EU duke e parë kaosin klimatik dhe rrezikimin e njerëzimit nga ndryshimet klimatike, mori masa për reduktimin e gazrave. Parashikohet që deri në vitin 2030 – 35 t´i largojnë nga përdorimi fosilet.
Ky ishte një alarm për Putinin, sepse të ardhurat kryesore shtetërore për Rusinë vinin pikërisht nga gazi dhe derivatet e naftës.
Për t´iu kundërvënë perëndimit nga këto masa drastike, Putinit iu desh që planet e tij ndaj EU dhe perëndimit t´i përshpejtonte.
Strategjia kryesore e tij ishte që në njërën anë ta bënte EU plotësisht të varur nga gazi rus, kurse në rrafshin politik dhe me propagandë punonte në përçarjen e EU, largimin e SHBA nga Evropa dhe dobësimin e NATOS, në mënyrë që Rusia ta merrte rolin dominues në Evropë.
Ky përshpejtim do të thoshte sulm i menjëhershëm ushtarak ndaj Ukrainës, me kusht që Rusinë përsëri ta zgjeronte, në kufijtë e dikurshëm në të cilët shtrihej dikur BRSS.
Siç është kuptuar, Putini planin e kishte që Ukrainën ta pushtonte për dy, tre ditë, po analizat e tij mbetën vetëm një fantazi dhe nuk i dolën të sakta.
Ukraina jo që po mbrohet me sukses, po ushtrisë ruse po i shkakton humbje të thellë, që askush nuk i kishte paramenduar.
Perëndimi i befasuar nga heroizmi i qëndresës së Ukrainës reagoi me shpejtësi, duke i afruar ndihmë ushtarake në armatim.
Perëndimi në fillim ishte në gjumë dhe nuk e merrte seriozisht që Putini do të shkonte aq larg, por shpejt u bindën se nëse nuk bashkohen kundër tij, ai nuk do të ndalej me kaq, por nesër do ta kishin para dyerve të Evropës.
Tash gjërat po shihen më qartë. Mendohet që perëndimi ka përpunuar një strategji që me ndihmën e Ukrainës ta gjunjëzoi Rusinë. Qëllimi përfundimtar siç duket është në demokratizimin e saj, në mënyrë që të shmangen luftërat e ardhshme në Evropë.
Problem tjetër, që askush deri më sot se kishte marr seriozisht, në Evropë është paraqitur Serbia, me të cilën shpejt dhe pa humbur kohë, duhet të merret EU dhe perëndimi.
Serbia gjithnjë, në stilin dhe propagandën ruse, po e kërcënon Kosovën duke tentuar që ta mbaj si koloni të përjetshme të saj.
Konfliktin Serbia herë e bartë në Bosnje e herë në Kosovë, po si duket tashmë përfundimisht u zgjodh Kosova.
Serbia siç duket i ka bërë dhe po i bënë të gjitha përgatitjet dhe tashmë thuaja pritet vetëm një shkëndijë, që konflikti të merr flakë.
Ngjarjet po rrjedhin me të njëjtën taktikë dhe propagandë, sikurse Rusia që e bënte dhe po e bënë në Ukrainë, po çështja është si do të reagoi perëndimi.
Siç duket Serbia do të nxitet që ta filloi konfliktin, por pastaj shtrohet pyetja: a do të armatosen dhe a do të përkrahen edhe shqiptarët njësoj, sikurse edhe Ukraina ndaj Rusisë.
Skepticizëm ka edhe në mesin e shqiptarëve, por pa një Serbi të gjunjëzuar dhe të demokratizuar në Ballkan, Evropa do të ballafaqohej me rreziqe të njëjta si sot edhe me Rusinë.
Prandaj ka shumë gjasa që shqiptarët janë zgjedhur që të ballafaqohen drejtpërdrejtë me Serbinë, në mënyrë që njëherë e përgjithmonë të qetësohet edhe Ballkani.
Çështja pastaj do të ishte, ku do të ndalen shqiptarët, kur dihet që Serbia tërësisht shtrihet në tokat e tyre.