Ibrahim Rugova filozof i mendimit politik, lider unik dhe i pa krahasueshëm

Opinione

Ibrahim Rugova filozof i mendimit politik, lider unik dhe i pa krahasueshëm

Skender Zogaj Nga Skender Zogaj Më 21 janar 2023 Në ora: 15:43
Ibrahim Rugova

Figurat e mëdha kur kalojnë në amshim, lënë zbrazëti e cila, sa më shumë që kalon koha, aq më e madhe bëhet zbrazëtia dhe aq më e flakë bëhet dhimbja sidomos, kur mungesa e tyre mbetet pa trashëgimtarë sado pak të denjë për ta vazhduar funksionin e tyre! Kjo ka ndodhur me Presidentin historik Dr. Ibrahim Rugova, udhëheqësin më të madh shpirtëror të shqiptarëve, mendjendriturin që me forcën prej Dijetari, e mposhti robërinë dhe e realizoi ëndrrën shekullore të shqiptarëve të Kosovës për liri dhe pavarësi.

Ibrahim Rugova në shembullin e perandorëve të lashtësisë, që kanë emërtuar epoka lavdie, është orfeu i Epokës së Rugovizmit, që trashëgon lavdinë e Skënderbeut por që në vend të shpatës e ka lapsin!

Prandaj, 17 vite pas vdekjes së Presidentit Rugova jemi plot dhembje, të rudhur e të strukur me shqetësime, sepse mungesa e tij po ndihet fuqishëm në Kosovën që s'po arrin të funksionoj sa e si duhet dhe aq sa i ka mundësitë. Mungesa e Rugovës prandaj sot është tepër e hetueshme sepse, po të kishte qenë gjallë, tash Kosova do të ishte në gjiun e shteteve më të konsoliduara të BE-së, ndërsa shqiptarët do të ishin faktor i rëndësishëm i civilizimit evropian e botëror, e jo siç janë tash, ikanakë nga vendi i tyre, të shpërndarë anëve të botës, të përbuzur nga pamundësia për të realizuar kushtet elementare të jetës!

Kjo është pasoja fatale e Kosovës që, Ibrahim Rugova nuk e ka lejuar as nën okupimin klasik, kur Kosova iu ka kundërvënë pushtuesit me vet organizimin të sistemit paralel, që i ka dal zot qenies kombëtare shqiptare.

Pra, kemi të bëjmë me një humbje të pazëvendësueshme dhe është e dhimbshme për ata që përpiqen ta anashkalojnë, sepse, rugovizmi nuk është dogmë marksiste leniniste, as degjenerim ideologjik i socializmit ruso kinez të llojit të Enver Hoxhës, por është praktikë e fisnikërisë tradicionale shqiptare ndaj demokracisë evro-atlantike, të cilën Rugova e pasuroi me filozofinë e mendimit të tij politik dhe dëshmoi se, shqiptarët janë kontributdhënës aktivë të civilizimit botëror! Vizioni rugovian sot duhet të kthehet e të mësohet përmendësh nga klasa politike, ndërsa populli shqiptar i Kosovës duhet t'ia imponojë qeverisjeve të vendit demokracinë rugoviane nëse ia do të mirën vetes, familjes dhe brezave të ardhshëm!

Flozof i mendimit politik, Lider unik, I pa krahasueshëm, I pa zëvendësueshëm, Ndër prijësit më të mëdhenjtë dhe më fisnik të kombit, Baba themeltar i shtetit të Kosovës, Pusho në paqe Bac!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat