Vijat e kuqe në marrëveshjen përfundimtare me Serbinë, që Kosova nuk guxon t`i shkelë

Opinione

Vijat e kuqe në marrëveshjen përfundimtare me Serbinë, që Kosova nuk guxon t`i shkelë

Mimozë Lakna  Nga Mimozë Lakna  Më 6 janar 2023 Në ora: 18:34
Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq - Foto ilustrim "Bota sot"

Sapo kemi hyrë në vitin e 24-të të Kosovës së pasluftës. 24 vjet me radhë qytetarët e Republikës së Kosovës janë ballafaquar me plagën më të rëndë që ua shkaktoi regjimi kriminal serb.

Ndërsa vitet kanë kaluar, Serbia ka mbetur gati se e njëjta me qasje ndaj Kosovës. Kërkim falja për dëmet e shkaktuara gjatë luftës nuk erdhi asnjëherë në shprehje. Për më tepër, Serbia nuk e ka shuar etjen e pretendimeve territoriale ndaj vendit tonë.

Fundi i vitit 2022 dhe fillimi i vitit 2023 na gjetën sërish duke u ballafaquar me idetë dhe pretendimet kriminale të pangopshme të Serbisë.

Këto, zhvillime u hodhën “kripë”, plagëve të këtyre familjeve të dëshmorëve, martirëve e të pagjeturve.

Deri më tash janë përmendur ide të ndryshme për epilogun e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Mes tyre edhe plani franko-gjerman, për të cilin raportohet se nuk e parasheh as njohjen reciproke ndërmjet dy vendeve.

E për njohjen reciproke tashmë nuk flet as SHBA, e cila dikur e kishte në qendër të çdo deklarate. Si duket gjërat kanë ndryshuar.

Si pjesë e arritjes së marrëveshjes dikur ishin paraparë edhe “amnistia” e krimeve të luftës, ndryshimi i kufijve, shkëmbimi i territoreve etj.

Të gjitha opsionet e lartpërmendura lënë vend për t`u shqetësuar se mund edhe të jetësohen, bazuar në kompromiset që janë bërë në të kaluarën.

Aktualisht nuk është ende e qartë se cilat kompromise të dhimbshme do të jenë në tavolinën e dialogut. Formimi i asociacionit me kompetenca ekzekutive është një ndër rreziqet më të mëdha që na kanoset.

Më herët raportohej se asnjë kompromis nuk do të bëhet i ditur deri në arritjen e marrëveshjes finale.

Nëse veç ndodhë një gjë e tillë, atëherë ekziston shqetësimi i arsyeshëm edhe për asociacionin edhe për mundësinë e “amnistisë” së krimeve të luftës.

Megjithatë, qëndrimet aktuale të Qeverisë Kurti na bëjnë të shpresojmë se pala e Kosovës nuk do të lëshojë pe karshi kompromiseve që do të cenonin integritetin territorial dhe sovranitetin e shtetit.

Këtu, Qeverisë do t`i duhet mbështetja e pakursyer e Kuvendit të Kosovës, përfshirë edhe opozitën.

Faktori politik duhet të jetë unik në qëndrime.

Jemi dëshmitarë se përçarjet nuk i kanë sjellë ndonjë të mirë vendit.

Kosova do të përballet me periudhën më të vështirë që nga paslufta. Kjo, pasi shumë shpejt pritet të vendoset mbi të ardhmen e saj.

Çështja e krimeve të luftës dhe prekja e tërësisë territoriale, duhet të jenë pikat më të forta, ku Kosova për asnjë kusht nuk duhet të dorëzohet.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat