Se situata gjeopolitike dhe e sigurisë në Evropë, përfshirë rajonin e Ballkanit perëndimor, çdo ditë e më tej po bëhet më e komplikuar, për këtë flasin indikatorë të shumtë, në rënd të parë, angazhimi i shtuar diplomatik i BE-së dhe SHBA-ve për ta ndihmuar popullin e Ukrainës në rezistencën e tij heroike kundër sulmeve barbare të ushtrisë ruse, gjegjësisht për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi..(!?)
Për Kosovën situata politike dhe e sigurisë në Ballkanin perëndimor vazhdon të jetë me rreziqe të mëdha për shkak të politikës së vazhdueshme hegjemoniste të Serbisë ndaj Kosovës, me theks të veçantë të rrezikut nga ndikimi diversant rus edhe në Serbi, gjë e cila Evropën perëndimore dhe aleaten e saj, SHBA-të, i ka vënë në një situatë tejet të vështirë diplomatike.
Prandaj, kur flasim për Kosovën dhe raportet e saj me Serbinë, e cila qe 22 vite po e mbanë peng pavarësinë e saj, duke ndërmarrë lloj-lloj shantazhesh me qëllim të zhbërjes së shtetit të Kosovës, qoftë përmes kërcënimeve dhe provokimeve ushtarake afër kufirit me Kosovën, qoftë me veprime provokuese të “Listës serbe” në veri, qoftë në arenën ndërkombëtare duke lobuar për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës tek shumë vende mike të Serbisë (sipas gënjeshtrave të Beogradit zyrtar janë 17 vende që i kanë tërheq njohjet), etj., etj., e gjithë kjo djallëzi serbe ka bërë që politika dhe diplomacia e BE-së dhe e SHBA-ve ta rrisin dukshëm aktivitetin dhe përpjekjet që mes Kosovës dhe Serbisë të gjendet një zgjidhje e pranueshme dhe sa më shpejtë që është e mundur!
Mirëpo, përveç rritjes së presionit diplomatik ndaj Kosovës dhe Serbisë që të gjejnë ndonjë kompromis për të arritur një marrëveshje të pranueshme për të dyja palët, siç po shihet kohëve të fundit në fokus të kërkesave të BE-së dhe SHBA-ve është gjendur çështja e formimit (patjetër) të Asociacionit të komunave me shumicë serbe me kompetenca ekzekutive, kërkesë e cila Kosovën e ka vënë në një pozitë tejet të vështirë.
Kjo kërkesë e tyre pa dyshim se Kosovën e ka vu para dilemave tepër të mëdha, kur kihet parasysh fakti se pranimi i një kërkese të tillë nënkupton hiç më pak se formimin e “Republika srpska” të dytë bë Ballkan brenda Kosovës, e cila sovranitetin dhe pavarësinë e saj do ta copëton nga brenda si sëmundja e kancerit malinj që njeriut ngadalë ia mbytë qelizat organike deri në vdekje..!?
Sido që të jetë, unë nuk besoj se miqtë tanë amerikan dhe evropian me fajin tonë nuk e kanë kuptuar sa duhet faktin, se formimi i një asociacioni të tillë të komunave me kompetenca ekzekutive, çfarë po e kërkojnë serbët qe 11 vite, siç kishte propozuar edhe Instituti gjerman “Ebert-Stiftung”, zyra në Prishtinë, në Draft-Statutin e tij skandaloz, jam kategorik në qëndrimin, se formimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, duhet të refuzohet fuqishëm nga institucionet tona shtetërore, qoftë edhe me çmimin më të lartë për popullin shqiptar dhe Kosovën!
Sepse, dhënia faktikisht e autonomisë serbëve lokalë në Kosovë dhe atë me kompetenca shtetërore, shto kësaj eksterritorialitetin e kishave ortodokse serbe në Kosovë, etj., ky akt do të ishte, pa asnjë mëdyshje, fundi i pavarësisë dhe shtetësisë së Kosovës. Pra, do të ishte vetëvrasje kolektive për popullin shqiptar me pasoja të paparashikueshme për të ardhmen, jo vetëm për Kosovën, por për gjithë kombin shqiptar..!?