Grevënxirësit

Opinione

Grevënxirësit

Nga: Binak Ulaj Më: 20 shtator 2022 Në ora: 12:18
Autori Binak Ulaj

Si qytetar e, veçmas, si punëtor shumëvjeçar i arsimit, përpos periudhës kur kjo punë më është pamundësuar dhe ndaluar, po e përcjell, me shqetësim, për shumë arsye, rrjedhën dhe përmasën kohore të grevës së punëtorëve të arsimit dhe të çerdheve.

Ndonëse me vite të tëra është folur, shkruar e faktuar se qarqe e vetje të caktuara, përveç tjerash e kanë gllabëruar pronën publike dhe buxhetin e shtetit, s' kam mundur ta marr me mend se edhe shumica e punëtorëve të arsimit, të nxitur nga po ato qarqe e vetje, do të pajtohen e cenojnë rëndë të drejtën themelore për shkollim të fëmijëve e të rinjve që u besohen. Mosmbajtja e mësimit për mbi treqindë e njëzet mijë nxënës tani, në kohën kur për herë të parë pas më se një shekulli, na është dhënë mundësia të punojmë të lirë e të pavarur falë sakrificës së brezave e brezave, të kurorëzuar me fitoren e luftës heroike të UÇK-së, është komprometim i arsimit shqip.

Duke marrë parasysh gjendjen e përgjithshme nëpër të cilën ka kaluar e po kalon shteti ynë, kërkesat e SBASHK-ut për shpërblim shtesë, të diferencuar nga kategoritë tjera, e komprometon vetëdijen shtetformuese të arsimtarëve.

Kërkesa e SBASHK-ut për të vazhduar grevën, me arsyetimin se "Qeveria nuk po reflekton", nënkupto, nuk pajtohet të shkel ligjin e t'u paguajë, krahas rrogës, edhe nga 100 euro, në emër të përballimit të kostos së jetesës të rënduar nga kriza globale, thua se kriza nuk i ka goditur edhe kategoritë tjera, është fyerje e dinjitetit dhe e etikës së mësimdhënësve

Nuk e di nëse janë të vetëdijshëm mësimdhënësit për atë se çfarë mesazhi u japin miqve dhe armiqve tanë me lënien e stërzgjatur të nxënësve jashtë bankave të shkollës, për shkak të mosplotësimit të kërkesave të padrejta.

Është obligim qytetar e moral i gjithë atyre që kanë sakrifikuar e vazhdojnë të jenë të gatshëm të sakrifikojnë që Kosova të jetë shtet i përparuar demokrat, të ngrenë zërin dhe të marrin masa të arsyeshme për tejkalimin e gjendjes së krijuar dhe t'i japin fund viktimizimit të fëmijëve e rinisë sonë nga qarqe e vetje të papërgjegjshme.

Është obligim i punëtorëve të arsimit t'i kthehen punës e të mos vazhdojnë t'i nxijnë edhe më faqet e historisë së arsimit shqip, çfarë s'ka ndodhur më parë, se, pastaj, s'besoj se do të mund t'i shlyejnë më.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat