Gjatë 9 vjetëve të kryeministërllëkut të Edi Ramës ka pasur shumë përfolje apo thashetheme, interpretime subjektive apo të sakta, për veprime dhe mosveprime të tij; për emërime dhe shkarkime zv.kryeministrash, ministrash, Drejtorësh të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.... Po kështu, edhe për deklarime kritike, “pa doganë” apo pa vetëkontroll dhe etikë diplomatike, sidomos gjatë samiteve të BE-së si dhe gjatë 3 vjetëve të fundit apo të parat në kuadër të “MiniShengenit ballkanik”ose “Ballkanit të hapur”; për fotot shumë miqësore dhe “vëllazërore” me Xhorxh dhe Alex Soros si dhe me Aleksandër Vuçiçin...Apo në Shqipëri, me Vangjush Dakon, Gjergj Lucën... dhe disa të tjerë “investitorë strategjikë”, ose me disa ish ministra, ish deputetë dhe ish kryebashkiakë socialisto-rilindas, aktualisht nëpër qeli burgjesh...Duke vijuar, ai është bombarduar në media dhe rrjete sociale, në Shqipëri, Kosovë, MV, Diasporë...,me komente mospëlqyese dhe diskretituese edhe për pamjen e jashtme, veshjen, modelet dhe ngjyrat e tyre, për sytë dhe pjesët e nënsyve; për afeksione dhe maniera të tij, për kartelën e tij mjeksore, botuar së pari nga “gazeta e tij”, domethënë nga “TEMA” e mikut të tij, Mero Baze...
Më 2 shtator 2022, Edi Rama u përmbyt nga komentet, kritikat, kërcënimet, mallkimet... për çka bëri e tha në Beograd, gati në një kohë, së bashku me sivëllanë Vuçiç dhe nëpërmjet fadromave, tek “Prestige Resort”, pronë e biznesmenit të madh, shumëfushash, Irfan Hysenbellu. Si i lidhur qysh nga krijimi me një nga mediat e tij të para, me gazetën "Panorama" dhe më vonë në “GAZETA SHQIPTARE”, ku në vitet e tyre të para kam botuar me reklamim në f.1 rreth 300 analiza, komente, opinione, të paguar me honorare të mirë dhe për disa muaj edhe me pagë mujore të mirë, ndjeva një dozë të lehtë keqardhje për çka përjetoi ai dje. Por, kjo ka edhe të mirën se Irfanit, dhe, nëpërmjet tij shumicës së SHQIPTARËVE, iu dha një mësim i ri apo një mesazh i vjetër, që ai duhej t'i dinte mirë prej shumë vitesh më parë! E kam fjalën për faktin se këta socialisto- rilindasit, e kanë traditë 78 vjeçare, të hajnë bukën e të përmbysin mbi kokë kupën!
Po nga Beogradi, më 2 shtator 2022, Edi Rama, më pak dhe Vuçiç më shumë, u dendën në verëra të kuqe e të bardha. Presidenti i Serbisë me perspektivë “rritjeje disa formëshe”, në se “Ballkani i hapur” marshon nga “fitorja në fitorje”, ka të drejtë të dehet nga gotat me verë e nga gëzimi!!! Falë "vëllazërisë" me Edi Ramën dhe "bujarisë" së tij, duke mos qenë edhe i dehur, ka arritur personalisht dhe si vend një fitore të re, të pamerituar e të papritur!
Më herët, qysh në ditën e parë, pra më 1 shtator,në “Festën e verës”(Verërave), pa filluar akoma pirjen e tyre, Edi Rama, për humor dhe për të fituar sa më shumë vëmendjen dhe pëlqimin e të pranishmëve, lëshoi një broçkull fyese për gjuhën shqipe dhe të gjithë shqiptarët, duke i gëzuar serbët, maqedonasit, ruswt, grekwt, malazezwt...e pranishëm me cilësimin “gjuhë e çuditshme”. Nuk është as e para dhe as e fundit që del nga goja e këtij “kryeministri të çuditshëm” për shumçka mban “autorësinë” apo firmën e tij, pra edhe për humorin e trashë apo talljet me popullin, vendin, shtetin, kombin, gjuhën… e vet. Natyrisht, një ish basketbollist dhe piktor i rëndomtë, mund të bëhej kryeministër, vetëm në një vend e nga një popull, prej 78 vjetësh, të çudirave apo "të çuditshëm"!!! Dy nga më të mëdhatë dhe absurdet: partishmëria majtiste dhe durimi përtej njerëzor, sidomos i “popullit të majtë”, për të pritur 78 apo 156 vjet t' i përjetojë premtimet përralleske të partisë së zemrës dhe të kryetarëve të tij!!!
Si për t’i vënë kapakun, emrin apo vulën, takimit të 1-2 shtatorit 2022, në Beograd, në kuadër të “Ballkanit të hapur”,presidenti serb, mes dehjes dhe euforisë, deklaroi se nëpërmjet “Ballkanit të hapur”, “ në këta 3 vjet kemi marrëdhëniet më të shkëlqyera me Shqipërinë…”
Duke mos ia ngrënë hakun, Vuçiç është i sinqertë! Falë Edi Ramës ka rilindur "dashuria", "vëllazëria", "bashkimi", "bashkëjetesa"...të ndërprerë më 1948 mes shokëve Tito dhe Enver!
Referuar jo vetëm kësaj deklarate, por gjithë dosjes 9 vjeçare me veprime dhe deklarime, me me masakra apo gjëma urbanistike dhe ambjentaliste, edhe mbi identitetin dhe trashëgiminë historike, tradicionale, demografike, kulturore; me eksperimente, dështime, skandale, me fatura tmerrësisht të larta korruptive... të Edi Ramës, mund të mendohet dhe thuhet se për plot SHQIPTARË Edi Rama "është shqiptar sa dhe si Enveri"! Domethënë, shqiptar me fjalë, premtime, parrulla, përralla, parada, këngë, valle..., për shumicën e popullit me barkun bosh dhe gjunjët gati me u këput dhe me sytë nga Perendimi, sa më shpejt prej këtij vendi apo “ferri tokësor” me u zhduk…!
Të gjithëve atyreve që e urrejnë, përbuzin, mallkojnë…, jo subjektivisht, jo thjeshtë për motiv politik apo partiak, pra edhe jo pa të drejtë Edi Ramën, qysh kur erdhi nga trotuaret dhe koshat e plehrave të Parisit; për gjithçka ka bërë e thënë gjatë 13 viteve si kryebashkiak i Tiranës dhe në këta 9 vjet si kryeministër, me kulm “të bërat dhe të pabërat”, shprehjet me humor apo seriozitet, me “zgjuarsi” apo “naivitet”, në Beograd, më 1 dhe 2 shtator 2022, do t’u këshilloja fare shkurt: "Mos ia vini re": është një ish basketbollist, më shumë rezervë apo stoli dhe një piktor pa... një kryevepër! Kaq di e këto bën...!Mos prisni prej tij, që të bëjë punë dhe veprime, që t’ju lënë pa gojë e pa...mend!