Ende nën "ethet" e festave të fund-vitit, sapo filloi viti 2003, përkatësisht para 20 viteve, në një pritë të organizuar u vra kolonel Tahir Zemaj. Edhe pas 20 viteve asnjë i arrestuar apo dënuar për rastin në fjalë, kjo ngase drejtësia në Kosovë është e kapur nga politika, politika e kapur nga bandat dhe mafia. Kështu ka qenë për më shumë se 20 vjet, pasojat ende i ndjejmë derisa s’do të ketë vetting në drejtësi.
Rasti i kolonel Zemajt është ndër rastet më të rënda për arsye të asaj çfarë koloneli përfaqësonte. Tahiri ishte rreshtuar në anën e institucioneve legjitime të Kosovës, duke njohur presidentin Rugova si komandant të përgjithshëm, çka u pengonte disa të tjerëve. Thuhet të ketë pasur fërkime gjatë lufte me disa prej ish komandantëve të UÇK me kolonel Zemaj dhe ata që nën komandën e FARK kishin ardhur për tu bashkuar me UÇK për një qëllim dhe synim: dëbimin e Serbisë.
Zotësia e Tahir Zemajt ngjalli zili tek disa të paaftë. Beteja e Loxhës është dëshmi e guximit, trimërisë dhe strategut të paparë të Tahir Zemajt, tmerri për ushtrinë serbe. Vrasja e tij pas lufte ishte në vazhdën e shumë vrasjeve, kryesisht të njerëzve të afërt me Rugovën, përjashtim nuk bën as Tahir Zemaj.
Drejtësia e kalbur në Kosovë s’ka mundur ta zbardh këtë dhe shumë vrasje të tjera, Gjykata Speciale ka arrestuar disa nga ish krerët e UÇK me disa nga akuzat edhe për vrasje të paslufte, nuk dihet a është pjesë e saj edhe vrasja e Zemajt.
Koha do e zbardh, s’do të dëshiroja të ishin shqiptarët vrasësit e luftëtarit të lirisë, Heroit të Kosovës, njeriut që dha çdo gjë nga vetja për liri dhe pavarësi. Kushdo që ka urdhëruar apo vrarë Tahir Zemajn është armik i pavarësisë, Gjykata Speciale është shpresa e fundit.