Me gjasë kjo është orvatja e radhës e perëndimit Euro - Atlantik, për arritjen e një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë – pra marrëveshje obligative!.
E veçantë e kësaj iniciative, ku është përfshirë koordinimi i plotë me perëndimin (Bashkimi Evropian - Gjermania dhe Franca në veçanti) dhe SHBA përmes emisarëve të posaçëm - është se: gjithë ky mobilizim bëhet nën hijen e konfliktit Rusi - Ukrainë si konflikti më i madh në truallin e kontinentit Evropian pas luftës se II botërore.
Kjo është dëshmia më e fuqishme se sa e rëndësishme është zgjidhja përfundimtare e konflikteve të ngrira në truallin e Evropës kudo, pra edhe në Ballkanin Perëndimor si ky: Kosovë - Serbi.
Por, përkundër këtyre rrethanave të krijuara në Europë dhe vullnetit në rritje të miqve tonë ndërkombëtarë për arritjen e një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve - qëndrimet e palëve (Kosovë - Serbi), mbeten thelbësisht të kundërta edhe këtë për disa arsye të njohura:
Po kthehemi në retrospektivën e konfliktit Kosovë - Serbi në kohën jo të largët në fundin e viteve 90 - të (luftërat në ish - Jugosllavi), në veçanti luftën në Kosovë.
Luftërat në ish Jugosllavi e në Kosovë dihet botërisht që janë shkaktuar nga Serbia për hegjemoni territoriale, etnike e ndoshta edhe fetare.
Mirëpo, përkundër kësaj për këto luftëra dhe veçmas luftën në Kosovë nuk është shpallur fajtor Serbia, apo palë e mundur dhe nuk është bërë demilitarizimi i saj, as denacionalizimi radikal, e as nuk i ka paguar në asnjë rast dëmet e luftës. Dëme këto: Materiale, morale (si kërkim falje) etj.
Siç dihet lufta në Kosovë përfundoi me marrëveshjen teknike në Kumanovë (1999), por deri më tash nuk u arrit paqja dhe normalizimi i marrëdhënieve mes dy shteteve Kosovës (e pavarur 2008) dhe Serbisë, e as paqe mes dy popujve përkatës.
Për më tepër në Serbi është vazhduar me avazin e vjetër: Me nacionalizmin radikal (në dëm të popullit fqinj), glorifikimin e kësaj lufte dhe udhëheqësve të saj, disa prej tyre ende janë në pushtet (Serbi).
Armatosja e vazhdueshme me armatim ofansiv dhe disa herë edhe kërcënimi direkt me konflikt të armatosur ndaj Kosovës, shto këtu faktin që Serbia edhe me kushtetutë ende e konsideron Kosovën pjesë të saj, përkundër realitetit të krijuar.
Bile edhe në konfliktin aktual Rusi – Ukrainë, pra Serbia është e vetmja në Evropë dhe ndër të paktat në botë që nuk i është bashkuar botës liridashëse për sanksione ndaj Rusisë dhe dënimin e agresionit të saj në Ukrainë.
Problematik është edhe ekzistimin i "Qendrës humanitare ruse" në Serbi dhe prezencën e disa mijërave pjesëtareve të kësaj qendre të infiltruar në të gjitha nivelet e vendimmarrjes si në udhëheqjen e Serbisë ashtu edhe në të djathtën opozitare.
Kuptohet po kjo opozitë në Serbi (tri grupe parlamentare) është bashkuar në të ashtuquajturin "Frontin për mbajtjen e Kosovës në rregullimin juridik të Serbisë".
Gjithsesi gjatë gjithë kohës këtë veprim destruktiv e realizon me manipulimin e komunitetit serb në Kosovë me qëllim de stabilizimin dhe montimin e shtetësisë së saj. Prandaj mbetet e paqartë si mund të jetë Serbia një partner i besueshëm për marrëveshje serioze?.
Nga ana tjetër Kosova tashmë është e çliruar nga rregullimi juridik i Serbisë me marrëveshjen teknike të Kumanovës dhe vendosjen nën protektorat ndërkombëtar me rezolutën e OKB - së me nr. 1244.
Ndërsa, prej 17 shkurt 2008 është shtet i pavarur si Republika e Kosovës e njohur nga mbi 100 vende të botës dhe disa organizata rajonale dhe ndërkombëtare. Ligjshmëria ndërkombëtare e shpalljes së saj si shtet është verifikuar edhe me vendimin e gjykatës ndërkombëtare në Hagë ( 2010).
Për këto vite Kosova ka mbajtur zgjedhje të lira fer e demokratike dhe konstituon institucione demokratike në vazhdimësi.
Kosova aspiron anëtarësimin në Këshillin e Evropës (KiE), organizatën Euro - Atlantike të sigurisë - NATO dhe Bashkimin Evropian BE- në. Si dhe në kohë të përshtatshme edhe antarsimin edhe në OKB.
Për konfliktin aktual në truallin Europian Rusi - Ukrainë, Kosova është rreshtuar me kohë krah perëndimit Euro - Atlantikë duke dënuar agresionin rus dhe duke i vendosë sanksione Rusisë.
Ka marrëdhënie të shkëlqyera me vendet fqinje me përjashtim të Serbisë - që fqinjësia e mirë është edhe kusht për rrugëtimin e këtyre vendeve drejt BE-së.
Po cilat janë gjasat duke pasur parasysh këto fakte dhe fakte tjera që mund të mos i kemi përmend në këtë rast?
Që të arrihet një marrëveshje Kosovë - Serbi e cila do të shpinte drejt normalizimit të marrëdhënieve mes këtyre shteteve gjegjësisht dy popujve. E duke pasur parasysh përkrahjen e forte për këtë marrëveshje të: BE-së dhe SHBA - së, si dhe nën hijen e konfliktit (Rusi - Ukrainë) e krizës në njërën anë po edhe reagimit unik të këtij komuniteti në anën tjetër.
Kjo gjendje ka prodhuar dy dokumente që qarkullojnë në media e ku më pak e ku më shumë zyrtare e që ka të bëjë me marrëveshjen e mundshme: Kosovë - Serbi.
Dokumenti i parë është "dokumenti francezo - gjerman për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi, ku Kosova përfiton njohjen nga 5 vendet mos-njohëse të BE-së dhe hapjen e rrugës për anëtarësim në OKB, kurse Serbia përkrahje ekonomike dhe përshpejtim të rrugës drejt BE-së.
Dokumenti i dytë është "drafti gjerman për asociacionin e komunave me shumicë serbe" - i cili mendoj se si formë dhe përmbajtje frymën kushtetuese të Republikës së Kosovës si shtet i qytetarëve të barabartë.
Si përfundim sa i përket draftit "franko - gjerman", mendoj si hap i parë mund të jetë pozitive njohja e realitetit të ri (Kosovës) nga 5 shtetet e BE - së që ende nuk e kanë bërë këtë.
Kjo do të shërbente si trampolinë drejtë njohjes reciproke me Serbinë dhe vazhdimi drejt integrimit në BE.
Vlen të ceket se rruga e Kosovës drejt OKB - së ka edhe pengesa tjera ( Rusia, Kina).
Ndërsa "drafti gjerman për asociacionin" - mendoj si hap i dytë, asociacioni duhet të bëhet me qytetarët e komuniteteve në Kosovë për lehtësime që nuk lëndojnë kushtetutën dhe mundësojnë integrimin e tyre në shoqëri.
Sido të jetë mbetet të shohim çfarë efekti do të ketë kjo jo vetëm për shtetet dhe popujt tonë po edhe për rajonin në tërësi.