Dinak, nga disa i guximshëm, asnjëherë i besueshëm, para vetes nuk vinte asgjë, kështu pak a shumë sintetizohet personazhi i Hashim Thaçit. Kam shkruar shumë për Hashimin, sigurisht jo nga dëshira, këtë radhë sebepi lidhet qysh katër vite më parë, Hashimi kishte shkruar një status, i cili ishte një metaforë për të komentuar rrjedhat politike të vitit 2018.
Duke shkruar në muajin janar, që atëbotë kishte rënë goxha borë, Thaçi kishte zgjedhur të bënte një status me një metaforë me borë. Ai kishte uruar që, pasi bora të shkrihej, të mos bëhej skllotë. “Bora ka zënë të shkrihet shpejt. Uroj të mos bëhet skllotë! HTH” – shkruan Thaçi.
Shumë kanë qenë interpretimet e kësaj thënie, pa qenë me vështirësi të zbërthehet e vetmja e vërtetë e këtij mesazhi. Thaçi ironizonte lëshimin pe të Haradinajt për korrigjimin e kufijve, të cilën Ramushi e kishte kundërshtuar fortë. Termi "skllotë" i referohej taksës 100 për qind, të cilën e kishte vendosur z. Ramush Haradinaj, që ishte kryeministër i Kosovës atëbotë.
Realisht, Thaçi këtu kishte të drejtë, Ramushi nuk u qëndroi deri në fund vendimeve të tija. Hiç më mirë nuk qëndron as Thaçi, në rikujtim të katër vjetorit të këtij statusi të tij, do i përgjigjem me po të njëjtën mënyrë. Veç se jo me metaforë, por më shumë direkt:" Hajnia ka fillu me u " shkri", do zoti po bëhet "skllotë"".
S’ka më tenderë, s’ka më koncesione, s’ka përqindje...çdo gjë i takon një periudhe të zymtë, e tanishme dhe e ardhmja po ndërtohen krejt ndryshe nga ajo e Hashimit. Pranvera ka nis me ardh, dimri i vështirë po ik, e dielli po lind përsëri, hajnia s’ka më vend.