9 vjet e gjysmë qeverisje-paqeverisje si dhe një “dyshek dopio”, si ai i Alda Klosit, mbush me fakte, nuk janë pak për të kuptuar dhe për t’u bindur se “shteti Edi Rama” është shtet i NJESHIT, i unit, urdhërit shumëformësh; i ekipit partiak dhe ortakëror, klientelist, oligarkist...Se ai është ngritur mbi gërmadhat e institucioneve të shtetit ligjor, me jetë, më së shumti vetëm në fletët e zhubrosura të Kushtetutës...Se është mbajtur në këmbë me mashtrime e demagogji; me forcë kartonash e kukullash në gjasme parlament; me shkopinj gome e gaz lotsjellës policësh në sheshe protestash, me miliona euro, dollarë, stërlina, lekë..,nga ortakëria me bosë shqiptarë dhe ndërkombëtarë të korrupsionit, kanabizimit., krimit shumëngjyrësh...! “Shteti i Edi Ramës” është shtet pa shtet të vërtetë ligjor, funksional, të prekshëm e të ndjeshëm.
Është shtet, ku mbi çdo ligj është një militant partiak e zyrtar që ndjehet, vepron, firmos e vulos, më të shumtën herë, si Maliq apo si Enver! Ku drejtoresha dhe këshilltare të kryeministrit dhe ministrave, sekretarë të përgjithshëm ministrishë, me firma e vula shtetërore, korruptive, bëhen multimilionerë e pronarë të shumë apartamenteve! Ku krimi i organizuar, edhe në sheshe, rrugë e rrugica në mes të qytetit, kontrollon për 24 orë me kamerat e veta policinë e shtetit...!!!??? Në mes të vitit dhe 10 të “shtetit të Edi Ramës” ne jemi katandisur në shtet pa demokraci të vërtetë, pa parlament pluralist të vërtetë; pa opozitë të vërtetë; pa drejtësi plotësisht të pavarur,;pa KQZ të pavarur nga kryeministri e që guxon t’i kundvihet kërkesave autoritariste të tij!
Por, nga disa veprime dhe mosveprime, gjatë muajve të parë, edhe pa President me të gjitha pushtetet dhe kompetencat, që i njeh dhe jep Kushtetuta e që nuk i serviloset kryeministrit publikisht e qesharakisht, siç duket në disa fotografi! “Shteti Edi Rama” është shtet që “harron” ambasadorë dhe diplomatë të niveleve më të ulët ,edhe deri në 3-4 mandate në detyra, bile edhe shumë vite pas mbushjes së moshës së pensionit...Që “harroi” më 15 shkurt 2023 të bëjë qoftë edhe një deklaratë fare të shkurtër në përkujtim të Masakrës së Reçakut në Kosovë, kryer nga ushtarë dhe paramilitarë të Milosheviçit dhe të Vuçiçit, bashkëideatorit dhe bashkëpunëtorit të Edi Ramës në skenarin proserb të “Ballkanit të hapur”!!!??? Apo, që lejon që në një miting për nder të kryeministrit të një vendi fqinjë, në territorin shtetëror shqiptar, të ketë flamurë më të shumtë e në përmasa më të mëdha të këtij vendi se sa ata kombëtarë shqiptarë!!!??? Gjatë viteve e gjysëm të “shtetit Edi Rama” është bërë e qartë nga një bollëk rastesh privilegjimi dhe pësimi të bashkëpunëtorëve të afërt me kryetarin e PS-së dhe të qeverisë së “Rilindjes” se je i mirë, përfiton në detyra, karrierë, pasurim për sa kohë je “ushtar i bindur”.
Në të kundërtën, survejohesh me kamera, çipe, spiunë njerëzorë; ndëshkohesh rëndë për sinqeritet, përgjegjshmëri dhe kurajo për ta kundërshtuar sy më sy Shefin e Madh dhe për t’i thënë atij ballë për ballë, në forume e veprimtari të gjëra partiake si dhe në media, disa të vërteta lakuriqe, por që ai dëshiron dhe urdhëron të mbulohen me gjethe fiku. Në këta mbi vjet është shprehur në thellim të vazhdueshëm tendenca apo tradita e vënies së pushtetit ekzekutiv, me doza të forta autoritarizmi dhe absolutizmi, mbi pushtetin legjislativ, institucional, kolegjial, sa thuhet e shkruhet “shteti i Edi Ramës”..
Gjykoj se është urgjente të shprehim shqetësim masiv qytetar për të ardhmen, sidomos të brezave të rinj, për sa kohë “shteti Edi Rama”, është pa strategji dhe programe afatgjata për zhvillimin ekonomiko-shoqëror, për mbrojtjen, për rritjen e shpejtë dhe të ndjeshme të niveleve të punësimit e të mirëqenies, për arsimin, shëndetësinë, kulturën, për uljen drastike të niveleve të korrupsionit, informalitetit, kriminalitetit, prostitucionit...Në të kundërt, “shteti Edi Rama” ka “strategji” për të ndërtuar kulla,, inceneratorë, aeroporte, porte, hidrocentrale private, duke dëmtuar fort e qartë zonat turistike dhe të trashëgimisë kulturore, historike, arkitekturore...Gjithashtu “shteti Edi Rama” ka vite që po tregohet “sakrifikues” edhe ndaj interesave kombëtare, në bashkëpunimin me “vëllezërit serbë e maqedonas” për çuarjen përpara dhe zgjerimin e “Ballkanit të hapur”, një skenar që mund të përkthehet në shqip edhe “Serbia e Madhe e Rusia në Adriatik”.
Po kështu përbën arësye të fortë për sensibilizim dhe reagim masiv qytetar edhe fakti që “shteti Edi Rama” është edhe shtet me shumë zyra e zyrtarë që nuk të zgjidhin punë shpejt e pa zarfa..., që fillojnë punë si varfanjakë dhe largohen brenda pak viteve si milionerë, sa mbushin me miliona korrupsioni jo vetëm kasaforta bankash dhe shtëpishë, por edhe dyshekë dopio. Njëkohësisht “shteti Edi Rama”, qysh në fillim është vetëreklamuar apo vetëdiskretituar edhe si shtet pa kontrolle rigoroze e të pakorruptueshme në dogana dhe tregje, sidomos për ushqimet dhe ilaçet e përditshme.
Është për shqetësim dhe reflektim jo vetëm fjalaresk e mediatik, që këto muajt e fundit, si “fryte të Ballkanit të hapur”, tregjet ushqimorë dhe farmaceutikë, janë përmbytur nga vërshimi i mallërave serbe, më së shumti “prodhim për shiftarë”, sipas një shprehjeje të moçme masivisht të përdorur në Serbi...Kështu “shteti Edi Rama”, pa apo me dashje, po na shkurton jetën, po na “vret dhe vetëvret”, po na zbraz kuletat, xhepat, kursimet e po na fut, etër dhe bij, në borxhe dhe falimentim, duke u endur me muaj e vite nëpër spitale, zyra dikasteresh, bashkishë, nëpër gjykata, noteri, hipoteka, agjensi siguracionesh...Në këto rreth 104 muajt e “shtetit Edi Rama” ka “lulëzuar” edhe emigracioni i moshave të reja dhe i kontigjenteve me shkollim të lartë universitar, deri në shifrën 700 mijë vetë! Si rrjedhojë jemi bërë për ditë e më tepër shtet në mplakje e mpakje, me rënie të shifrave të dasmave për martesa e të lindjes së fëmijëve...Shprehur ndryshe, po bëhemi shtet pa rini masive e në rritje, pa “tru”, pa mirëqenie, pa të ardhme të sigurt e të begatë...
Njëkohësisht, në epokën e “shtetit Edi Rama” po përjetojmë gjithnjë e më qartë edhe një dukuri tjetër. Ndërsa politikanët, qeveritarët, firmosësit dhe vulosësit si dhe përfituesit e tenderave, koncesioneve, PPP-ve; inceneratorëve; njerëzit e doganave, tatimeve, të drejtësisë...,sheikizohen çdo ditë e më shumë, qytetarët, paradoksalisht apo “çmendurisht”, edhe pse varfërohen pareshtur, ndiehen të lumtur duke i vështruar nga ekranet e televizorëve të kafeneve dhe duke u grindur për ata me njeri- tjetrin për vërtetësinë e premtimeve e të përrallave të tyre për rritje ekonomike, të mirëqenies, për shtet ligjor...Shprehur troç apo shqip fare: duke u grindur se cilët dinë t’i mashtrojnë më shumë e më bukur, fushë e art, ku Edi Rama ka epërsi të dukshme, është i pamundshëm prej të gjithë rivalëve vartës apo kundërshtarë. Edi Rama ka mbi vjet që përrallis e mburret, sa të shkakton përzierje, se “po bën shtet modern”!!! Deri më sot, në të vërtetë, referuar fakteve të shumtë e të publikuar në media, në salla gjykatash e qeli burgjesh, ka bërë shtet të përmbytur nga diplomablerës, votablerës, votavjedhës, buxhetvjedhës, popullvjedhës.
Por, edhe shtet të përmbytur deri në fyt nga partishmëria apo majtshmëria e verbër, nga militantizmi fanatik, deri në absurditet e ligësi; nga korrupsioni i pafre, nga prostitucioni politik e ordiner...! Në SHBA, fuqinë kryesore demokratike, ekonomike, politike, ushtarake...në botë, disa orë pas skandalit në media për marrjen dhe ruajtjen me vite në mjedise familjare, ashtu si ish presidenti Trump, të arkave me dosje sekrete apo të klasifikuara, edhe nga presidenti Biden, prokurori i emëruar prej tij, vendos që Presidenti të hetohet nga një prokuror special, i emëruar jo nga vetë presidenti Biden, por nga ish presidenti Trump. Në të njëjtën ditë, në Shqipëri, në “shtetin e Edi Ramës”, SPAK-u “ligjërisht i pavarur” nga kryeministri, njofton se do të hetojë sekretaren, por jo shefin e saj, ministrin. Nga ana e tij, Kuvendi, me shumicën e kartona-kukullave, që i ngrejnë lart duart pa pritur të ngrejë SHEFI kokën dhe vetullat, vendos të refuzojë hetimin e Kryeministrit Edi Rama për udhëtimet e tij informale, kryesisht me avion charter. Njëherësh, skandali i patronazhizmit jo vetëm nuk pranohet të hetohet si antiligjor, por promovohet si një program i ri i dedikuar fushatës për ta kthyer "votablerjen dhe votavjedhjen" apo formalitetin në numërim e vendim, nga KQZ, në sistem të paprekshëm. Pra, në SHBA nuk janë de jure dhe de facto të paprekshëm as presidenti në fuqi, as paraardhësi i tij. Krejt në të kundërt me këtë realitet të përjetueshëm edhe këto ditë, në Shqipëri, në “shtetin e Edi Ramës”, gëzojnë paprekshmëri faktike e ligjore, ai vetë, familjarët e tij, sidomos vëllai, edhe pse tejet i përfolur, disa ministresha, ministra, deputetë, zyrtarë të lartë, këshilltarë e këshilltare; oligarkë, investitorë strategjikë..., miq, shokë, ortakë... “të zemrës e të besës”!!!???
Nuk u preket fije floku apo nuk u hynë gjemb në këmbë, edhe kur kryejnë abuzime të rënda dhe vepra të dënueshme ligjërisht, duke u justifikuar me sloganin e bajatosur se “përgjegjësia është personale”, ndërsa përfitimet e pista në të vërtetë kanë qenë e janë qartësisht dhe plotësisht partiake dhe qeveritare. Pas këtyre fakteve, duke iu referuar edhe përvojës së shtetit dhe të demokracisë në SHBA, a nuk na jepet e drejtë e plotë, që të mendojmë dhe pyesim me gjithë forcën e zërave: shteti ynë është vetëm i Edi Ramës apo ngjashëm si “shteti i Ali Babës, me 40, 400, 4.000, 40.000, 400.000...hajdutë”??? Edhe pse nuk janë në pushtet as tamam 10 vjet, lista e hajdutëve me kostume, këmisha, kollaro, ora dore, brekë, këpucë, çorape... firmato të Edi Ramës është shumë më e gjatë se ajo e Ali Babës, ndoshta sa është rruga në metra nga kështjella e tij në Surrel deri në...Bruksel!!!