Kryetar i Asociacionit në Kosovë pritet të emërohet Dodik ose Vulin!

Opinione

Kryetar i Asociacionit në Kosovë pritet të emërohet Dodik ose Vulin!

Nga: Sherif Ramabaja Më: 13 shkurt 2023 Në ora: 12:12
Sherif Ramabaja

Kosova nën presion. Po shtrëngohet që ta themeloi Asociacinin, me shpresë që të jetë sa më pak i dhimbshëm.

Në anën tjetër Serbia e entuziazmuar po trimërohet, se atë do ta pranonte vetëm me kompetenca ekzekutive.

Ende pa u themeluar dhe ende pa e ditur formën e tij, serbët janë duke i bërë konsultimet dhe propozimet, se cili do të jetë kryetar i parë i këtij Asociacioni në territorin e Kosovës.

Në kuluaret e ndryshme në Serbi dhe në popullin serb, po pëshpëriten dy emra të njohur për opinionin serb dhe atë ballkanik. Fjala është për dy figura të „shquara“ nga skena politike serbe, Dodik dhe Vulin.

I pari njihet si personalitet me përvojë, i cili qeverinë boshnjake e ka bllokuar aq fuqishëm, sa asgjë nuk funksionon pa firmën e tij.

Tjetri e udhëheqë inteligjencën serbe, i cili tërësisht e ka inkorporuar në sistemin rus të Putinit.

 Këtë përvojë të tij si duket ky politikan i njohur dhe i fuqishëm me emrin Dodik do ta zbatoi, (po premton) edhe në Veriun e Kosovës, nëse propozohet që të zgjidhet në krye të Asociacionit.

Dodik në pika të shkurta e paraqiti edhe programin qeveritar të Asociacionit, nëse themelohet sipas dëshirës së tij, me kompetenca ekzekutive.

Si pikë e parë me mua tha Dodik, do të jetë përgatitja e terrenit, për ndarje nga Kosova dhe bashkimi me Serbinë.

Pikë e dytë do të jetë formimi i forcave të armatosura, duke u nisur nga milicia, ushtria, forcat paramilitare, legalizimi i  Wagner dhe Ujqit e Natës të Putinit, formimi i zjarrfikësve, mbrojtja civile, mbrojtja territoriale, themelimi i divizioneve, brigadave, njësive speciale, njësitë e armatosura rinore, njësitë e armatosura femërore, njësitë e armatosur të pensionistëve, njësitë e armatosura të infermierëve, njësitë e armatosura nga mjekët, njësitë e armatosura studentore dhe po mendohet sikurse Putini, që të fillohet edhe me njësinë e armatosur nga nxënësit që nga klasët e ulëta. Kurse armatosja e tërë popullsisë, po ashtu do të jetë si pikë e veçantë e programit tim.

Po ashtu pa humbur kohë do të kisha vazhduar me programin social, ekonomik, infrastrukturën, ndërtimtarinë, industrinë, tregtinë, arsimin etj.

Ekonominë do ta kisha lidhur tërësisht me Serbinë. Programin social do ta kisha zgjeruar në çdo familje serbe. Sa i përket infrastrukturës do t´i kisha mbyllur të gjitha rrugët drejt Prishtinës dhe do të kisha filluar me ndërtimin e autobanit drejt Beogradit.

 Sa i takon ndërtimtarisë do të kisha ndërtuar banesa dhe shtëpi për kthimin e serbëve dhe për të gjithë të interesuarit nga Serbia, të cilët shprehin dëshirën të jetojnë dhe punojnë në republikën e Veriut të Kosovës.

Industrinë po ashtu do ta kisha lidhur tërësisht me industrinë nacionale të Serbisë, duke e furnizuar me të gjitha llojet e xeheve që ndodhen nën patronazhin tonë.

 Tregtinë po ashtu do ta kisha lidhur me të gjitha qytetet e Serbisë dhe do ta kisha ndërprerë çdo lidhje me Prishtinën.

Arsimimin po ashtu do ta kisha integruar në kuadrin e sistemit arsimor të Serbisë, duke ua shpjeguar fëmijëve tanë përjetimet dhe tmerrin nën sundimin 20 vjeçar të shqiptarëve, por dhe të kaluarën e lavdishme të popullit serb.

Harrova të them disa fjalë edhe për bashkëpunimin ndërshtetërorë. Ne do të kemi marrëdhënie miqësore me të gjitha shtete e rajonit përpos Prishtinës. Marrëdhënie vëllazërore dhe speciale do të zhvillojmë me Republikën Serbska të Bosnjës, Serbinë, Malin e Zi, Maqedoninë e sidomos edhe me mikun tonë të çmuar zotin Rama. Ky pra pa e zgjatur do të ishte në pika të shkurta, programi im zgjedhor.

 Rroftë Bota Serbe me Asociacionin, rroftë Serbia, rroftë Republika Serbska, rroftë Rusia, rroftë Vuçiqi, rroftë Putini, rrofshin të gjithë, përpos shqiptarëve.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat