Ndonëse kanë kaluar tre ditë nga vrasja e ish-veteranit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, autorët e krimit që ndodhi në magjistralen Ferizaj-Kaçanik ende nuk janë zbuluar.
Nusret Cena, ish-veterani i UÇK-së, është vrarë mbrëmjen e së hënës me breshëri plumbash, derisa ishte në veturën e tij.
Prokuroria ka deklaruar se hetimet janë duke vazhduar në mënyrë intensive.
I ndjeri, Nusret Cena ishte mjaft i njohur për organet e drejtësisë. Emri i tij përmendet në rastin “Sekiraqa”; për një vrasje të trefishtë që kishte ndodhur në Kaçanik në vitin 2007, si dhe në rastin “Zharku”.
Përfshirja në rastin “Zharku”, ku Cena ishte dënuar për zhvatje me 1 vjet e një muaj burgim është dëshmia më e mirë për lidhjet e tij me politikën dhe Partinë Demokratike të Kosovës.
Cena ishte njeri i afërt me njerëzit e PDK-së, duke qenë se shumë prej tyre i kishte edhe bashkëluftëtarë.
Në profilin e tij në Facebook, Cena, kishte publikuar fotografi me shumë nga figurat politike të njohura të PDK-së.
Një nga to e ka me Besim Ilazin, kryetarin e komunës së Kaçanikut, prej nga edhe vjen Cena. Por, nuk mungojnë as fotot me deputetin e PDK-së, Ilmi Reçica, kryetarin e Hanit të Elezit, Mehmet Ballazhin, ish kreun e Ferizajt, Bajrush Xhemaili, si dhe me vet ish- kryetarin e PDK-së, Kadri Veseli.
Vrasja e Nusret Cenës ndodhi në kohën kur disa nga ish-bashkëluftëtarët përkatësisht eprorët e tij po mbahen në paraburgim në Institucionin, Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit tё Specializuara tё Kosovës, si të akuzuar për krime lufte nga viti 1998 deri në vitin 2000.
Kosova jo rrallëherë është përballur me vrasje të tilla të mistershme, si e Nusret Cenes, të cilat për shkak të mos-zbardhjes së tyre kanë lënë hapësirë për hamendësime.
Vlen t`i përmendim këtu edhe vrasjet me motive politike, ku po thuajse asnjëra nga to nuk është zbardhur.
Madje, zbardhjen e këtyre vrasjeve pritet ta bëjë Gjykata Speciale e cila ka mandat për të hetuar e gjykuar edhe për vrasjet e kundërshtarëve politik deri në fund të vitit 2000.
Dështimi i drejtësisë dhe policisë në kapjen e autorëve ka treguar gjithmonë për lidhjet e politikës me drejtësinë.
Madje, edhe vet Nusret Cenën, Gjykata e Qarkut në Prishtinë e kishte liruar në mungesë të provave, për rastin e vrasjes së trefishtë që kishte ndodhur më 28 dhe 29 shtator të vitit 2007 në vendin e quajtur te “Ura e Lepencit”, afër fshatit Soponicë, Ferizaj, ku kishin mbetur të vrarë Neshat, Sylejman dhe Urim Baftiu, kishin lënë të plagosur Bujar Baftiun, ndërsa pa lëndime kishte shpëtuar Sadik Baftiu.
Por, përderisa organet e rendit nuk e kanë thënë fjalën e tyre, nuk mund të dihen motivet e vrasjes së Nusret Cenës apo nëse ai dinte diçka më shumë që “nuk duhet ta dinte”, rreth ish bashkëluftëtarëve të tij!
Kujtojmë se, mbrojtja dhe mbështetja e dëshmitarëve në proceset e Gjykatës Speciale të Kosovës për krime lufte me seli në Hagë , është konsideruar si proces mjaft sfidues për autoritetet dhe vet Gjykatën.