Janari në historinë e kombit tonë ishte i zymtë, sepse i mori dy nga figurat më madhore, kryeheroin dhe udhëheqësin e papërsëritshëm Gjergj Kastriotin dhe presidentin vizionar e të urtë të Dardanisë dr.Ibrahim Rugova.
Dr.Ibrahim Rugova erdhi në një kohë kur në rajon e gadishull ishin ngritur shumë çështje, ama çështje të mëdha dhe që normalisht koha kërkonte të kishte njerëz të frymëzuar e me vizion për t'i zgjidhur këto çështje.
Ibrahim Rugova nuk e donte proteksionizmin e njerëzve, të cilët do t'i bënin dëm vendit, proceseve të shtet-ndërtimit dhe zhvillimit të gjithëmbarshëm, por edhe vizionit drejt rikthimit në familjen e lashtë europiane.
Vetëm ata që kishin vënë syzat e errëta nuk e njihnin personalitetin e dr. Ibrahim Rugovës, punën e tij, zotimin e tij, famën e mirë të tij, admirimin që kishte bota demokratike ndaj tij, si njeri i urtë dhe vizionar për një Kosovë demokratike të pavarur dhe europiane.
Si rrjedhim i gjithë kësaj, duhet kuptuar ndershmëria e tij e papërkulshme dhe besimi i tij i thellë te vlerat tradicionale të popullit arbëror europian. Duhet kuptuar edhe besimi i tij i thellë te vlerat sublime, tek e vërteta e kombit tonë, te kultura e përgjithshme e kombit arbëror etj. Politika pajtuese dhe frytdhënëse, vizioni, durimi, cilësitë e lidershipit të tij politik dhe historik, si dhe aftësia e tij politiko-diplomatike do të jenë gjithnjë një nga leksionet e vyera për të nxënë shqiptarët e Kosovës dhe të gjithë kombit, elita politike në përgjithësi dhe mbarë bota demokratike e qytetëruar.
Kështu me pak fjalë Gjergj Kastrioti është dielli i Arbërisë, ndërsa dr.Ibrahim Rugova kometa e Dardanisë!