Së pari, duhet cekur se fajin për marrjen e obligimit shtetëror që Kosova ta formon Asociacionin e komunave me shumicë serbe, e kanë nënshkruesit e marrëveshjeve në Bruksel me Serbinë në vitin 2013 dhe 2015, ndërsa përgjegjësinë politike dhe kombëtare për domosdonë e implementimit të saj, e bartin 80 deputetët e Kuvendit të Kosovës, të cilët e kanë ratifikuar një marrëveshje të tillë, tepër të dëmshme për interesat nacionale dhe shtetërore të Kosovës!
Por, këtu dua ta bëj një digresion, ngase siç dihet, në 23 vitet e kaluara asnjë politikan shqiptar i Kosovës nuk ka dhënë përgjegjësi morale dhe politike para organeve të drejtësisë në Kosovë për asgjë, dhe, asnjëri nuk ka dhënë mbase as dorëheqje morale për gabimet e shumta që i kanë bërë, për shkak se në mendësinë politike shqiptare, nuk ekziston asnjë kriter ose normë moralo-politike, e cila i bën përgjegjës politikanët dhe udhëheqësit shtetëror të Kosovës për dështimet dhe vendimet e tyre të gabuara. Ngase, sipas kësaj logjike anti-morale dhe anti-kombëtare, ata konsiderohen “liderë” hyjnorë të Kosovës, të cilët nuk i nënshtrohen asnjë kriteri ligjor dhe kushtetues, dhe mbi të gjitha, ata e konsiderojnë veten dishepuj të politikës shqiptare, dhe se janë njerëz mbi çdo ligj të shtetit të Kosovës..!?
Dhe, mbasi është kështu, dhe, kjo dukuri është dëshmuar edhe në praktikë, se në Kosovë nuk mbahet mend që ndonjë politikan ose “burrë shteti” të ketë dhënë dorëheqje për çfarëdo lloj arsyeje, e lere më për aktin e faljes së mbi 8260 hektarëve toka të trevës së Rugovës, Mali të Zi, për humbjen e 2400 hektarëve toka në Debellde, në kufirin me Maqedoninë, ose për formimin e Dhomave speciale të gjykatës së Kosovës me seli në Hagë, ose për nënshkrimin e marrëveshjes antikombëtare për formimin e “Zajednicës” serbe në Kosovë, dhe kështu me radhë, nën sintagmën, se “çlirimtarët” janë engjëj të paprekshëm”..!?
Kërkoj falje që dola pakëz nga tema e këtij shkrimi, por nuk ke si ta anashkalosh institucionin e dorëheqjes, të cilin do duhej ta kishin praktikuar në vepër me dhjetëra politikanë shqiptarë të Kosovës si dhe pushtetarë të cilët, për veprimet e tyre antikombëtare të cekura më lartë, ata, pranë dorëheqjeve të parevokueshme shumë prej tyre do duhej të kishin përfunduar në burg për dëmet që ia kanë bërë shtet-ndërtimit të Kosovës.
Por t’i kthehemi temës, se pse miqtë tanë amerikanë po duan dhe po kërkojnë me ngulm që qeveria e Kosovës menjëherë ta fillojë punën në formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, kjo sepse, para së gjithash, rrethanat gjeostrategjike në Evropë e deri diku edhe në botë, kanë ndryshuar rrënjësisht, krahasuar me ato të para 10 – 13 viteve, pra janë rrethana krejtësisht tjera, sidomos pas fillimit të agresionit ushtarak të Rusisë në Ukrainë (shkurt 2022), ngjarje të cilat kanë pasur ndikim të drejtpërdrejtë në rajonin e Ballkanit perëndimor, me theks të veçantë në raportet e konfliktit të ngrirë midis Kosovës dhe Serbisë.
Pra, për shkak të politikës së hapur pro-ruse të Beogradit zyrtar dhe mos vendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë, shantazheve dhe kërcënimeve me ushtri dhe luftë ndaj Kosovës, siç treguan edhe ngjarjet e fundit në veri të Kosovës me largimin e serbëve lokalë nga policia, gjykatat dhe organet komunale të qeverisë së Kosovës, vendosja e barrikadave me urdhër të A. Vuçiqit, etj., të cilat u hoqën pas 19 ditëve, falë ekskluzivisht ndërhyrjes dhe angazhimit të diplomacisë amerikane tek pushtetarët racist dhe luftënxitës të Serbisë në krye me “kopilin” e kriminelit S. Millosheviç, A. Vuçiqin, erdhi tek de-eskalimi i situatës.
Sipas mendimit tim, më duket se politika dhe qëndrimi amerikanëve ndaj Serbisë kohëve të fundit ka pësuar një metamorfozë përkëdhelëse ndaj Beogradit, dhe, se cilat janë kornizat dhe përmbajtja e tyre, këtë veprim të tyre është vështirë ta kuptojmë, meqë kemi të bëjmë me superfuqinë më të madhe në botë, e cila strategjinë e saj politike dhe ushtarake e ndërton mbi baza kohore shumë afatgjate, të cilat mbesin sekrete për opinion deri në çastin kur fillon implementimi i tyre në praktikë, siç ishte p.sh. largimi i befasishëm nga Afganistani, etj.
Unë mendoj se Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë do formohet, qoftë me dëshirën apo pa dëshirën e qeverisë së Kosovës, sepse në momentin kur Serbia do ta njoh pavarësinë e Kosovës, ky asociacion nuk do të ketë më asnjë relevancë politike, por as ndikim në funksionimin e shtetit të Kosovës. Prandaj, kërkesën e miqve tanë amerikan duhet pranuar pa asnjë hezitim, kur dihet mirëfilli fakti se janë ata të cilët e kanë bërë Kosovën shtet të pavarur dhe sovran, dhe se çdo veprim ndryshe do ketë pasoja negative për Kosovën dhe miqësinë shqiptaro-amerikane!