kurtit, që të heqë dorë nga kundërshtimi për përfshirje në “Ballkanin e hapur”.

Parë nga shumica e kënvështrimeve apo drejtimeve, Europa i ka mirë punët e veta e do të bënte vetëvrasje politike, ekonomike, financiare, sociale..., sikur të ndryshonte, siç "e mëson" apo siç i kërkon Edi Rama nga Shqipëria, nga vendi i fundit, sipas klasifikimeve më të freskëta europiane për nga niveli i zhvillimit, i pagave, pensioneve, mirëqeniejes; për numrin e mjekëve për 1.000 banorë...Njëkohësisht, nga “vendi i parë” po nga klasifikimet më të freskëta kontinentale, për korrupsion, emigracion, kriminalitet në raport për frymë popullsie; për trafiqe drogërash, pastrim miliardash, kanabizim, kullëzim 30- 40 katësh mbi gërmadha objektesh trashëgimie e kulture në qender të Tiranës, Durrësit, Vlorës, Sarandës..., për inceneratorë në letra..., ose të blerë në vende të tjerë me çmime 3-4 fish më të lartë( vetëm në fatura) e shumica të përdorur..prej rreth 30 vjetësh !!! Apo, po e “e para” edhe për çmimet më të larta apo më të çmendura në raport me nivelet e pagave, të pensioneve e të shumës së mbështetjes sociale, për shumicën e artikujve të jetesës së përgjithshme; të shërbimeve mjeksore; të faturave të strehimit, ushqimit, të çadrave dhe shezlongeve në komplekset turistike në plazhe; të karburanteve...

Në Forumin e Alpbachut Edi Rama u qa dhe i lëshoi kritika BE-së se nuk e ka ndihmuar sa duhet Shqipërinë edhe për lehtësimin e rrjedhojave të termetit të 26 nëntorit 2019 e të Covid 19. Por, disa fakte e kundërshtojnë dhe “i kujtojnë” se duhet t’i jetë më shumë mirënjohës EUROPËS. Më 7 tetor 2020, në konferencën e përbashkët për shtyp të Kryeministrit Edi Rama dhe Komisionerit për Zgjerimin të Bashkimit Europian, Olivér Várhelyi, pas takimit mes tyre, Edi Rama ka deklaruar, krahas të tjerave:”...Komisioneri, Komisioni Europian nuk kanë qenë këtu thjesht për të na ngushëlluar dhe për t’u solidarizuar me ne në momentet e tragjedisë. Nuk kanë qenë me ne as thjeshtë në momentin kur falë tyre, nën drejtimin e Presidentes së Komisionit u thirr një Konferencë e paharrueshme solidariteti për të gjithë popullin shqiptar, nga ku morëm një mbështetje të madhe. Nuk kanë qenë këtu, as thjesht dhe vetëm përmes Komisionit, për të vazhduar implementimin e Programit të Rindërtimit në sektorin e rindërtimit të shkollave dhe të monumenteve të kulturës. Por megjithëse COVID-i goditi drejtpërdrejtë të gjithë, mëgjithëse COVID-i vuri në vështirësi Bashkimin Europian dhe çdo vend të Bashkimit Europian, Komisioneri ka qenë telefonata e parë nga jashtë, nga ajo zonë e kontinentit, që quhet Bashkim Europian, për të më garantuar që Bashkimi Europian, Komisioni do të jetë pranë Shqipërisë, pranë rajonit edhe në këtë faze, pavarësisht vështirësive që ka patur... “

Po kështu, jo shumë larg në kohë, por më 5 nëntor 2021 nga Ministria e Financave dhe e Ekonomisë është publikuar në media edhe ky informacion “BE, 90 milionë euro ndihmë makro-financiare për Shqipërinë për të trajtuar pasojat ekonomike të pandemisë COVID-19...”. Atëherë: cilit Edi Rama t’i bësojmë?Atij më 7 tetor 2020, më 5 nëntor 2021 apo këtij më 24 gusht 2022 në Alpbach???!!!

Duke ia kujtuar të gjitha këto fakte, absurditete, skandale...vetë krerët e BE-së, mund t'ia kthenin në SHQIP Edi Ramës, kryeministrit aksidental dhe fatal të Shqipërisë: në të kundërt, je ti dhe Shqipëria jote si vend e si popull që duhet të ndryshojnë mendt, "duke marrë" ata të Europës, sidomos të vendeve të Perendimit, me të vërtetë DEMOKRATIKE, me shtete ligjorë funksionalë, me nivele të larta zhvillimi, pagash, pensionesh, politikash sociale, mirëqenieje...,Mjafton vetëm një fakt, duke “i harruar” shumë të tjerë, për të bërë tëqartë se kush ka më shumë nevojë për mendt e njera-tjetrës. Nga vende të BE-së, pra të EUROPËS, vijnë në Shqipëri me dhjetra mijëra europiano-perendimorë çdo verë si turistë, pra krejt ndryshe siç shkojnë çdo vit nëpër ato, si emigrantë, dhjetra mijëra shqiptarë. Ndërsa europiano-perendimorët vijnë në Shqipëri për qejfe, kënaqësi dhe relaksim, shqiptarët varfanjakë e shpresëpakë shkojnë në vendet perendimore të BE-së që të kërkojnë punë, paga e nivele jetese shumë më të larta,shtete më njerëzorë, që u mungojnë në Shqipërinë e qeverisur prej 9 vjetësh, sipas mendjes së Edi Ramës, që ai ia ofron falas edhe Europës, në formë kritikash, vërejtjesh, propozimesh, këshillash...!!!???

E pra, cila do të ishte përgjigja më e saktë e pyetjes në titull: kush e ka të domosdoshme dhe urgjente të ndryshojë mend, qëndrime, veprime... apo të marrë mend nga njera -tjetra: BE-ja, EUROPA nga Shqipëria e Edi Ramës apo Shqipëria edramjane, kryeministri i saj, qeveria, partia, populli i tij...nga EUROPA???

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat