Ngjalli reagime të shumta e që vazhdojnë ende për Ligjin e Pagave të prezantuar nga qeveria, përkatësisht koeficienti për zyrtarët publikë. Opozita lëshoi seancën e kuvendit duke e quajtur qeverinë “mashtruese”.
Hipokrizi është pak me u thanë opozitarëve të sotëm, të pështirë. Nëse ka dikush që ka nëpërkëmbur dinjitetin e mësuesve dhe punëtorëve të tjerë publik janë konkretisht PDK dhe AAK. Në qershor të 2017 drejtuesit e koalicionit të asaj kohe, PDK-AAK-Nisma, Kadri Veseli dhe Ramush Haradinaj, kishin nënshkruar memorandum mirëkuptimi me Sindikatën e Arsimit. Kur erdhën në pushtet u desh që për javë të tëra mësuesit të rrinin në grevë për Ligjin e pagave.
Ligji ishte miratuar në Kuvendin e Kosovës më 2 shkurt 2019, mes shumë kundërshtimeve nga disa sindikata të punëtorëve në sektorin publik. Ndonëse pas miratimit të tij në Kuvendin e Kosovës, shumë deputetë e patën cilësuar atë si një nga vendimet e mëdha, e madje edhe historik, për rregullimin e sistemit të shpërndarjes së pagave në sektorin publik, ndërkohë janë shtuar ankesat ndaj këtij ligji për mos-përfshirje të disa kategorive.
Ish kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dhe ish kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli patën deklaruar se me miratimin e këtij ligji janë respektuar standardet më të mira, por kështu nuk ndodhi.
Në momentin e fundit ligji u pezullua nga Kushtetuesja e cila më vonë, konkretisht me 30 qershor 2020 e ka shpallur të pavlefshëm. Sipas vendimit, ligji nuk është në përputhshmëri me 11 nene të Kushtetutës së Kosovës. Këta që sot akuzojnë për tri vjet kanë gënjyer për Ligjin e Pagave, nuk ishin të zotët vet. Ligji për Pagat i prezantuar nga qeveria Kurti ka lëshime, janë sindikatat dhe akterët tjerë përgjegjës dhe të thirrur për sugjerime, vërejtje etj, por jo opozita mashtruese.